Çdo qytetari të Shqipërisë që viziton Kosovën do t‘i shtonte mendime dhe emocion përjetimi që qytetarët e saj i bëjnë çdo ngjarjeje në Shqipëri.
I gjendur përreth një javë në Kosovën e paspavarësisë, paraqitja ime mes miqsh që i njoh kaq vite, përballej me interesimin se si dhe pse ngjau tragjedia e Gërdecit. Shumica e bashkëshoqëruesve të mi në Prishtinë e Prizren, lehtësisht deduktonin se ngjarje të tilla tronditëse, kanë shumëfishuar dyshimet se ndodhin sa herë që në Kosovë ka një proces të rëndësishëm, ose një ngjarje të pritshme që konsiderohet eveniment kalendarik.
Nga ana tjetër, mua më bënte përshtypje, etja informuese që jo vetëm të njohurit e mi, por shumica absolute e qytetarëve të Kosovës, kanë për atë ç‘ka ndodh në Shqipëri. Parë me një sy të vëmendshëm, mund të thuhet se marrëdhënia psikologjike mes dy hapësirave shqiptare të ndara me "gardh administrativ", jo vetëm është bërë më intensive, por edhe më komplekse për t‘u shpjeguar thjeshtësisht.
Njerëzia mes dy vendeve të së njëjtit gen, po sfidojnë çdo ngathtësi të proces-monitoruesve dhe të institucioneve diplomatiko-institucionale. Kjo nuk është më një ndjenjë romantike kombëtare, por një e vërtetë imponuese dhe që buron prej një realiteti të krejt-ndryshuar.
Nëse dikush do të administronte maratonën e solidaritetit të qytetarëve të Kosovës me fatkeqësinë e ndodhur në fshatin Gërdec, atëherë do të shihej se distanca mes dy hapësirave të njëjta, por të dënuara administrativisht për fqinjërim, është shembur dhe vijon të shndërrohet në një realitet të ri rrjedhës.
Pikërisht ky proces, duket se qëllimisht nuk po bashkëshoqërohet nga qëndrimi realist i elitave politike dhe i udhëheqësive administrative të vendit. Natyrisht, nuk është fjala për një vrull romantik me të cilin duhet të pajiset administrata dhe elita jonë. Jo! Është fjala për një përqendrim serioz ndaj detyrimeve për përballimin dhe orientimin e kësaj rrjedhe, e cila pakthyeshmërisht do të krijojë në vitet e ardhëm një tjetër panoramë të komunikimit dhe shkëmbimit brendakombëtar. Ndërkohë që po kaq pakthyeshmërisht, në marrëdhëniet ndërshtetërore, do të imponojë specifika që nuk janë paraparë as nga e ashtuquajtura "paketë pavarësie" as nga largpamësia e diplomacisë sonë të matur.
Kjo sfidë mbart shtresat e veta dhe ka për të sjellë në kohë të afërt derivate të reja.
Eshtë fjala për atë etje ndërlidhjeje që brezat njerëzorë e shtuan përvuajtshëm në 100-vjetëshin e ndarjes barbare. Mungesa e infrastrukturës rrugore është tejet qesharake dhe po kaq e pamjaftueshme për t‘u përdorur si faktor përmbajtës në procesin e ndërlidhjes brendakombëtare. Kjo "digë qesharake", pra rruga fizike e pambaruar apo edhe e ndërvonuar, Tiranë-Prishtinë, në ditë të afërta ka për të qenë një çështje e kapërcyer befasueshëm. Iniciativat qytetare për arritjen e organicitetit në shkëmbim dhe komunikim, do të sfidojnë jo vetëm vanitetin institucional, jo vetëm veprimin e ashtuquajtur të matur të institucioneve ndërshtetërore këndej dhe matanë "gardhit", por do të bëjnë të mundur brenda një kohe të shkurtër, ndërtimin e imazhit të shpejtë për një treg kombëtar, për network-e shqiptarësh në fusha të ndryshme, si dhe do të bëjnë të shqueshëm investimin e një zinxhiri të ri vlerash bashkëkombëtare.
Ky projekt është i lexueshëm në sytë dhe mendjet e secilit qytetar që kontakton në Kosovë. Brenga, për vonesën, lidhet me vlerësimin që ata kanë dhe sidomos me kritikat që mbartin për kualitetin e administratës së shtetit amë, - siç e quajnë tashmë Shqipërinë dhe për atë që po merr përsipër administrimin e shtetit-bijë, siç e ndiejnë të jetë Kosova. Ky imazh, i krijuar aktualisht vetëm si siluetë, ka nevojë të formësohet si tërësi dhe si projekt për një hapësirë të rikompozuar si tërësi etnike dhe dasi administrative. Hija e këtij projekti dhe e këtij procesi që lexohet në vijueshmërinë e vet të afërt, natyrisht që shton dyshime dhe ndan grupe skeptikësh të ndryshëm nga të dy anët e "gardhit". Këto dallime, ende nuk janë bërë pjesë e një debati të fuqishëm elitash, si në Prishtinë, aq më tepër në Tiranë. Me sa duket droja për të mos shkelur mbi atribute të politikës, po mbetet ende në fuqi. Në këto kushte dhe në situata të tilla, të zhvillimit gjeo-kombëtar, partitë që shkëmbejnë përvojat e vlefshme të rotacioneve qeverisëse nuk ka pse të mbeten në kompleksin e artikulimit mbi ndërkombëtarët.
Segmenti i rrugës mbarëkombëtare Durrës-Prishtinë, nuk është më një çështje vetëmjaftuese për marrëdhëniet e brendshme politike të opozitës dhe pozitës së Shqipërisë. Ky projekt me shtat më të madh se gjithë pozitat dhe opozitat e tranzicionit postkomunist, ka për të qenë një kapital kombëtar i së sotmes dhe së ardhmes, prej të cilit përfitime do të kenë nismëtarët realizues dhe rencezentët financiarë të mënyrës se si u ndërmor zbatimi i tij.
Përafritë që shkakton ky proces mes dy anëve të "gardhit", paraprihen edhe prej aspekteve të tjera problemore. Më kot administratat shtirren sikur janë të dy vendeve që parim bazë në marrëdhënien e tyre, kanë partneritetin dhe reciprocitetin. Kjo është një hipokrizi që nuk e fsheh dot asnjë maturi diplomatike dhe e imponuar. Regjimi i ri që po instalohet në Kosovë është seriozisht delikat dhe meriton të asistohet nga përvoja e ekspertëve të investuar nga shteti 100-vjeçar. Janë mjaft sektorë, në të cilët mund të afrohet kontributi shkëmbyes, siç është, së pari, lufta kundër krimit, përmes shkëmbimeve të grup-ekspertëve dhe grup-praktikantëve antikrim. Më duket shumë herë më e kurajshme qeveria e Kosovës, kur për rastin e kontributit humanitar në Gërdec dërgoi njësi të Trupave Mbrojtëse të Kosovës. Më duket e vonuar strategjia për bashkinvestim dhe ndërshkëmbim në fushë të arsimit dhe në veçanti për ngritjen e instituteve shkencore të kërkimit dhe zbulimit. Në këtë aspekt prej vitesh ne duhet ta kapërcenim shembullin e shtetit të diktaturës në vitet ‘60-‘75. Për këtë nevojë jetike kombëtare nuk lypen as politika të autorizuara e as verifikime ideologjiko-politike, por vetëm ecejake dhe financime konkrete.
Strategjia e integrimeve tona, duhet imediatisht ta përfshijë situatën e re që paraqet integrimi brendakombëtar. Madje, kjo strategji në epiqendër të vet duhet të ketë imazhin dhe vizionin e integrimit që paraprin integrimet. Në këtë mënyrë, shqiptarët dhe institucionet e tyre në hapësirë, do të mund të fitojnë aftësinë për t‘u lexuar dhe për të dhënë imazhin e qëndrueshmërisë, në kohë të re dhe në kohë të ardhme. Merita naciointegrues që ka media shqiptare e Shqipërisë, është një shembull që prej shoqërisë së Kosovës, vlerësohet pozitivisht dhe njëzëri. Atributet që merr në këtë funksionim media e Tiranës, janë shumë herë më të vlefshme dhe më kontribuuese se kritikat që adreson një politikan i rotacionit qeverisës.