Warning: preg_replace(): Unknown modifier '{' in /home/shqiperia/application/views/helpers/Fetchterms.php on line 13

Notice: compact(): Undefined variable: extras in /home/shqiperia/library/Zend/View/Helper/HeadLink.php on line 381

Sëmundjet e shtypit tonë: Fokusimi lokal dhe ikja nga problemet reale

Shkruar nga: Mustafa Nano  
Botuar më: 13 vite më parë

Mustafa Nano
Sëmundjet e shtypit tonë: Fokusimi lokal dhe ikja nga problemet reale

Besoj se jam një lexues shumë i vëmendshëm i shtypit shqiptar, e ndoshta për këtë shkak, një nga njerëzit më kritikë ndaj këtij shtypi. E sa herë që unë bëj ndonjë kritikë, del ndonjëri e më thotë: “Mund ta bësh ti një gazetë të përditshme më të mirë në këto rrethana, në të cilat jetojmë?” Nuk e di. Nuk kam një provë për ta demonstruar këtë (s’kam qenë asnjëherë kryeredaktor), e prandaj s’po u futem dënglave ‘pa doganë’.

Në të vërtetë, unë po bëj një gazetë, por ajo është online, dhe një gazetë online, sidomos kjo që po bëj unë me Zaloshnjën, e me do kolegë të tjerë, është shumë e ndryshme nga gazetat e printuara. Krahasimi pra s’mban, rrjedhimisht, në diskutimin që dua të bëj mbi gazetat “me letër të shtypur”, as që duhet llogaritur një gazetë online e këtij tipi.

Dy vëzhgimet më të shpeshta që i bëhen shtypit tonë janë të njohura: 1. Shtyp provincial; dhe 2. Shtyp që u ikën problemeve reale të vendit. Këto janë, sipas meje, kritika me shumë vend. Shtypi ynë është vërtet provincial, d.m.th është i fokusuar i tëri, ose pothuaj i tëri, në zhvillimet lokale, dhe sikur të mos jetë mjaft ky kusur, ky shtyp – vimë tek ceni i dytë – ndalet përciptazi tek këto zhvillime lokale. E për të ilustruar këto dy dukuri, nuk ka nevojë të futesh në bibliotekë e të marrësh dëngje me gazeta. Jo, mjaftojnë gazetat e ditës. Ose e shumta, gazetat e ditëve të fundit.

Më ka bërë përshtypje të veçantë që Konventa e republikanëve amerikanë, ku u formalizua kandidimi i Mitt Romney-t për postin e Presidentit, dhe e zëvendësit të tij, Paul Ryan, “nuk u vu re” nga të përditshmet shqiptare. Kjo Konventë ishte një nga ngjarjet më të rëndësishme të planetit, dhe si zor të gjendej gjatë 4-5 ditëve të fundit ndonjë gazetë që i thotë vetes gazetë që të mos fokusohej sadopak tek ajo që po ndodhte në Tampa, Florida.

E di, kjo heshtje mund të përligjet me idenë se “nuk ka interes në Tiranë”, por nuk është kështu. Sigurisht, interesi në Tiranë për ngjarje të tilla nuk është i barabartë dhe i ngjashëm me interesin në Londër, në Berlin, në Paris, ku anglezët, gjermanët, francezët, n’daçi për shkak të një tradite të informacionit, n’daçi për një mentalitet perandorak apo autoreferencial, n’daçi ngaqë ndihen përgjegjës për fatet e botës, kanë nevojë për këtë informacion, por edhe këtu tek ne ka interes që ç’ke me të. Mund të jetë një interes disi i ndryshëm, por është në thelb interes për të marrë vesh se çfarë po ndodh në SHBA e si po ecën fushata elektorale atje.

Gazetat shqiptare nuk kanë mundësi të kenë atje reporterët e tyre, por edhe nuk kanë pse t’i kenë. Një raport mbi atë ngjarje mund të ndërtohet fare kollaj pasi lexon shkrimet e ndryshme të të tjerëve që raportojnë prej andej. E mund të ndërtohet bazuar mbi llojin e interesit të këtushëm. Fjala vjen, ca fjalë mbi spektaklin që bëri në Tampa Clint Eastwood-i, dhe mbi jehonën që gjeti në shtypin amerikan e botëror ai spektakël, nuk do të ishin krejt të pagëlltitshme për lexuesit shqiptarë, të cilët i njohin dhëmbë e dhëmballë këtij aktori e regjisori. Por gati asnjë fjalë në shtypin tonë; ose e shumta, një raportim telegrafik, në një kohë që ajo ngjarje ish shumë ndjellëse në pikëpamje gazetareske. Po kështu, mund të flitej për ngjarje të tjera të Konventës (fjalimi i Paul Ryan-it, i bashkëshortes së Romney-t, i Romney-t vetë, etj, etj). Një gazetar që njeh sadopak anglishten e që ka një njohje minimale të politikës amerikane, do mund të ndërtonte alamet raportimi në këtë rast. Nga zyrat e redaksisë së vet, kuptohet.

Qasjen rigorozisht lokale – kjo është më e rëndë akoma – shtypi e demonstron edhe në “kurriz të qasjes patriotike”. Në shtypin e Tiranës flitet pak e keq për Kosovën. Në shtypin e Prishtinës flitet pak më shumë për zhvillimet në Tiranë, por flitet paradoksalisht edhe më keq. Dhe me ‘keq’ kam parasysh natyrën telegrafike, të thatë, të mërzitshme dhe përshkruese të një infomacioni të padobishëm që përcillet në lidhje të shkurtër nga zyrat e partive e të institucioneve në zyrat e redaksive të gazetave. Ndiqeni, nëse keni mundësi, se si shtypi ka mbuluar vizitën e Presidentit Bujar Nishani në Kosovë! Shtypi ka informuar mbi çdo lëvizje të Nishanit në Prishtinë, dhe sikur të mblidhen të gjitha këto shkrime mbi këtë vizitë ka për të dalë libri më banal i botës, ku bien në sy raportimet belbëzuese të tipit “Nishani shkoi atje, Nishani takoi atë. Nishani tha se …”, etj, etj.

Këtë bën rëndom shtypi i Tiranës e i Prishtinës, sa herë që bën sikur informon mbi Prishtinën e Tiranën. Është një shtyp që nuk fokusohet tek ngjarjet e vërteta të këtyre kryeqyteteve, që nuk bën asnjë përpjekje për të krijuar një tablo të plotë zhvillimesh e për të përcjellë një atmosferë të plotë e të mirë-dokumentuar të ngjarjeve. Sikur të mundnim, fjala vjen, të testonim informacionin që kanë lexuesit shqiptarë mbi ngjarjen “Atifete Jahjaga”, ka shumë gjasa që këta lexues të mos e dinë se si qëndron e vërteta, se pse ia kërkojnë dorëheqjen, se kush janë ata që ia kërkojnë këtë dorëheqje, se pse ajo nuk e jep, se kush janë ata që e mbështesin, etj, etj. Po kështu, pakkush do të rezultonte realisht i informuar mbi karfosjen interesante që dominoi për ditë të tëra debatin publik e politik të Prishtinës, atë midis Veton Surroit dhe ish-ambasadorit Dell (lexuesit e Shqipit, ku u publikua e plotë letra e publiçistit kosovar, janë të vetmit njerëz që e kanë një ide). Nuk është folur në gazetat e Tiranës mbi këto ngjarje? Është folur fare pak dhe shkel e shko. Është dhënë ndonjë fragment informacioni sa për të kaluar radhën, por raportimin që të bën të kesh një ide të plotë mbi këtë ‘fabul’ nuk e gjen në asnjë faqe gazete. Dhe ish një ‘fabul’ me plot detaje gazetareske, me plot keqkuptime e moskuptime, me luftë bërrylash e interesash personale, prej të cilave mund të dilje vetvetiu tek çështje të një natyre impersonale, siç janë ato të sjelljes së denjë e sovrane përballë të huajve, të marrëdhënieve Kosovë-SHBA, të marrëdhënieve politikanë-ambasadorë në botën shqiptare, etj, etj.

Po ceni i dytë? Për ta ilustruar atë ia vlen të ndalesh tek ndeshja mes Sali Berishës e Fatos Lubonjës. Shtypi e mbuloi në mënyrën më të pafalshme këtë ngjarje. Një pjesë informuan mbi sulmin e Kryeministrit, por u mjaftuan me kaq, në një kohë që kjo që ndodhi ishte një ngjarje, ku do duhej të ndaleshim të gjithë, për ditë të tëra. Pse? Së pari, sepse është sulmuar brutalisht një koleg, së dyti, sepse është sulmuar nga Kryeministri, së treti, sepse është sulmuar nga zyrat e qeverisë, së katërti, sepse ky sherr ka një back-ground të vetin (është sulmuar prej Kryeministrit një gazetar që dy vite më parë është shpallur, po prej tij, si ‘gazetar par excellence i qytetit’), së pesti, sepse është rasti për të folur mbi marrëdhëniet politikë-gazetari e pushtet-gazetari, së gjashti …

Mund të ketë dhe gjashtëdhjetë arsye pse do duhej folur mbi këtë çështje, por kjo tanimë është arkivuar. Ndonjë raportim i thatë, një koment, një i vetëm fare, ai i Mero Bazes (nuk doli asnjë opinionist tjetër ta thosh të vetën), një intervistë e ndrojtur e vetë Lubonjës, e dhënë në ngut e sipër, ndoshta me diktofon dhe asnjë prononcim tjetër. Për çfarë nuk është folur këto ditë në shtypin shqiptar, por për këtë debat nuk është kujtuar askush më.

Kjo është ajo që ndodh në shtypin shqiptar. Pothuaj gjithmonë.

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama