Warning: preg_replace(): Unknown modifier '{' in /home/shqiperia/application/views/helpers/Fetchterms.php on line 13

Notice: compact(): Undefined variable: extras in /home/shqiperia/library/Zend/View/Helper/HeadLink.php on line 381

Vetëm matja e audiencës ndan shapin nga sheqeri në tregun televiziv

Shkruar nga: Mustafa Nano  
Botuar më: 13 vite më parë

Mustafa Nano
Vetëm matja e audiencës ndan shapin nga sheqeri në tregun televiziv

Tregu televiziv është nga të paktat tregje në Shqipëri, ku bie në sy një garë e mirëfilltë mes operatorëve. Është një garë shumë larg të përsosurës, e deformuar prej ndërhyrjeve në treg, e shpesh pa rregulla (ja, shihni se ç’ka ndodhur me financimin qeveritar të një numri mediash), por është një garë më e mirë sesa në sektorë të tjerë të ekonomisë.

Një mjedis i tillë gare do duhej të shoqërohej në mënyrë automatike dhe me rritjen e cilësisë së shërbimeve që ofrohen në këtë treg (kryesisht show dhe informacion), por nuk është domosdoshmërisht kështu. Tregu mediatik është një treg sui generis. Rrjedhimisht, dhe mallrat e shërbimet që ofrohen prej këtij tregu janë gjithashtu sui generis.

Në planin e spektaklit televiziv, cilësia është rritur që ç’ke me të (falë dhe zhvillimeve e aplikimeve teknologjike). Disa ekrane tonat ke qejf t’i shohësh për nga cilësia e figurës, truku regjisorial, luksi, skenografia, dritat e ndriçimi, drejtimi i programeve etj., etj (shihni në “Top Channel”, fjala vjen, “The Voice of Albania” që sapo ka nisur edicionin e dytë të vetin; është një spektakël televiziv shumë i arrirë). Por për sa i takon informacionit, diskutimi bëhet shumë kompleks. Informacioni (këtu po fus dhe programet e tipit talk show) është një shërbim shumë delikat, dhe për ofrimin e këtij shërbimi nuk mjaftojnë investimet, sado të mëdha të jenë. Investimet ndihmojnë, por nuk mjaftojnë.

Në këtë mes ka vend, dhe nevojë, për një debat mes gazetarësh e profesionistësh të fushës që do duhej të synonte shkurajimin e qasjeve propagandistike e partizane (sidomos në fushën e lajmeve), por përtej e përveç këtij debati, që mund të shoqërohet e pasohet me ndërhyrje të natyrës ligjore, ka dhe një mjet tjetër që mund të ndihmojë më shumë. Është fjala për një mjet të natyrës teknike: Matja e audiencës.

Mund të duket paradoksale kjo që thashë, por e gjitha e ka, sipas meje, një logjikë. Matja e audiencës kanalizon e disiplinon fluksin e reklamave, dhe ky fluks nga ana e vet krijon një rating të programeve mbi bazën e shikueshmërisë, e cila është – edhe pse në një numër rastesh pa të drejtë – indikatori më i saktë i suksesit të një programi apo të një televizioni. Kjo është e vërtetë në mënyrë të veçantë në botën e informacionit, apo në fushën e programeve talk show, ku njerëzit supozohet se nuk ta falin qasjen jo korrekte e propagandistike në favor të një partie.

Mirëpo ne as që e kemi një ide mbi shikueshmërinë e edicioneve informative e të debateve televizive që bëhen në Tiranë. Mund të kemi një perceptim të përgjithshëm bazuar te shijet tona individuale, apo tek ajo që shohim të ndodhë përreth, por ky është thjesht një perceptim. E megjithatë, deri më sot ka qenë ky perceptim që ka përcaktuar e dekretuar suksesin në tregun televiziv; është ky perceptim që na thotë se njerëzit ndjekin më shumë lajmet e “Top Channel”-it, “Vizion Plusit”, T”v Klanit”, “News 24”-s, “Ora News”-it, ABC-së, TVSH-së etj., etj.

Nuk është çudi që perceptimi të jetë i saktë, por nuk duhet të harrojmë se në rastin tonë perceptimi i përgjithshëm nuk është thjesht një ndjesi e përgjithshme “e pafajshme”. Këtu hyjnë në lojë dhe operacione të ndryshme që bëhen në lëmin e marketingut e marifete të tjera me imazhin. Fjala vjen, në opinionin që ne kemi për “Opinionin” e Fevziut, duam s’duam ne, ndikon dhe makina e marketingut të “TV Klanit”, që foton e moderatorit e nxjerr në rrugët e Shqipërisë, apo që në përvjetorët e lindjes së këtij programi organizon festa në stil faraonik. Mirëpo, ky fakt nuk është e thënë të jetë audiencë; ai thjesht krijon imazh. Dimë se praktika e teknika të tilla nuk ta ulin audiencën (s’ka pse), por nuk dimë nëse e ngrenë.

Po në ç’masë ndiqet realisht “Opinioni”? Po “Top Story”? Po të tjerët? Po lajmet e këtyre televizioneve? Po Berisha – kur është i ftuar në këto programe – sa ndiqet? Po Rama? Po Topalli? Këtë askush nuk e di. Bëhen sondazhe herë pas here, por të dhënat e tyre janë sporadike (ndërsa sondazhet që bëjnë në rrugë telefonike vetë televizionet mbi shikueshmërinë e programeve që ato prodhojnë e transmetojnë janë një pesë me hiç). E në këto rrethana drejtuesit e programeve e të televizioneve, por dhe të tjerët, d.m.th ne që i ndjekim, politikanët që besojnë në impaktin e tyre, kompanitë e bizneset që i mbajnë me sponsorizime e me paketa publicitare, jetojnë në një botë mirazhesh e sendërgjish.

Duhet matur audienca. Vetëm kjo gjë do na tregojë se sa vlen njëri e sa vlen tjetri. Dhe mbi bazën e kësaj, do të bëhet dhe shpërndarja e fondit të parave që harxhohen për promovimin e mallrave e shërbimeve nga kompanitë e biznesit. Sot mund ta shohësh CEZ-in, Vodafonin, AMC-në, etj, etj, që financojnë televizione e programe TV me një logjikë kamerateske e shkapërdarë që s’ka lidhje me aritmetikën e tregut (janë me qindra bizneset private tonat që do ta kishin bërë të luante mendsh Adam Smithin me mënyrën e si i harxhojnë paratë për të financuar mbeturina mediatike), por këtë gjë e bëjnë në kushtet kur nuk matet audienca e kur nuk dihet me saktësi se sa ndiqet njëri apo tjetri. Por në momentin që kjo gjë dihet, atëherë emri i këtyre kompanive, apo kompanive të tjera, si financuese të programeve që nuk shihen do të bjerë në sy, e do të ketë njerëz që do kërkojnë një shpjegim se pse financohet një edicion lajmesh, të cilin nuk e sheh askush (ngaqë lajmet zgjidhen për të bërë qoka).

Pikërisht mbi këtë bazë do të lindë një konkurrencë e shëndetshme. Programet që s’vlejnë do të mbyllen vetvetiu; programet që vlejnë sadopak do të synojnë të bëhen simpatike në sytë e publikut, dhe një nga rrugët për t’u bërë simpatik në këtë drejtim është të heqësh dorë nga propaganda vulgare në favor të një partie, apo në favor të pushtetit (kjo vlen për edicionet e lajmeve), apo të heqësh dorë nga debatet, që suksesin (kujtojnë se) e garantojnë nga emrat e rëndësishëm të të ftuarve e nga retorika e dhunshme që këta të ftuar i hedhin në fytyrë sho-shoqit.

Nëse nuk matet audienca askujt nuk i shkon mendja të ndryshojë ndonjë gjë. E pse do duhej ta bënin? Nuk kanë asnjë motiv të ndryshojnë.

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama