Warning: preg_replace(): Unknown modifier '{' in /home/shqiperia/application/views/helpers/Fetchterms.php on line 13

Notice: compact(): Undefined variable: extras in /home/shqiperia/library/Zend/View/Helper/HeadLink.php on line 381

Pacolli, mburojë e dyfishtë për Thaçin

Shkruar nga: Armand Shkullaku  
Botuar më: 13 vite më parë

Armand Shkullaku
Pacolli, mburojë e dyfishtë për Thaçin

Largimi i Behgjet Pacollit nga qeveria “Thaçi” mbetet lajmi politik më i lakuar në Kosovë. Kundërshtarët e politikanit milioner, disa nga parimi e shumë të tjerë nga mosshpërblimi, i kanë përqendruar të gjitha goditjet mbi figurën e tij, sidomos pas skandaleve me njohjet afrikane dhe dosjes së dyshimtë të hotel Grandit. Zërat që kërkojnë dorëheqjen e Pacollit janë shtuar, edhe brenda maxhorancës, duke e paraqitur zv.kryeministrin si problemin apo të keqen më të madhe të kësaj qeverisjeje. Vetë kryetari i AKR është një gjah i lehtë për kundërshtarët e tij dhe nuk është e vështirë të qëllosh në shenjë sa herë ai shfaqet në publik. Por këtë herë duket se goditjet janë intensifikuar, organizuar dhe drejtuar në atë mënyrë që Behgjet Pacollit të mos i lihen shumë zgjidhje. Ai pret që për fatin e tij të vendosë Kryeministri.

Ndërkohë, ngjarjet e tjera që po e shoqërojnë kryqëzatën ndaj Behgjet Pacollit të bëjnë të dyshosh se më shumë se sa ndëshkim për gafat e tij, zv.kryeministri i parë po bëhet kurban për vazhdimësinë e qetë të qeverisë dhe ruajtjen e autoritetit të Kryeministrit. Duke qenë tepër i ekspozuar me trashësinë e veprimeve të tij, Pacolli shërben si magnet për të tërhequr mbi vete sulmet kundër qeverisë, duke lënë kështu në hije dështime apo afera korruptive në sektorë të tjerë të qeverisjes. Është më e lehtë të gjuash një elefant, sesa një dhelpër. Në këtë kontekst, diskutimi për qeverisjen po reduktohet nga analiza e rezultateve konkrete në një perceptim se me ikjen e zv.kryeministrit problematik gjithçka mund të korrigjohet. E ky korrigjim do të ishte plotësisht i suksesshëm sikur vendin e AKR në qeveri ta merrte AAK.

Me lojën e dyfishtë të largimit të AKR nga qeveria dhe joshjes së AAK, Kryeministri Thaçi synon të realizojë disa objektiva. Në radhë të parë ai krijon idenë e përgjithshme se gjithçka që ka shkuar keq ka qenë për faj të koalicionit të detyruar, dhe jo lidershipit të tij. Gafat e zëvendësit, që normalisht janë edhe përgjegjësi e Kryeministrit, ai ia faturon indirekt personalitetit të Pacollit si individ, dhe jo qeverisjes së tij si filozofi. Pacolli po paraqitet si një ishull i veçuar brenda qeverisë “Thaçi”, ndërkohë që është pjesë e së njëjtës mënyrë të drejtimit të shtetit, përveç se e reflekton atë më shumë se kushdo tjetër.

Mosveprimi apo mosdeklarimi i Kryeministrit në raport me bëmat e zëvendësit të tij, dëshmon se ai është i interesuar ta mbajë sa më gjatë pezull këtë situatë që i konvenon: as ta largojë, por as ta mbrojë Behgjet Pacollin. Edhe kur thotë me gojë se koalicioni funksionon më së miri, me vepra lë të kuptohet se nuk e dëshiron vazhdimësinë e tij. Deklarata të deputetëve të PDK që kërkojnë dorëheqjen e Pacollit, mbledhja e Kryesisë për të diskutuar koalicionet e ardhshme apo flirtimi i hapur me AAK, forcojnë idenë se e keqja nuk është brenda PDK, por diku tjetër. Ky pozicion, ku Pacolli shërben si mburojë e dyfishtë, i konvenon më së miri Kryeministrit e prandaj ai nuk ka asnjë nxitim të ndërmarrë akte konkrete.

Me projektimin e idesë se gjithçka do të ndryshojë së shpejti, në fakt Kryeministri po blen kohë dhe qetësi për të mos ndryshuar asgjë. Madje më shumë se kaq. Duke lënë të kuptohet se një ditë të afërt koalicioni me AKR mund të prishet dhe qeveria do të riformatohet, Thaçi nuk kërkon thjesht të shkarkojë mbi shpinën e Pacollit barrën e përgjegjësisë për rezultatet e deritanishme. Kreu i PDK luan një lojë më të madhe politike që po i vë nën presion palët e tjera. Në radhë të parë ai eliminon ndonjë rebelim të mundshëm brenda PDK në një moment delikat kur pakënaqësitë po shtohen. Riformatimi i qeverisë u krijon pasiguri ministrave që janë dhe atyre që aspirojnë të bëhen nga PDK.

Po kështu edhe ministrat që vijnë nga Koalicioni Kosova e Re dhe që formalisht janë në drejtimin e Behgjet Pacollit, nëse këtij të fundit i rrëshqet këmba në greminë, do të kërcejnë në bregun e Thaçit për të ruajtur pozitat që kanë. Pala e tretë, e vënë nën presion pak nga pak, është partia e Ramush Haradinajt, që në pritje të rokadës me Pacollin ka ulur tempin opozitar, ka premtuar bashkëpunim në dialogun për Veriun dhe është përfshirë në ndarjen e posteve imagjinare ministrore duke rrezikuar kohezionin e brendshëm.

Prandaj politikani milioner është lënë si një gjah i pambrojtur në pyllin e politikës. Ai duhet gjuajtur, por jo asgjësuar. Për sa kohë të jetë kështu, Kryeministri ka hapësirën e nevojshme për të manovruar. Pacolli është viktimë e gafave të tij, por edhe kurbani i radhës i dashurisë hashimiane.

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama