Warning: preg_replace(): Unknown modifier '{' in /home/shqiperia/application/views/helpers/Fetchterms.php on line 13

Notice: compact(): Undefined variable: extras in /home/shqiperia/library/Zend/View/Helper/HeadLink.php on line 381

Greqia po ecën drejt riballkananizimit të vet

Shkruar nga: Mustafa Nano  
Botuar më: 13 vite më parë

Mustafa Nano
Greqia po ecën drejt riballkananizimit të vet

Greqia është një vend anëtar i BE-së prej vitit 1981 dhe këto 30 vite e kusur që ka kaluar si banor në lagjen europiane nuk duket se kanë ndikuar kushedi se çfarë për të bërë zhballkanizimin e këtij vendi.

Vitet e fundit është marrë vesh se ‘suksesi grek’ ka qenë një gënjim i madh. Sigurisht, ndihmat e Brukselit dhanë për vite me radhë disa frute ekonomikisht, por kriza e fundit bëri copë e çikë çdo pretendim për arritje edhe në këtë plan. Grekëve po u kërkohet – si kusht që të qëndrojnë në zonën euro – që ta shtrëngojnë rripin e t’i rikthehen një standardi më të ulët jetese e një jete jo shkapërdare.

Kriza ekonomike, që është më së pari një krizë made in Greece, na bëri të marrim vesh se problemi me këtë vend nuk është vetëm e thjesht ekonomik. Nuk është puna pra te çalltisja dhe konsensusi transversal për të trukuar financat kombëtare (gjë që ka lënë pa mend që të gjithë), por edhe tek ca dukuri greke që nuk para kishin lidhje me Europën e Bashkuar e që janë injoruar e toleruar, megjithatë, prej kësaj të fundit. Greqia është njohur për korrupsionin e hatashëm, për burokracinë e ngathët, për administratën e ngritur me merakun për të shpërblyer militantët, për klientelizmin politik, për lidhjet e shkurtra politikë-biznes e politikë-media, për sistemin e korruptuar të drejtësisë, e në përgjithësi për një sistem të tërë qeverisjeje aspak eficient e funksional. Sikur Greqia të mos ish pjesë e BE-së, ajo do të hiqte shumë në ditët e sotme për t’u anëtarësuar, ashtu siç po heqin vendet e Ballkanit Perëndimor. Ajo është në një situatë, ku demokracia e shteti ligjor të ngjajnë jo me realitete të njohura, por me objektiva për t’u arritur.

Dëshmi të kësaj situate janë dhënë herë pas here, por një dëshmi spektakolare është dhënë para dy ditësh, kur me një urdhër arresti të lëshuar nga një Gjykatë e Athinës është arrestuar gazetari Kostas Vaksevanis, i cili ka prishur një pakt heshtjeje në nomenklaturën sunduese në Greqi, dhe ka publikuar një listë të mbi dy mijë personave, personazheve e personaliteteve të atjeshme, që kanë llogari të fshehta bankare në Zvicër, e që sipas shumë gjasash janë evazorë fiskalë. Fabula tanimë është marrë vesh, por ia vlen ta sintetizosh: “Kjo listë qytetarësh grekë që kanë llogari të majme bankare në Zvicër ekziston prej gati dy vjetësh. Ka qenë përpiluar me iniciativën e ish-ministres franceze të Financave, Christine Lagarde, që sot është shefe e Fondit Monetar Ndërkombëtar. Kjo e fundit ua ka dorëzuar këtë listë në vitin 2010 autoriteteve greke. Në të bënin pjesë saktësisht 2059 vetë, dhe kërkesa e Lagarde-it ka qenë e qartë: Duhet të hetohej mbi këto llogari bankare. Asgjë nuk është bërë qysh prej atij momenti. Përkundrazi, lista është fshehur, dhe tani ‘zyrtarisht’ nuk gjendet, ndërsa autoritetet kanë synuar, dhe duhet thënë se ia kanë dalë, ta ‘minimizojnë, e ta zhbëjnë këtë çështje’ me idenë se ‘këto të dhëna ishin marrë në rrugë jo ligjore’ e për këtë arsye nuk mund të përdoreshin kundër këtyre personave të dyshuar si evazorë e të korruptuar. Shumëkush po mendonte se kjo histori kaloi në kalendat e famshme greke, por ka qenë gazetari Kostas Vaksevanis që e ka ngacmuar plagën që kish vënë guall. Ai e ka shtënë në dorë këtë listë, dhe e ka publikuar në revistën që drejton, me titullin sugjestiv “Hot Doc”. Nomenklatura sunduese është aktivizuar e mobilizuar njëherësh e si një trup i vetëm. Janë gjetur do prokurorë që kanë ngritur padinë mbi dhunimin e privacy-së së 2059 qytetarëve, do gjyqtarë që kanë lëshuar urdhër arrestin për gazetarin ‘mistrec’, dhe më shumë se një duzinë policësh që kanë shkuar t’i vënë prangat në shtëpinë e vet.”

Kjo është e gjitha. Nën një vështrim tepër pedant, që nuk lë pa futur në konin e vet të tëra çikërrimat e botës, mund të mbajë e ngjisë edhe pretendimi se arrestimi i tij është në respekt të rregullave, normave e ligjeve në një shtet ligjor. Por nën një vështrim të thellë, që kërkon të depërtojë deri në thelbin e problemit, merret vesh se kemi të bëjmë me një maskaradë e me një escamotage regjimesh. Institucionet greke të hetimit e të gjykimit do të duhej të kërkonin ata që kanë përgjegjësi për faktin që kjo listë kish humbur e për faktin që mbi personat e përfshirë në këtë listë nuk është hetuar, por ato e kanë gjetur fët e fët shfajësimin dhe alibinë për mosveprimin e tyre: kjo listë është siguruar në rrugë jo ligjore. Dhe kështu, për asnjë prej 2059 vetave të dyshuar për grumbullim pasurie të paligjshme, për fshehje të kësaj pasurie e për shmangie të detyrimeve fiskale nuk është hapur ndonjë dosje e nuk është ngritur një padi. Madje, nuk është bërë e mundur as të hapet një debat publik. Dhe e bukura është se të njëjtat institucione që kanë dashur t’i vënë drynin kësaj çështjeje, janë vënë në lëvizje si me magji kundër një qytetari të vetëm, gazetar, që ka guxuar të publikojë këtë listë, dhe e kanë arrestuar. Të vjen të pyesësh në këto rrethana, nëse mjaftojnë zgjedhjet e herëpashershme për t’u dhënë legjitimitet e për t’u njohur sovranitetin këtyre pushteteve e institucioneve kushtetuese e jo kushtetuese që, ndërsa nuk bëhen të gjalla për dy vjet me radhë përballë një vepre të supozuar penale të 2059 vetave me pushtet e ndikim, s’e kanë për gjë të arrestojnë aty për aty një qytetar të vetëm që denoncon këtë heshtje dyvjeçare e që publikon listën në fjalë?

E di, kjo është një pyetje tinëzare, që synon të hedhë dyshim mbi të vetmen instancë që vesh me legjitimitet strukturat e një shteti, d.m.th. mbi zgjedhjet e lira e të ndershme, por pyetja të vjen në mendje vetvetiu. Ashtu siç të vjen dhe pyetja tjetër: A ka kuptim që të arrestohet e dënohet një gazetar që publikon një listë pjesëtarësh të nomenklaturës më të korruptuar e më të papërgjegjshme në kontinent (po të mos ish kështu, Greqia nuk do ish zhytur në këtë krizë të pashoqe), në një kohë që nuk është ndaluar e gjykuar asnjë prej atyre që trukuan shifrat e financave greke e që prodhuan me këtë, jo vetëm krizën e madhe në vendin e tyre, por edhe krizën e gjithë Europës?

Ndodh shpesh që demokracitë e paarrira ta përdorin gjithë korpusin ligjor e institucional si një pancir të nomenklaturës sunduese, dhe dënimin e qytetarëve të pafajshëm/të guximshëm si provë të funksionimit të sistemit. Kjo që ndodhi këto ditë në Greqi me gazetarin Kostas Vaksevanis është prova e n-të e faktit që Greqia është një demokraci e papjekur, jofunksionale, e korruptuar dhe iliberale. Grekët tentuan ta rrëzonin me votë rendin e vjetër të gjërave (në zgjedhjet e fundit u penalizuan fort dy partitë e mëdha), por rezultatet nuk po vijnë. Përkundrazi, e vetmja gjë që nuk është prekur nga vota është pikërisht rendi i vjetër i gjërave. Dhe punët janë duke shkuar më keq se sa kanë qenë. Greqia, nën hyqmin e një establishmenti tërësisht të korruptuar, po riballkanizohet me shpejtësi.

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama