Warning: preg_replace(): Unknown modifier '{' in /home/shqiperia/application/views/helpers/Fetchterms.php on line 13

Notice: compact(): Undefined variable: extras in /home/shqiperia/library/Zend/View/Helper/HeadLink.php on line 381

Këpuca e Hirushes

Shkruar nga: Edmond Tupja  
Botuar më: 13 vite më parë

Edmond Tupja
Këpuca e Hirushes

Le ta themi që në krye të herës: Sot nuk ndodhin më mrekulli! Nuk ka më Hirushe! As Princ (të kaltër apo rozë) që, pas shumë përpjekjesh, e gjen dhe martohet me atë! Askush nuk u beson më mrekullive! Përralla është përrallë dhe realiteti, realitet! Sot asnjë histori nuk përfundon më me fjalët: “Ata u martuan, bënë shumë fëmijë dhe jetuan të lumtur”! Këto mendime po bluaja kur sapo kishte filluar vapa e tmerrshme e këtij fillimgushti, ky zheg apo djegagur, quajeni si të doni, një mëngjes tek zbrisja shkallët për të vajtur në tregun e vogël fshatar pranë shtëpisë sime.

Befas, në katin e dytë, sytë më zunë derën gjysmë të hapur të fqinjës sime të mirë A****, poshtë së cilës kjo kishte ngecur një këpucë të sheshtë që apartamenti i saj i vogël të mund të ajrosej nga rryma e ajrit e asaj të mos i zihej fryma. Po, sot nuk ka më as Princ, as Hirushe, dhe këpuca e kësaj të fundit ka mbetur poshtë derës së fqinjës sime të mirë.

Që dera t’i rrijë hapur në pisk të vapës e që asaj t’i vijë pak fresk. Fqinja ime e mirë është pensioniste dhe jeton vetëm: nuk i del të mbajë kondicioner (që të bijat dhe dhëndurët bujarë janë gati t’ia blenë, ç’është e vërteta), se pensionin e ka shumë modest, se është e moshuar dhe përdor rregullisht ilaçe. Ilaçe të cilat jo të tëra janë gjithmonë të lira e të rimbursueshme. Pastaj i duhet edhe të vërë ndonjë para mënjanë, sepse, helbete, paraja e bardhë për ditë të zezë duhet ruajtur.

U bënë, sidoqoftë, disa javë, që unë e shoh çdo mëngjes këpucën e Hirushes poshtë derës së fqinjës sime të mirë. E shoh dhe buzëqesh me dhimbje. Buzëqesh me dhimbje dhe them me vete: Po sikur dikush, individ apo institucion qoftë, të bëjë një sondazh për të përcaktuar numrin e përgjithshëm të këpucëve të Hirushes që shqiptaret dhe shqiptarët pensionistë vënë çdo mëngjes nën derë në mënyrë që të fryjë pak e atyre të mos u merret fryma nga vapa? A do të ishte kjo statistikë një ndihmë më shumë, sado e vogël, për të përcaktuar nivelin e varfërisë në megapolin shqiptar? Në megapolin shqiptar ku çdo shtëpi, çdo familje, qoftë edhe vetëm me një pjesëtar, aq më tepër pensionist/e të vetmuar, mund të jetë një mikropol domethënës për indin social të shoqërisë shqiptare? Të shoqërisë shqiptare, ku ende nuk po zënë të paktën kore disa plagë shqetësuese?

Disa plagë shqetësuese që duhen marrë më seriozisht jo vetëm nga qeveria, por edhe nga shoqëria civile, edhe nga çdo qytetar/e i/e marrë veçmas? Sidoqoftë, a mund ta përfytyroni se ç’do të ndodhte sikur Princit përherë të dashuruar me Hirushen t’i shkonte lajmi që në Tiranë qarkullojnë jo nën dorë, por nën derë, shumë e shumë këpucë të Hirushes? Fillimisht ai nuk do ta besonte këtë lajm: këpuca e Hirushes, ajo e vërteta, ishte prej kristali dhe, si e tillë, do të thyhej e thërrmohej po ta vinin nën derë! Megjithatë, ka të ngjarë që ai të hidhej sërish në kërkim të së dashurës së tij dhe rrezik ta humbte fillin si Xhaferri simiten dhe të përfundonte ose në çmendinë, ose në poligami. Prandaj, në e takofshi ndonjë ditë të vaposur rrugëve e shesheve të Tiranës, mos ia zini fare në gojë këtë lajm.

Thojini vetëm që, meqenëse është ende Princ, pra, i pasur, le ta vërë dorën në zemër e sidomos në kuletë për t’u dhuruar sa më shpejt pensionisteve dhe pensionistëve shqiptarë, në veçanti atyre që jetojnë fillikat duke mbajtur barkun me dorë e freskun me derë, nga një kondicioner pa harruar t’u paguajë faturën e energjisë elektrike në fund të çdo muaji! Për ta mbyllur, unë do t’u sugjeroja shërbimeve funerale të Tiranës që, në rast se një pensioniste e vetmuar vdes nga pasojat e vapës, le të kujdesen që t’i vënë në arkivol edhe këpucën e Hirushes, e cila këpucë, gjithsesi, u përpoq t’ia vononte vdekjen qoftë edhe për disa ditë me vapë të padurueshme. Në fund të fundit, ku i dihet: edhe në Botën e Përtejme (në ekzistoftë ndonjë e tillë), falë këpucës së Hirushes, të vdekurës së ringjallur mund t’i dalë fati e të martohet me ndonjë Princ (të kaltër apo rozë, pak rëndësi ka).

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama