Marrosja e zonjës Del Ponte
Botuar te gazeta Panorama
Në 3 prillit të këtij viti pritet të dalë në treg prej shtëpisë botuese Feltrinelli libri i Carla Del Pontes “Gjuetia: unë dhe kriminelët e luftës (La caccia - Io e i criminali di Guerra). Zonja del Ponte nuk i shpëtoi dot tundimit për të ngelur e famshme dhe për të vazhduar që të qëndrojë në qendër të vëmendjes kësaj radhe duke shitur e firmosur një libër shumë të debatueshëm. Tashmë janë bërë publike prej saj pjesë të këtij libri dhe ajo që më së shumti ka tronditur opinionin publik është akuza se prej disa burimeve të “besueshme” Ushtria Çlirimtare e Kosovës ka marrë peng mbi 300 serbë të Kosovës e i ka transportuar me makina nëpërmjet Kukësit e Tropojës në Burrel, në një shtëpi të verdhë diku tek 20 kilometra në jug. Në Burrel janë futur nëpër disa laboratorë ku para se këta serbë të vriteshin iu janë marrë organet e trupit dhe nëpërmjet Rinasit janë trafikuar në vende perëndimore. Skenar ky që Stephan King apo Alfred Hitchcock do e kishin pasur zili, por që për këdo që e njeh Shqipërinë, Kosovën dhe rrethanat e asaj kohe përbën padyshim një fyerje të inteligjencës.
Kjo çështja e trafikut të organeve, duke qenë e llahtarshme kuptohet që tërheq lehtësisht vëmendje dhe jo rastësisht Del Ponte ka përzgjedhur këtë pjesë për t’ia rrëfyer publikut para se ta publikojë librin. Një taktikë marketingu për librin e saj më të vërtetë e qëlluar. Trafiku i organeve në vetvete është një mit urban që mbillet dhe lulëzon lehtë në një vend fertil me injorancë e përhapet lehtë nëpër shoqëri ku mbizotëron kultura e thashethemeve. Ky mit urban u përhap disa vite më parë në Shqipëri sidomos nga disa organizata që në letra konsiderohen jofitimprurëse, por që në fakt janë më se grabitqare të cilat për të siguruar donacione nga jashtë sajonin probleme të mprehta të këtij lloji që me zhurmën e madhe që bëjnë tërhiqnin vëmendjen e fondacioneve apo qeverive të huaja. Madje asokohe një çështje e tillë, që në realitet mund të demistifikohet lehtë, zuri faqet e shtypit të Tiranës dhe zaptoi madje reportazhe të tëra të televizioneve që hamendësonin praninë e laboratorëve sekret në Fier a gjetiu tjetër. Sikur këto laboratorë të ishin varreza makinash ku klientët të venë e të bëjnë pazar kur të kenë nevojë duke blerë një organ të një “makine” për ta transplantuar tek “makina” e tyre si të ishte organi kollodok apo pasqyrë e përdorur.
Ekspertiza e autorit të këtij artikulli për mjekësinë në fakt avitet maksimumi tek përdorimi i leukoplastit apo paracetamolit, por disa gjera lidhur me trafikimin e organeve thjeshtë nuk shkojnë mbarë me një arsye të shëndoshë dhe mund të demistifikohen lehtë po të kërkohet sadopak informacion elementar për transplantimet e organeve nëpërmjet një shëtitje nëpër google.
Shqipëria e asaj kohe ka qenë në qendër të vëmendjes ndërkombëtare e tejmbushur jo vetëm me spiunë të gjithfarë flamujve, por edhe me gazetarë apo aktivistë të shoqërisë civile dhe një aktivitet i tillë nuk kishte sesi të mos binte në sy. Rrugët e Verilindjes së Republikës së Shqipërisë janë aq të këqija sa edhe dhia zbret prej tyre me frena dore, e jo më të mos bien në sy kamionë të tërë të mbushur me 300 robër serb që shkojnë drejt Burrelit. Kuptohet që një organ njeriu nuk është si floppy disc që e nxjerr nga një kompjuter e ia fut tjetrit. Për ta nxjerrë organin kërkohen klinika shumë moderne dhe mjekë shumë të përgatitur ndërkohë që dihet se një pjesë e mirë e qytetarëve të Burrelit zbresin në Tiranë edhe për mbushjen e dhëmballëve. Vetë transplantimi i parë zyrtar për herë të parë në Shqipëri si proces është bërë vitin e kaluar me ndihmën mjekëve dhe aparateve të marra nga Italia ndërkohë që transplantimi i parë në Botë është bërë në Boston në 1954.
Organi duhet të transportohet prej dhuruesit tek pacienti që ka nevojë brenda pak orësh e prandaj në vendet e zhvilluara ekziston një rrjet i sofistikuar me banka moderne me të dhëna për pacientët dhe me një sistem të përsosur logjistik transporti me helikopterë, ambulance apo avionë specialë që koordinohen nga qendra të specializuara. Pak pasi hiqet organi prej donatorit, zbrazet prej gjakut me një solucion special të ftohtë dhe vendoset në enë sterile të paketuara me akull dhe niset menjëherë për tek pacienti sa më shpejtë që të jetë e mundur. Zemrat dhe mushkëritë duhet të transportohen brenda katër orëve pas nxjerrjes prej donatorit, mëlçia mund të durojë 12-18 orë, pankreasi 8-12 orë e kështu me radhë. Si mund të mos ketë rënë në sy në aeroportin e Rinasi që gjatë asaj kohe ishte në monitorimin ose kishte prani të bollshme të NATO-s?
Madje në vendet e zhvilluara ekziston gjithashtu një sistem tejet i koklavitur i cili shqyrton përputhshmërinë e organeve të dhuruara me pacientët në nevojë duke studiuar nëse përkon grupi i gjakut, nëse përputhen indet, si janë përmasat e organeve apo aspekte të tjera të hollësishme midis donatorit dhe pacientit për të garantuar shpërndarjen sa më efikase dhe të suksesshme të organeve që vihen në dispozicion. Organet nuk janë si diamantet e Afrikës që i fsheh ku të duash dhe i shet kur të teket. As që mund të mendohet të ketë pasur një sistem të tillë kaq të ndërlikuar dhe njëherazi të fshehtë në Shqipëri kur dihet që ne kemi vështirësi për të ndërmarrë operacione të tilla të ngjashme mjekësore ndërkombëtare edhe me gjithë infrastrukturën e shtetit në dispozicion. Mjafton të përmendet rasti i dhimbshëm i humbjes së personalitetit të shquar Gramoz Pashko për të cilin maksimumi i mjeteve shtetërore u vunë në dispozicion për të kuptuar pamundësinë teknike të vendit tonë.
Pastaj vetë numri i madh i individëve të përfshirë e bën qesharake këtë pretendim. Ku i bie të ketë shkuar gjithë ky bollëk organesh pa lënë gjurmë e ngjallur dyshim kur për shembull gjatë vitit 2000 në gjithë Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë bërë gjithsej 956 transplantime mushkërie dhe 2198 transplantime zemre? Aq i ekzagjeruar dhe joracional është ky pretendim për trafikun e organeve sa i paraqitur në këtë mënyrë vetë del Ponte bën autogol pasi vetëm trushkulurit mund të besojnë këto pallavra të pabaza.
Kjo marrosje e del Pontes të trondit për marazin antishqiptar që paska kultivuar kjo zonjë e që vë shumë në dyshim paanshmërinë dhe objektivitetin e veprimtarisë së saj si prokurore në gjykatën e Hagës kur është bërë fjalë krimet e Kosovës. Lajthitja shembullore që paraqet besimi i saj në këto fakte detyrimisht nuk dëshmon për një koeficient të lartë inteligjence. Ky shkrimi i saji dëshmon për më tepër për mungesën e informacionit apo për një njohje të kufizuar të rrethanave të luftës së Kosovës. Në këtë libër ajo përpiqet ti mbush mendjen publikut që UÇK-ja paska pasur një sistem logjistik kaq të sofistikuar sa të shes nëpër botë organe njerëzish ndërkohë që një ndër sfidat kryesore të luftëtarëve ka qenë furnizimi me armë e municion nga Shqipëria për në Kosovë. Ky transport bëhej me njëmijë e një mundime, në kushte nga më primitivet duke u transportuar shpesh nëpër çanta shpine të rrezikuar nga pusitë e ushtrisë serbe e nga minat, dhe nëpër një kalvar aq të gjatë e të lodhshëm (protagonistët e këtyre misioneve dëshmojnë se vetëm për të kaluar bjeshkët e Pashtrikut nevojiteshin mbi 16 orë marshim) sa kur kallashi kinez i ushtrisë shqiptare mbërrinte në zonën operative të Llapit apo Drenicës ishte ndryshkur.
Ky libër i del Pontes me këto fakte kaq të pagëlltitshme të shkruara prej saj me të vërtetë ngre pikëpyetje të mëdha për objektivitetin, profesionalitetin dhe efikasitetin e veprimtarisë së Gjykatës së Hagës për Krimet e Luftës në Ish Jugosllavi. Në mënyrë të veçantë dëshmia e pretenduar prej saj për trafik organesh të bërë nga shqiptarët është një teknikë e ndyrë marketingu. Tingëllon sikur të jetë bërë enkas për përfitime dhe famë personale duke instrumentalizuar një tragjedi sikurse ka qenë lufta e Kosovës, duke spekuluar me një mit urban që siç ndodh zakonisht me enët boshe bën tepër zhurmë, si dhe duke nëpërkëmbur dhimbjen dhe emocionet e shumë njerëzve që kanë humbur të dashurit e tyre në atë luftë. Botimi i kësilloj shpifjeje meriton jo vetëm përbuzjen publike por edhe qëndrime zyrtare nga qeveria e Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Kosovës që kurrsesi nuk mund të rijnë duarkryq përpara kësaj përbaltje.