Warning: preg_replace(): Unknown modifier '{' in /home/shqiperia/application/views/helpers/Fetchterms.php on line 13

Notice: compact(): Undefined variable: extras in /home/shqiperia/library/Zend/View/Helper/HeadLink.php on line 381

Sanduiç

Shkruar nga: Edmond Tupja  
Botuar më: 13 vite më parë

Edmond Tupja
Sanduiç

Ja, pra, edhe një tjetër fjalë e huazuar nga anglishtja, sandwich: dy feta buke, midis së cilave vendosen ushqime të ftohta (proshutë, mish, sallam, djathë, sallatë etj., me ose pa salcë kosi, mustardë, keçap etj.). Kjo fjalë, kaq e përdorshme dhe e përdorur sot gati nga të gjitha shtresat e shoqërisë shqiptare (disa e shqiptojnë si anglezët,  sanduiç, të tjerë si amerikanët, senduiç), ende nuk figuron në Fjalorin e gjuhës shqipe, Tiranë, 2006. Gjënë “sanduiç” e kam njohur që në fëmijërinë time të hershme: nëna më përgatiste gjithmonë, që t’i haja gjatë pushimit të madh te Shkolla e Kuqe, dy feta bukë me vaj e sheqer, ose, në rastin më të mirë, me gjalpë e thërrime djathi, të cilat më shijonin shumë, pavarësisht se as ime më, as unë nuk e dinim që quheshin sanduiç. Por, cila është prejardhja e fjalës “sanduiç”?

Kjo fjalë angleze daton që nga viti 1762 dhe vjen prej emrit të kontit Sandwich, kumarxhi i pandreqshëm, kuzhinieri i të cilit shpiku këtë mënyrë të ushqyeri me të vetmin qëllim që t’i krijonte të zotit mundësinë të hante diçka pa u larguar nga tryeza ku luante bixhoz. Fjala “sandwich” nisi të përdorej në Francë në vitin 1802, kurse në vitin 1881, po në Francë, nisi të përdorej shprehja “homme-sandwich” – që dikur është shqipëruar me shprehjen “njeri-reklamë”, por që mund të rishqipërohet me shprehjen “njeri-sanduiç” –, në kuptimin “njeri që shëtit rrugëve me dy postera publicitarë, njërin mbi gjoks, tjetrin mbi shpinë”.

Duke i kërkuar ndjesë lexuesit të rregullt, të vëmendshëm e të paanshëm të kësaj rubrike që u zgjata pak si shumë me prejardhjen e fjalës “sanduiç”, po nxitoj ta vendos e ta aktualizoj këtë fjalë në kuadrin e jetës politike shqiptare: Çdo ditë e më shumë bindem se po shtohet numri i bashkatdhetarëve të mi që po kthehen, jo rrallëherë pa e ditur as vetë, në njerëz-sanduiçë. Për këtë u ndërgjegjësova vite më parë gjatë një fushate për zgjedhjet në Parlament. Asokohe, nga një burim i mirinformuar, por shumë konfidencial, mora vesh se, gjatë asaj fushate, disa biznesmenë po financonin njëkohësisht edhe Partinë Socialiste, edhe Partinë Demokratike. Përllogaritja e tyre ishte më se e qartë: cilado parti të fitonte shumicën parlamentare, pra, të qëndronte apo të vinte në pushtet, ajo do t’ua shpërblente në njëfarë mënyre të gjithë atyre që e kishin financuar gjatë fushatës në fjalë.

Këta lloj biznesmenësh luanin kështu rolin e njeriut-sanduiç, veçse nuk i bënin reklamë të njëjtit produkt, por dy produkteve të ndryshme, për të mos thënë të kundërta, çka binte pak erë oportunizëm. Në fakt, nuk duhet të çuditemi me këtë dukuri moralisht jo fort të shëndetshme: A nuk pati gjatë pushtimit otoman fise apo familje shqiptare, nga pjesëtarët e të cilave disa mbetën të krishterë e disa të tjerë – vëlla, kushëri, krushk etj., etj. – përqafuan fenë e pushtuesit? A nuk pati gjatë Luftës së Dytë Botërore fise apo familje shqiptare, nga pjesëtarët e të cilave disa u bashkuan me komunistët e disa të tjerë – vëlla, kushëri, krushk etj., etj. – me ballistët apo zogistët? A nuk pati e ka ende sot, me vendosjen dhe konsolidimin e demokracisë te ne, fise apo familje shqiptare, nga pjesëtarët e të cilave disa u radhitën politikisht djathtas e disa të tjerë – vëlla, kushëri, krushk etj., etj. – majtas? Madje, praktika tregon dhe dëshmon se disa nga partitë e vogla sillen natyrshëm si njerëz-sanduiçë duke kaluar sa nga njëri krah politik në tjetrin, por gjithmonë me kahe drejt krahut fitimtar, duke synuar kështu të përfitojnë të paktën ndonjë post ministror.

Shkrimtari Ismail Kadare e përshkruan fort bukur këtë tip njeriu-sanduiç oportunist e pa karakter te romani “Kronikë në gur”, në mos gabofsha, kur flet për një gjirokastrit me emrin Jorgo Pulaj, i cili, kur qyteti i tij i lindjes u pushtua nga trupat fashiste italiane në vitin 1939, nxitoi ta ndryshonte emrin e mbiemrin duke u vetëquajtur Xhorxho Polo; kur grekët e pushtuan Gjirokastrën gjatë Luftës Italo-Greke, ai nuk vonoi të vetëquhej Jorgos Pulos; me ardhjen e nazistëve gjermanë, emri i tij u shndërrua menjëherë e krejt natyrshëm në Jurgen, por, shton shkrimtari i madh, ky zotëri kishte edhe një emër rezervë në rast pushtimi japonez: Jogura!

Së fundi, duke pasur parasysh këtë talent të veçantë të shumë e shumë shqiptarëve për të luajtur rolin e njeriut-sanduiç, madje multisanduiç (kujdes, i nderuar lexues, se mos nuk e shqipton dallueshëm shkronjën “l” të kësaj fjalës së fundit!), po marr guximin për t’i sugjeruar Ministrisë së Punës, së Çështjeve Sociale e të Shanseve të Barabarta të marrë tërë masat e nevojshme për të hapur sa më shumë vende pune për çdo lloj publiciteti, të vërtetë e të rremë, të ndershëm e të pandershëm, fisnik e vulgar, çka do ta ulë aq ndjeshëm numrin e të papunëve në Shqipëri saqë, pavarësisht krizës botërore që po përjetojmë, edhe vendet më të zhvilluara do të na kenë përzemërsisht zili!

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama