Warning: preg_replace(): Unknown modifier '{' in /home/shqiperia/application/views/helpers/Fetchterms.php on line 13

Notice: compact(): Undefined variable: extras in /home/shqiperia/library/Zend/View/Helper/HeadLink.php on line 381

OBAMA-ROMNEY, NJË GARË MES DY BOTËVE

Shkruar nga: Skënder Minxhozi  
Botuar më: 13 vite më parë

Skënder Minxhozi
OBAMA-ROMNEY, NJË GARË MES DY BOTËVE

Kandidati presidencial republikan, Mitt Romney, nuk mundi ta evitojë gafën e radhës, vetëm pak orë para fundit zyrtar të fushatës elektorale për Shtëpinë e Bardhë. I ndodhur në një miting në Ohajo, shteti më vendimtar për fatin e zgjedhjeve amerikane, ai pranoi se një fitore e Obamës “është e mundshme, por jo shumë e mundshme”. Paralelisht me këtë rrëshqitje, atij i erdhi edhe lajmi keq, se “Financial Times” u rreshtua zyrtarisht pro Presidentit Obama “për shkak të mënyrës sesi ka menaxhuar krizën financiare”. Ndërkaq, situata në terren bëhet edhe më interesante, pas publikimit të sondazheve të fundit. Sipas CNN të dy kandidatët ndodhen në kushte barazie perfekte, me nga 49 për qind të preferencave të publikut amerikan. Kurse ABC dhe Uashington Post, në sondazhin e tyre të fundit, e nxjerrin Obamën një pikë para Romney (49 me 48 për qind). Sondazhet parashikojnë gjithashtu se Obama ka rreth 290 zgjedhës të mëdhenj, ose 42 më shumë se Romney (nga 270 të tillë që duhen për t’u zgjedhur President). Siç dihet, janë këta persona që do të zgjedhin kreun e ardhshëm të Shtëpisë së Bardhë.

Fushata e fundit presidenciale në Amerikë ka qenë ndër më të paparashikueshmet e dekadave të fundit. I nisur me një avantazh të dukshëm pak muaj më para, Obama pa të ngushtohet gradualisht diferenca e tij me Romney-n, pas debatit të parë televiziv, në Denver, në 3 tetorin e shkuar. I vënë në vështirësi nga agresiviteti i kundërshtarit të tij, pa mundur të atakojë pikat e dobëta të Romney-t, Presidenti në detyrë e pa veten nën një valë kritikash për tonet e ulëta dhe pozitën mbrojtëse që kishte adaptuar. Në dy debatet e mbetura Obama ndryshoi strategji, por shumëkush pyeste nëse kjo kishte ndodhur më vonë seç duhej. Këto orë po vërtetojnë se Obama ka ende një avantazh të lehtë, mbi të gjitha në shtetin kyç të Ohajos, por ajo që ndihet e kudondodhur në fushatën e Presidentit, është mungesa e vrullit, haresë dhe shpresës së katër vjetëve më parë. Mediat amerikane kanë vërejtur më shumë se një herë këto javë, sesi zyrat elektorale të Romney-t janë të mbushura me njerëz, ndërsa nga ana tjetër, përtej faktit që ka mbledhur fonde fushate si asnjë president para tij (rreth një miliard dollarë), shtabet zgjedhore të Presidentit aktual nuk e kanë më rrezatimin dhe energjinë e katër vjetëve më parë.

Megjithatë analizave, komenteve dhe parashikimeve u ka ardhur fundi. Tashmë është koha për të lexuar votën e amerikanëve. Të cilët janë të ftuar të zgjedhin edhe një herë mes dy vizionesh krejt të ndryshme. Përballë qëndron Barak Obama, mandati i të cilit nuk i arriti objektivat e premtuara katër vjet më parë. Ai arriti të drejtpeshojë ekonominë dhe financat e shtetit më të fuqishëm në botë, krijoi mbi katër milionë vende pune, aplikoi ligjin për sigurimin shëndetësor dhe shpëtoi nga falimenti industrinë e makinave. Në planin ndërkombëtar mbajti një politikë të jashtme aktive dhe të kujdesshme, eliminoi Bin Ladenin dhe u mundua të ruajë ekuilibrat me Kinën, Europën dhe Izraelin. Megjithëse me këtë të fundit marrëdhëniet janë të ftohura.

Nga ana tjetër ndodhet Mit Romney, një mormon i pasur, i shikuar fillimisht pa entuziazëm nga republikanët fanatikë. Romney premton të ndryshojë politikën e sigurimit shëndetësor të miratuar nga Obama, ai premton miliona vende pune dhe ringritje ekonomike, një politikë të jashtme agresive ndaj Kinës dhe Iranit, si dhe një impuls të ri për shfrytëzimin e burimeve energjetike fosile. Obama dhe Romney mbrojnë sot, ashtu siç e tha dje vetë Presidenti në detyrë, “dy vizione rreth botës”. Cili prej tyre do të fitojë? Amerika solidare, apo atdheu i iniciativës së lirë? Shteti social me qeveri të fortë e të rëndë, apo aspirata e “small-government”?

Nëse hedh sytë këtej Atlantikut, duket se idetë janë më të qarta. Rreth 70% e europianëve janë shprehur në sondazhet e fundit, në favor të kreut aktual të Shtëpisë së Bardhë. Një jo-lajm në fakt. Tradicionalisht, kontinenti i vjetër ka qenë përkrah demokratëve, ndërsa republikanët janë parë ftohtë, për shkak të qëndrimit të tyre të ashpër ndaj “Europës sociale”.

Vizita e Hillari Klintonit në Tiranë e solli aromën e zgjedhjeve amerikane edhe pranë realitetit shqiptar, megjithëse gjatë katër orëve që ajo qëndroi në Tiranë nuk u fol fare për këtë ngjarje. Të paktën jo publikisht. Në një përllogaritje teorike, ka pak rëndësi për Shqipërinë, se cili do të jetë bujtësi i Shtëpisë së Bardhë për vitet që do të vijnë. Sa për të dhënë dy shembuj jo fort të vjetër, ishte një president demokrat ai që çliroi Kosovën, që u pasua nga një president republikan, i cili bëri të mundur hyrjen e vendit tonë në NATO. Meqë politika amerikane për Shqipërinë është një materie pafundësisht e hollë për t’u dalluar dhe për t’u kapur me dorë, ka pak gjasa që një ndryshim eventual në zgjedhjet e sotme në SHBA, të sjellë ndonjë modifikim çfarëdo në marrëdhëniet tona me shtetin më të fortë të botës.

Çfarë s’mund të thuhet për pjesën tjetër të globit, sepse gara mes Obamës dhe Romney-t do të ketë efekte të rëndësishme në marrëdhëniet ndërkombëtare. Le të presim e të shohim nëse Barak Obama do të arrijë ëndrrën e tij personale të mandateve presidenciale, apo nëse sfiduesi fillimisht i parrezikshëm Mitt Romney do të arrijë sfidën që shumëkush e kujtonte të pamundur.

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama