Warning: preg_replace(): Unknown modifier '{' in /home/shqiperia/application/views/helpers/Fetchterms.php on line 13

Notice: compact(): Undefined variable: extras in /home/shqiperia/library/Zend/View/Helper/HeadLink.php on line 381

Na duhet të ndiejmë dhimbje

Shkruar nga: Aleksandër Çipa  
Botuar më: 13 vite më parë

Aleksandër Çipa
Na duhet të ndiejmë dhimbje

Kemi tragjedi dhe drama të përditshme, por jetojmë në krizën e mosshfaqjes së dhimbjes dhe ndjenjës. Ky paradoks i përditshëm i shoqërisë sonë është një tjetër dramë me efekte të shumta për të ardhmen. Po e neglizhojmë dhe aq më keq, injorojmë këtë fenomen socio-psikologjik të shoqërisë. Janë raste të përditshme vrasjesh, atentatesh, dhunimesh, përdhunimesh, aksidentesh, vetëflijimesh dhe shumë e shumë më tepër raste të tragjedive në familjet shqiptare. Është një subjekt tronditës në të gjitha rastet dhe me të gjitha personazhet. Mosha të reja që nisin prej minorenëve e deri te mesoburrat e mesogratë që po i përmendim në kronikat tona të shpeshta vdekatare. Në televizione dhe gazeta, në hapësirën virtuale dhe në qindra blogje, në mënyrën më të keqe dhe shpesh pa aspak dhimbje njerëzore, rrëfehen si në garë, vrasjet dhe vdekjet.

Një maratonë kobtare, e cila tejkalon çdo situatë të tillë shoqërore e nuk mund të krahasohet numerikisht me asnjë vend tjetër. Në të gjitha rastet motivi dhe shkaku është shumë herë më i pafokusuar, përkundër këmbënguljes për narracion rreth vendit dhe mënyrën sesi u krye prerja e kokës apo derdhja e breshërisë pas shpine x apo y femre. Një kronikë, e cila e ka humbur sensin e vetëpërmbajtjes kolektive dhe po na dëshmon realisht në gjendjen e një shoqërie në kthetrat e shokut apo depresionit. Janë të tmerrshme skenat, por më të tmerrshme janë indiferenca, mosreagimi dhe sidomos devotshmëria për të servirur në mënyrën më ilare motivet dhe thashethemnajën rreth protagonistëve të vdekur në tragjedinë e radhës.

Sa shumë mediatizim për të keqen, pra, sa shumë mediatizim për krimin dhe gjakimin e çuditshëm nëpër rrugë e banesa, nëpër shumëkatëshe apo në shtëpi përdhese të fshatrave periferike!

Tragjedia, tragjedisë nuk i ngjan, por vetëm vdekjen kanë të përbashkët. Në lëmshin e secilës prej tyre, reporterët tanë shpesh me një ndërgjegje mediokre sociale, na rrëfejnë lidhje dhe versione të hamendësuara. Ndërkohë që këtë “karrem” ditor policia shpesh na e hedh përmes komunikatave standarde, duke shkelur pa teklif prezumimin e së drejtës dhe pafajësisë në adresë të të akuzuarve të parë, (pasi mund të ketë edhe të dytë).

Një lojë dhe marrëdhënie fundemajë e padrejtë. Rasti i 18-vjeçares në Kërrabë, e cila pas një odiseje të gjatë frike e rrëmbimi, shndërrohet në vrasëse, është një tjetër kazus, rreth të cilit do të ndalen edhe për disa ditë rresht mediat tona. Do të ftillohet dhe hamendësohet ngjarja dhe rrethanat e pëshpëritshme të saj, do të rikthehen të dhënat për tragjedinë që erdhi duke kaluar për disa vite nëpër mjedisin e një miqësie familjare, do të tmerrohen edhe më tej me të dhënat e pakonfirmueshme nga grupi hetimor (i pa prononcuar kurrë publikisht për procesin dhe procedurat hetimore), derisa në gjykatë të nisin seancat gjykuese, tashmë për viktimën, i cili kishte qenë protagonist i një drame me disa akte disavjeçare dhe për 18-vjeçaren e viktimizuar, tashmë kriminele.

Kjo tragjedi tejkalon çdo letërsi. Ajo është vërtet një “majë ajsbergu” e tragjedive sociale që ndodhin në përditshmëritë tona, sidomos në skajet e periferitë e vendit, ku jetojnë dhe dhunohen në mënyra të ndryshme vitat dhe bijat fatkëqija. Lajmi është akti ekstra-subjekt i këtyre tragjedive dhe dramave të tmerrshme shqiptare. Ndërkohë që shumicën e akteve të tragjedisë e kanë përcjellë me dije dhe kureshtje banorët fqinjërues të familjes së 18-vjeçares, pjesëtarët e shtëpisë së saj, miqtë dhe të afërmit e rrëmbyesit të pandëshkuar etj. Kjo histori e gjatë e kësaj tragjedie, do të mbyllet me mbulimin e saj prej heshtjes apo fundit të një procesi të rëndomtë gjykimi. Do të peshohet faji i viktimës që kreu krimin dhe do të gjykohet paarsyeshëm tashmë, faji i viktimës që kishte protagonizëm mëkati aq vite. Detyrëpakryerit e kujdesit dhe sidomos ndihmës ligjore, askush s’do t’i gjykojë. Dosja e kësaj çështjeje në policitë lokale mund të jetë krejt fragmentare dhe me të dhëna që nuk ndriçojnë mjaftueshëm as rrethanat, as përgjegjësitë e as subjektin e gjatë të marrëdhënies komplekse të dy personazheve të mbërritur deri në fat të keq. Prej pikëllimit dhe dhimbjes, mund të flasin protestueshëm në një intervistë apo rrëfim mediatik prindërit dhe të afërmit e 18-vjeçares fatkeqe, por më tej do të jetë e pamundur të ndriçohen krejt rrethanat e ndodhitë e kësaj historie tronditëse.

Po kjo nuk është e vetme. Në këtë gusht të 2012-s, vendi duket si një hapësirë, ku kronika e tragjedive të jep fatalisht shijen e një festivali të zymtë tragjedish reale. Askund nuk e ndesh këtë situatë dhe këtë intensitet tragjik ndodhish të pashembullta. Nuk e ngjet as në Malin e Zi, as në Kosovë, as në Maqedoninë që jeton në ngërçe të njohura të disekuilibrave bashkëjetuese mes shqiptarëve dhe maqedonasve, as në Greqinë e një rrënimi eskilian të ekonomisë dhe besimit ndaj klasës politike. Në disa prej këtyre vendeve, arsyet dhe premisat për tragjedi të rënda sociale dhe ekzistence janë edhe më të larta se në vendin tonë.

Një cikël vijues tragjedish të sojsojshme, i cili shkon me shprehjen tragjikja, tragjikes nuk i ngjan. Në këtë vazhdë të tmerrshme, nuk vlen e nevojitet listimi apo kronika e pasur e dëshmimit tmerrues së ndodhisë së tyre. Shoqërisë i nevojitet të ndiejë se ekziston ndjenja e dhimbjes dhe e dashurisë për jetën. Të dyja po ekspozohen të mungueshme në këtë vend, ku gjallon polemika dhe zhvillimi anarkik, në këtë vend ku asimetria krijon të vetmin kontrast shokues për këdo që vjen nga bota e referencave normale të dallimit mes së mirës dhe së keqes, së resë dhe së vjetrës, modernes dhe rinovimit, mes dritës dhe errësirës. Në këtë vend, dashuritë e mbara dhe divine të rinisë po eklipsohen prej lajmeve e kronikave të dashurive tragjike. Kjo është fryma më e keqe dhe e zymta më ndëshkuese, për një shoqëri në lëvizje. Eklipsimi i së mirës nga tragjeditë e shpeshta është akti që ekspozon pashmangshmërisht një krizë të brendshme të shpirtit dhe komunitetit, të institucionalizmit dhe të vetë shpirtit funksional të shoqërisë. Kjo bëhet edhe më trishtuese kur realisht kritika e qytetarëve të heshtur për raportet disavantazhuese mes të diturit dhe injorantit në strukturat e administratës publike, po bëhet edhe më e pëshpëritur. Ndjenja jonë kolektive duke u vrarë kaq përditshmërish, duket se po arrin në kuotat e tharjes së plotë. Kjo është më tragjikja ndër kësi tragjedish!

Në vend po debatohet dhe polemizohet për statujat dhe bustet e politikanëve në 100 vjet, por askush nuk kujtohet të ideojë një investim të gjurmshëm për ata burra që iluminuan popullin dhe gjithë kombësinë, për shtetkrijim. Askush nuk bën një detyrë nderuese për ata që dijësuan dhe ndërgjegjësuan shqiptarët e paditur. Shqipëria është i vetmi vend ballkanik që ka më pak monumente apo statuja poetësh, shkencëtarësh, artistësh dhe ideologësh, ndërkohë që jeton në vitet e ndryshimeve të vrullshme të emërtimeve të rrugëve nëpër qytetet e veta, të cilat krenarisht duhet thënë se disa prej tyre janë më të lashtë se shumë metropole të Europës. Qytetet tona prej dekadash nuk kanë më sheshe dhe parqe me pëllumba e zogj. Në këtë vend flora dhe fauna nuk fqinjëron më me njeriun. Folklori i tragjedive të rëndomta urbane dhe rurale, vijon të shndërrohet në zhargon triumfues për dallimin e rrugëve, godinave apo mjediseve në skajet e vendit. Degradimi shpirtëror është një vepër e tmerrshme dhe e ndyrë e këtij tranzicioni socio-shpirtëror, të cilën për shkak të oportuniteteve me palët qeverisëse, sociologët apo artikulantët e shumtë publikë, e injorojnë apo e shmangin së treguari me gjithë kapacitetin e drojës dhe vetëcensurës. Dhe pasoja për këtë, është pikërisht kjo krizë e tmerrshme dhe e rrezikshme, kriza e mosndierjes kolektive të shoqërisë. Situata të tilla, iluministët e mëdhenj i konsideronin paradhoma tragjedish kombëtare.

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama