Warning: preg_replace(): Unknown modifier '{' in /home/shqiperia/application/views/helpers/Fetchterms.php on line 13

Notice: compact(): Undefined variable: extras in /home/shqiperia/library/Zend/View/Helper/HeadLink.php on line 381

Ku e kane zanafillen vrasjet me tritol

Shkruar nga: Adri Nurellari  
Botuar më: 11 vite më parë

Adri Nurellari
Ku e kane zanafillen vrasjet me tritol

Në qendër të vëmendjes së opinionit publik në këtë periudhë ka qenë padyshim shtimi i rasteve të vrasjeve makabre me shpërthime tritoli. Mund të thuhet se rritja e kriminalitetit e ka origjinën tek një larmi faktorësh, duke përfshirë këtu edhe përgjegjësi kulturore që lidhen me mangësi në sistemin tonë arsimor dhe me mentalitetin e trashëguar. Një pjesë e shoqërisë me të drejtë e vë gishtin e përgjegjësisë edhe te policia dhe Ministria e Rendit. Një ndër faktorët shkaktarë është ndryshimi i punonjësve të rendit pas rotacionit, gjë që ka zvogëluar zbulueshmërinë e krimeve, mirëpo ky është faktor dytësor. Kuptohet që të sapoemëruarve u duhet njëfarë kohe që të njihen siç duhet me terrenin, me elementet e rrezikshëm dhe me rrjetet kriminale.

 

Megjithatë, për hir të së vërtetës, duhet thënë që kthesa, pra ndryshimi kryesor në rritjen e kriminalitetit në përgjithësi, dhe vrasjeve në veçanti ka ndodhur në vitin 2009, viti që përkon edhe me nisjen e krizës ekonomike në Shqipëri. Nëse shihen statistikat e botuara prej UNODC për vrasjet, del që në vitin 2009, numri i vrasjeve ka qenë 2.7 për 100 000 banorë, ndërsa në vitin në vijim u rrit në 4, në vitin 2011 në 4.4 e kështu me radhë. Pra rritja nuk lidhet thjesht me rotacionin por, jo rastësisht, prej nisjes së krizës ka ardhur dhe është rritur gradualisht duke arritur sot në nivele alarmante.

 

Unë besoj se mes shumë faktorëve që ndikojnë, shkaku kryesor i valës së vrasjeve nuk duhet parë te puna e dobët e policisë por duhet parë te sistemi i drejtësisë, te paaftësia e gjyqësorit për t’u dhënë zgjidhje mosmarrëveshjeve apo shkeljeve të kontratës. Një ndër gjërat që po neglizhohet më së shumti në Shqipëri është nevoja për një ndryshim radikal të sistemit të drejtësisë, pasi ai ka një rol thelbësor pengues në zhvillimin e vendit. Kur te ne flitet për problemet e sistemit të drejtësisë, gjithë vëmendja shkon tek ndëshkimi apo tolerimi i zyrtarëve abuzues të shtetit, por janë të paktë ata që kujtojnë se gjyqësori luan një rol kyç në garantimin e zbatimit të kontratave si dhe në mbrojtjen e pronës private. Mirëpo të paktë janë ata që marrin kurajën për të folur për përgjegjësinë e sistemit të drejtësisë në rritjen e kriminalitetit e për të kërkuar domosdoshmërinë e një reformimi radikal të gjyqësorit dhe prokurorisë. Në përgjithësi, politikanët tanë nuk duan të trazohen me korporatën e drejtësisë në këmbim të mbylljes së një syri nga ana e drejtësisë për dallaveret e tyre. Por këtë situatë heshtjeje e ka përkeqësuar fakti që Ministrinë e Drejtësisë e ka LSI-ja. Opozita nuk e ngacmon këtë ministri, sepse flirton me iluzionin e ndonjë koalicioni tjetër potencial në të ardhmen me LSI-në, ndërsa Partia Socialiste është e kushtëzuar nga ujdia e koalicionit dhe i ka duart të lidhura.

 

Konkretisht, nga njëra anë bizneset për t’u bërë bisht tatimeve i bëjnë ujditë dhe transaksionet me furnitorë apo konsumatorë në mënyrë informale. Në shumicën e rasteve janë mjaftuar që kontratat t’i bëjnë në mënyrë fluide, t’i negociojnë me telefonata e jo me korrespondencë të shkruar formale, dhe t’i mbyllin me një shtrëngim dore, apo fjalë goje. Midis garancisë ligjore të kontratës së shkruar në letër e transparente para shtetit dhe përfitimit që vjen prej evazionit fiskal, biznesmenët dendur kanë zgjedhur versionin e dytë. Për sa kohë ekonomia ishte në ekspansion dhe kishte vërshim kapitali nga jashtë e qarkullim të brendshëm të bollshëm cash-i, ky sistem informal funksiononte mirë për këta sipërmarrës. Me nisjen e krizës sonë ekonomike ky lloj sistemi filloi të nxirrte në pah të metat e para të saj, duke rritur edhe mosmarrëveshjet mes biznesmenëve. Pasoja kryesore e krizës te ne qe deflacioni, i cili konsistoi në rënien e sasisë në qarkullim të parave, duke shtyrë biznesmenët që të detyrohen të punojnë me shkëmbime në natyrë. Këtu duhet theksuar se shkaktar deri diku është edhe sektori i papërshtatshëm bankar, i cili për arsye të ngurtësisë dhe mungesës së konkurrencës nuk ka përgatitur oferta të përshtatshme kreditimi për nevojat e reja të tregut. Një numër i madh biznesesh që kanë qenë rentabël, pra efikase, kanë nevojë për para për veprime imediate financiare dhe, duke mos pasur mundësi kreditimi nga bankat janë detyruar që të kërkojnë para nga fajdexhinjtë, me interesa të larta, duke u futur kështu nga zori në një spirale borxhi pa kthim e shpesh me fund tragjik.

 

Veçanërisht i prekur ka qenë sektori i ndërtimit, që dikur zinte mbi çerekun e ekonomisë së vendit. Situata tipike ka qenë që flluska e madhe e apartamenteve të ndërtuara të ballafaqohej me një zvogëlim të ndjeshëm të ofertës dhe në pamundësi të të ardhurave një pjesë e mirë e transaksioneve të bëheshin në natyrë. Ndikim të madh në përshpejtimin e kësaj krize pati edhe papërgjegjshmëria e shtetit, që lidhi kontrata me ndërtuesit kryesorë në vend, mirëpo nuk ua pagoi paratë për një kohë të gjatë, duke i shtyrë ata që të përdornin akoma më masivisht sistemin e kleringut në veprimtarinë e përditshme dhe të zhyteshin edhe më thellë në borxhe.

 

Kështu, për shembull, po marrim një rast ilustrativ hipotetik për ta shpjeguar. Vonesa e marrjes së pagesës nga shteti apo mosshitja e apartamenteve ka bërë që ndërtuesi X të mos e paguante në kohën e dakorduar furnizuesin e çimentos Y, i cili në mungesë të këtyre parave që priste i del nga llafi dhe nuk paguante dot në kohë furnizuesin me karburant Z. Për ca kohë këto probleme janë arnuar përkohësisht, duke marrë borxh më shumë (shpesh te fajdexhinj të paskrupuj). Një mënyrë alternative për të akomoduar këto shkelje të marrëveshjeve ka qenë pagesa me klering, pra X i jep Y tre apartamente në këmbim të çimentos dhe ky i fundit i jep Z një nga këto apartamente për të shlyer pjesën e vet të detyrimit. Mirëpo mundësia për të marrë borxh është e kufizuar për këdo e po ashtu vjen një moment që furnizuesit janë tejngopur me apartamente klering, që nuk shiten, dhe duan medoemos cash për të paguar detyrimet e tyre. Në kushtet kur paraja lubrifikuese mungon, kleringu nuk pranohet më, të gjitha këto marrëdhënie kontraktuale janë bërë në rrugë informale dhe gjyqësori nuk u jep dot zgjidhje. Këto marrëdhënie tendosen tej mase dhe shpesh këputen, duke vënë në punë vetëgjyqësinë.

 

Kur flitet për vetëgjyqësi, menjëherë mendja të shkon te plaga e gjakmarrjes dhe familjet e ngujuara në zonat e thella rurale. Porse harrohet që vetëgjyqësia ndodh edhe në zonat urbane qendrore të vendit dhe përfshin ndjeshëm edhe elitën ekonomike të vendit. Sistemi i drejtësisë që kemi është i paaftë jo vetëm që të garantojë zbatimin e kontratës, por nuk garanton dot as mbrojtjen e pronës. Mjafton të shfletohen faqet e shtypit, për të parë se sa dendur krimi e vrasjet lidhen drejtpërdrejtë me pronën private. Kuptohet që mosrespektimi i pronës private dhe konfliktet kriminale që hasen dendur tek ne janë një simptomë e qartë e mungesës së sundimit të ligjit.

 

Nga ana tjetër, garancia ligjore shtetërore në vetvete lë aq shumë për të dëshiruar, sa sipërmarrësit nuk kanë pasur motiv që të paguajnë koston e formalitetit. Pra, e dinë se pavarësisht prej pagesës së taksave, atyre gjithsesi u duhet që të paguajnë edhe polici private për të garantuar sigurinë e zotërimeve të tyre. Po ashtu e dinë se, pavarësisht prej kontratave të shkruara, mosmarrëveshjet nuk zgjidhen në mënyrë të drejtë, por në bazë të aftësisë për të korruptuar zyrtarët e drejtësisë.

 

Sikur të mos mjaftojë pandershmëria që sundon në sistemin e drejtësisë, situata përkeqësohet nga mungesa efikasitetit të sistemit. Çështjet gjyqësore zvarriten pa fund, duke bllokuar veprimtaritë ekonomike në fjalë. Koha është e paçmuar në biznes dhe kostoja oportune e inefikasitetit të sistemit të drejtësisë gjatë zgjidhjeve të mosmarrëveshjeve ekonomike është e pallogaritshme dhe shpesh e papërballueshme. Sistemi alternativ i ndërmjetësimit dhe arbitrazhit mund të kishte një dobi të madhe në Shqipëri, në aspektin e minimizimit të dëmit ekonomik të tejzgjatjeve të proceseve gjyqësore. Në vende të zhvilluara si Anglia, pothuaj treçereku i mosmarrëveshjeve tregtare zgjidhen në këtë mënyrë, duke shmangur kalvarin e gjyqësorit. Mirëpo te ne, ky sistem është lënë pas dore, duke bërë që sipërmarrësit të kenë mundësi t’u drejtohen ose proceseve gjyqësore sfilitëse e me ndershmëri të dyshimtë, ose vetëgjyqësisë.

 

Prandaj, për ta adresuar kriminalitetin duhet një reformë rrënjësore në sistemin e drejtësisë, duhet të ndërtohet një sistem profesional, i ndershëm dhe efikas, që të garantojë pronën private e të bindë biznesmenët që t’i bëjnë marrëveshjet kontraktuale në të ardhmen në mënyrë formale dhe të kenë mjaftueshëm besim që t’u drejtohen gjykatave për të zgjidhur konfliktet. Pra nuk bëhet fjalë thjesht për një sistem drejtësie rigoroz, që dekurajon krimin, duke i kërcënuar kriminelët potencialë me ndëshkime të rrepta, por më së shumti për një gjyqësor shtetëror efikas, që heq çdo lloj incentive apo motivimi që qytetarët mund të kenë për t’iu drejtuar informalitetit dhe vetëgjyqësisë.

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama