Ndërsa në media po dalin dëshmi gjithnjë e më tronditëse që e lidhin masakrën e Gërdecit me trafiqe ilegale armësh të përqendruara në majën e shtetit, e gjithë propaganda berishiste është angazhuar ethshëm për të shpëtuar Kryeministrin Berisha nga një dorëheqje e pashmangshme. Po hidhen në qarkullim lloj-lloj pistash mbi shkaqet e tragjedisë për t‘u përdorur më pas si alibi në përpjekje për të lehtësuar disi pozitën e një qeverie që tashmë ka humbur çdo besueshmëri. Sharlatanë të politikës po përpiqen të shfrytëzojnë si strehë të fundit të një pushteti të korruptuar jo vetëm "patriotizmin" (këtë e kanë bërë edhe më parë), por madje edhe kufomat e të vrarëve. Dje, me këtë fushatë mashtruese u bashkua edhe vetë Kryeministri Berisha, që akuzoi përbindshëm gazetarët se po vallëzojnë me vdekjen kundër tij. Dhe çdo shqiptar i pafanatizuar apo blerë nga pushteti, ka shansin e hidhur të shikojë se deri në ç‘shkallë e rrëzon inteligjencën e këtyre njerëzve, lakmia e çmendur për pushtet e një njeriu dhe e klanit të tij, klan që ka nisur të skicohet në media me hijet e një mafieje të rrezikshme në kokën e shtetit.
***
Alibia e parë dhe më antinjerëzorja është thirrja që i drejtohet opozitës politike "për të mos luajtur me tragjedinë, të vrarët, të plagosurit dhe rrënimet e Gërdecit". Në mënyrën më kriminale të mundshme, shërbyesit e një qeverisjeje përgjegjëse për vrasjen e foshnjave, pleqve, grave, burrave, vajzave dhe djemve, e kërcënojnë opozitën, njerëzit, popullin që të mos protestojnë për këtë kob, që të mos kërkojnë dorëheqjen e Kryeministrit, të mos kërkojnë llogari maksimale për këtë hata të përgjakshme që si po del, ndodhi vetëm që Kryeministri i duarve të zhyera dhe klani i tij të pasurohen paligjshëm. E quajnë protestën kundër këtij krimi qeveritar "çnjerëzore", në një kohë kur e tillë është pikërisht kërkesa për të mbytur protestën kundër një qeverisje fajtore, sepse ka ushqyer trafiqet duke shfrytëzuar në mënyrën më makabre (termi i fundit është marrë nga fjalori i Berishës kundër gazetarëve) edhe fëmijë. Edhe një njeri i vetëm të kish humbur jetën në një tragjedi ku përgjegjësia është e qeverisë, Kryeministri duhet të kish dhënë dorëheqjen i vrarë në zemër nga fakti që qeverisja e tij u bë shkak i humbjes së jetës së një qytetari.
Kjo është etika evropiane, etika e NATO-s. Por jo e autoritaristit të pandreqshëm Berisha, që i rikthehet zakonit të vjetër për të kërcënuar gazetarët. Duket sikur bashkë me profesionin ky ish-doktor zemre ka humbur edhe zemrën e tij. Atij nuk i shfaqen në gjumë foshnjat e copëtuara dhe kufomat e të mjerëve që ndoshta ende dergjen të përbaltura nën gërmadha dhe rrebesh. E si mund të mos protestosh kundër këtij politikani të tmerrshëm që 18 vjet në krye të politikës e kanë lënë fare pa shpirt? Si mund të mos kërkosh të ikë një orë e më parë një Kryeministër që shfaqet i shndërruar në një makinë pa tru, që vetëm kalkulon intriga politike të programuara s‘dihet se ku? Si mund të mos kërkosh të largohet një Kryeministër që nuk vetëdorëhiqet sepse nuk ndien asnjë dhembje, asnjë përgjegjësi për viktimat?
***
Një alibi tjetër kriminale është ajo e akuzave mbi median. Vetë Berisha akuzoi dje mediat se po manipulojnë me fatkeqësinë e viktimave. Duke provuar se është po ai që ka qenë dhe është (siç edhe pohoi vetë), Berisha akuzoi përsëri gazetarët si mercenarë të mafies. Por nuk është faji i gazetarëve që në media po qarkullojnë përditë e më shumë pohime se ai vetë, Berisha, është në krye të një klani mafioz që merret me trafikun e armëve. Berisha shpifi në mënyrën më të turpshme se gazetarët po hidhnin valle mbi tragjedinë. Është njësoj si t‘i akuzosh gazetarët për kriminelë. Prandaj është një sulm kriminal. Në thelb ai është shprehje e tërbimit të Kryeministrit kundër së vërtetës që përcjellin gazetarët. Kjo e vërtetë e nxjerr atë si kryefajtor të një tragjedie që tronditi Shqipërinë dhe botën mbarë, dhe kryepërgjegjës të trafikut kriminal që është në rrënjë të tragjedisë së Gërdecit, madje dhe, me shumë gjasa, si një ndër përfituesit kryesorë nga këto trafiqe. Dhe duke mos mundur të fshehë një të vërtetë acaruese për të, Berisha ju turr me tërbim gazetarëve në mënyrë që të frikësojë gazetarët dhe të manipulojë të vërtetën. Për hipokrizi, Berisha shtoi se megjithatë, gazetarët do të mbeten të lirë. Ai foli si një autoritarist që ka në dorë licencën e lirisë për gazetarët dhe mediat.
Por gazetarët e vërtetë refuzojnë të jetojnë në një shtet ku është në dorën e Kryeministrit apo qeverisë, që të jenë apo të mos jenë të lirë. Asnjë politikan, asnjë gazetar nuk gëzohet dhe nuk ka vallëzuar mbi kufomat dhe gërmadhat e tragjedisë sikundër akuzoi Berisha. Madje as edhe vetë Berisha. Por trishtimi i tij duket se ka një përmbajtje tjetër. Sepse shpërthimi dhe viktimat që ai shkaktoi prishën tërë atë skemë mafioze trafikimi të ndërtuar mbi shfrytëzimin shtazarak të fëmijëve dhe varfërisë së njerëzve. Në themelet e përgjakura të kësaj skeme është firma e Kryeministrit. Protesta nuk shpërthen ngaqë opozita dëshiron të shfrytëzojë vdekjen, por nga revolta që Kryeministri Berisha nuk e llogarit edhe humbjen e jetës së qytetarëve para etjes së tij të çmendur për pushtet. Protesta lind nga që Kryeministri Berisha dhe shërbëtorët e tij po përdorin si aleat të zi të pushtetit vdekjen. Thuajse kanë bërë një gardh me trupat e të gjorëve të vdekur të Gërdecit dhe me to përpiqen të mbrojnë kolltukun e Kryeministrin, duke kërcënuar opozitën dhe median: Mos shfrytëzoni tragjedinë, mos shfrytëzoni vdekjen! Si mundet "në emër të të vdekurve" të kërcënohet opozita të mos kërkojë dorëheqjen e Kryeministrit pas një tragjedie të shkaktuar për faj të korruptimit të qeverisë dhe Kryeministrit? Kush e polli dhe kush po e shfrytëzon vdekjen në këtë rast?
***
Një tjetër alibi për të mbrojtur kolltukun e Berishës është ajo që e shpjegon tragjedinë si produkt të një sabotazhi. Disa fanatikë të qeverisë akuzuan deri edhe opozitën për zjarrvënie, ndërsa një diplomat anonim në Maqedoni u transmetua të ketë thënë se zjarrin e kanë vënë agjenturat fqinje. Po le të pranojmë për një moment se është kështu. Le të pranojmë tezën e çmendur berishiste se është opozita (shpallja e kundërshtarit politik armik i popullit është një konstante e përhershme e berishistëve) ajo që ka ndezur fitilin Gërdec. Le të pranojmë edhe versionin (plotësisht të mundshëm) të një sabotimi agjenturor. Por të dy këto skenarë nuk e lehtësojnë fare qeverinë, nuk e shkarkojnë nga përgjegjësia. Përkundrazi, shtojnë, madje nxisin, dyshime edhe më të rrezikshme rreth saj. Si në rastin e skenarit me "armik të brendshëm", ashtu edhe në atë me armik të jashtëm, pyetja që lind është: Po qeveria përse e grumbulloi gjithë atë municion në Gërdec? Përse ia kish bërë gati "serbit" atë mal me barut që vrau njerëz e shkretoi dynjanë? Nëse shkrepësen e ka vënë agjentura e huaj, përse qeveria i ka ofruar fitilin? Në këtë opsion pyetjet drejtuar Kryeministrit do të shkonin edhe më larg: A ka informuar shërbimi sekret shqiptar qeverinë për bombën që gatuhej në Gërdec, për trafikimin e municioneve, për shfrytëzimin sa shtazarak, aq dhe të rrezikshëm të fëmijëve? Nëse po, përse nuk ka reaguar Kryeministri? Mos vallë ngaqë interesat e trafikut të municioneve janë për të më të shenjta se jeta e qytetarëve? Por nëse shërbimet sekrete shqiptare nuk kanë informuar, mos vallë janë korruptuar nga ndonjë shërbim i huaj? Berisha, fol!
***
Një alibi tjetër e turpshme është edhe ajo që u referohet incidenteve të shkuara. Deputeti Besnik Mustafai përmendi rastin e përmbytjes vite më parë të një pjese të Tiranës nga hapja aksidentale e dyerve të digës së liqenit artificial. Megjithëse ngjarjet nuk kanë asnjë të krahasuar nga pasojat dhe nga mekanizmi që i shkaktoi (përmbytja nuk kish të bënte fare me ndonjë trafik ujërash dhe nuk shkaktoi të vdekur), Berisha në atë kohë kërkoi me forcë dorëheqjen e Ramës nga posti i kryebashkiakut. Dhe sot, deputeti Mustafai rreket të përdorë faktin që Rama nuk dha dorëheqjen dje, si një argument që edhe Berisha nuk duhet të japë dorëheqjen sot.
Episodi është një tjetër dëshmi sesa e degradon mendjen e njeriut etja për pushtet. Dëshira për të mbrojtur Berishën e bën Mustafain të barazojë të lagurit me djegien, ujin me zjarrin, përmbytjen e kateve të para, bodrumeve dhe dyqaneve, me vdekjen e njerëzve dhe rrafshimin e shtëpive. Por le të pranojmë se është pikërisht ashtu. Pyesim përsëri: Nëse Rama nuk e dha dorëheqjen që i kërkoi me të drejtë Berisha dje, mos vallë kjo duhet të shërbejë si alibi që Berisha të mos japë dorëheqjen kur këtë sot ia kërkon me të drejtë krejt opozita dhe shumica e popullit? A mund të lejohet që kur është në opozitë një politikan si Berisha ta shpallë dorëheqjen e një qeveritari kundërshtar drejtësi, dhe kur hipën në pushtet ta shpallë kërkesën e opozitës për dorëheqjen e tij si padrejtësi, madje si një krim dhe bashkëpunim me vdekjen? Kurrsesi! Kur një qeveri është fajtore për vdekjen e qytetarëve të vet, të thërrasësh poshtë qeveria (!), do të thotë të thërrasësh rroftë jeta!