Warning: preg_replace(): Unknown modifier '{' in /home/shqiperia/application/views/helpers/Fetchterms.php on line 13

Notice: compact(): Undefined variable: extras in /home/shqiperia/library/Zend/View/Helper/HeadLink.php on line 381

4 x 4

Shkruar nga: Edmond Tupja  
Botuar më: 13 vite më parë

Edmond Tupja
4 x 4

Bëjnë 16, do të përgjigjej, në fëmijërinë time, çdo fëmijë që do të ishte duke mësuar tabelën e shumëzimit, dhe mësuesja do ta përgëzonte: “Të lumtë!”. Sot, një përgjigje e tillë, sidomos në qytetin e Tiranës, ku, nëse nuk bie shi, ndotja mjedisore (pluhur, dioksid karboni, zhurma, plehra shtëpiake të hedhura natën nga dritaret etj., etj.) orvatet, me gjithë përpjekjet e dëshpëruara të autoriteteve përkatëse, të thyejë rekordet e vendosura nga po ajo vetë, pra, një përgjigje sipas së cilës 4 x 4 = 16, do të ishte, ndonëse e saktë matematikisht, jo vetëm e gabuar, por edhe cinike ekologjikisht.

E ndiej që ky arsyetim mund ta turbullojë, madje ta çorodisë lexuesin e vëmendshëm e të paanshëm të rubrikës sime të përjavshme: “Nuk e kam të qartë këtë lidhje që vendosni ju, zoti Tupja – mund të thotë ai – midis një veprimi të thjeshtë aritmetik, pra, një shumëzimi, dhe ekologjisë apo, më saktë, mbrojtjes së mjedisit në kryeqytetin tonë”.

Në këtë pikë jam i detyruar t’i vij sadopak në ndihmë lexuesit duke i kujtuar një lojë të thjeshtë që, në fëmijërinë time, por edhe më pas, më rastiste të luaja jo vetëm me shokët, por edhe në familje, kur prisnim me orë të tëra që të na vinin dritat, sidomos në dimër. E kam fjalën për lojën e kungulleshkave: Kam një kungulleshkë dhe e ndaj në dy pjesë! – Pse dy? – Po sa? – Tri!– Pse tri? – Po sa? etj., etj. Dhe tani po e vazhdoj këtë lojë me lexuesin tim, i cili, me siguri, më pyet, pra: Po sa? – Katër! – i them unë. – Pse katër? – më pyet ai. – Sepse, – i përgjigjem unë pa ma bërë tërr syri, – sepse katër herë katër bëjnë… – Gjashtëmbëdhjetë, – më ndërpret lexuesi, të cilit unë ia kthej gati paturpësisht: “Jo, 4 x 4 nuk bëjnë 16”. Dhe ja tek rrezikojmë ta rinisim nga e para arsyetimin që kall në kontradiktë aritmetikën dhe ekologjinë.
Për të diskutuar më seriozisht, po nxitoj t’i bëj të ditur lexuesit se sa bëjnë sipas mendimit tim modest deri në përulësi, 4 x 4:

4 x 4 do të thotë më shumë karburant i harxhuar se makinat e tjera më të vogla, më të thjeshta, më të ndrojtura, pra, më shumë ndotje të ajrit të Tiranës që thithin mëngjes, drekë e darkë kryeqytetasit, sidomos fëmijët dhe pleqtë me mushkëritë e tyre të drobitura (aq sa të vraposh në kodrinat rreth e përqark liqenit për të marrë ajër të pastër është thjesht e mjerisht një iluzion: le të hipë lexuesi në majë të malit të Dajtit, le t’i hedhë një vështrim Tiranës e do të bindet për këtë) dhe, për pasojë, më shumë të sëmurë me alergji, astmë, dispne, bronkit kronik, ndoshta edhe me disa lloje tumoresh etj., etj.

4 x 4 do të thotë më shumë kërcënim për biçiklistët dhe këmbësorët e pambrojtur qoftë edhe në vijat e bardha kur nuk ka semaforë, nganjëherë edhe kur ka të tillë, por nuk ka policë të qarkullimit rrugor.

4 x 4 do të thotë më shumë rëndim e çrregullim të trafikut tashmë jo rrallëherë problematik në Tiranë, ngaqë përmasat e 4 x 4 janë më të mëdha se ato të 1 x 1, 1 x 2 apo edhe 1 x 3.

4 x 4 do të thotë (sidomos kur janë të vjetra) më tepër zhurmë, d.m.th. ndotje zanore, më tepër shpejtësi, pra, më tepër forcë goditëse, çka të kujton paksa tanket apo autoblindat (që mund të të prishin gjumin, por që, edhe pse në kohë paqeje, ndonjëherë mund të të prishin edhe gjakun).
4 x 4 do të thotë ngushtim frymëzënës aspak frymëzues i  rrugëve e i rrugicave të Tiranës tashmë gjysmë të bllokuara në të dy anët nga makinat e parkuara shkujdesshëm.

4 x 4 do të thotë më tepër mundësi që të dëmtohen rrugët qytetëse, sepse ekuacioni 4 x 4 = ? fillimisht është konceptuar e ndërtuar për rrugët e vështira, madje, posaçërisht, për rrugët e pashtruara.

4 x 4 do të thotë… (këtu e ftoj lexuesin të shtojë, duke u nisur nga përvoja e tij, të tjera cilësi të rralla të ekuacionit 4 x 4 = ?).

Si përfundim, ndoshta nuk do të ishte keq sikur, të paktën në çdo fundjavë, ekuacioni në fjalë të mos u shtrohej për zgjidhje banorëve të kryeqytetit, aq më pak fëmijëve të cilët ende nuk e kanë mësuar tryezën e shumëzimit dhe të moshuarve që tashmë e kanë harruar atë.

Sa për ato dhe ata – në gjirin e tyre përfshij edhe veten –, mosha e të cilëve luhatet midis fëmijërisë dhe pleqërisë, uroj që të jenë në një mendje me mua kur këmbëngul, ashtu siç sapo e vërtetova, se 4 x 4 gjithçka mund të bëjnë, vetëm 16 jo! Të paktën nga pikëpamja e mbrojtjes së njeriut dhe të mjedisit ku ai përpiqet të jetojë…. Apo të mbijetojë?

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama