Warning: preg_replace(): Unknown modifier '{' in /home/shqiperia/application/views/helpers/Fetchterms.php on line 13

Notice: compact(): Undefined variable: extras in /home/shqiperia/library/Zend/View/Helper/HeadLink.php on line 381

Ish-

Shkruar nga: Edmond Tupja  
Botuar më: 13 vite më parë

Edmond Tupja
Ish-

Në Fjalorin e gjuhës shqipe (Tiranë, 2006), termi “ish-” përkufizohet si vijon: “fjalëz që vihet para një emri për të treguar se njeriu a sendi i shënuar ka qenë më parë i tillë”. Ky term gjithmonë më ka mahnitur: i mprehtë si shish, pra, si thikë me majë e me dy tehe (shih fjalorin e lartpërmendur), ai më sjell çuditërisht në kujtesë, sa herë që e dëgjoj apo e shoh të shkruar, shishmanët, pra, personat me trup të trashë (shih të njëjtin fjalor) që parapëlqejnë shishqebapin.

Përse vallë kështu? Ndoshta sepse këto dy dekadat e fundit, ish-ët tanë (jo vetëm nga fusha e politikës, sa për saktësim) shpesh  kanë qenë me gushë e me barqe? Ndoshta gjithashtu sepse, sa më të rëndë të jenë në peshë e sa më të lartë ta kenë postin/fikun ku kanë hipur, aq më shumë u vriten të ndenjurat kur bien së andejmi?

Sido që të jetë, fjalëza “ish-” mund t’u vihet përpara shumë e shumë emrave, për të përftuar, p.sh., fjalë si ish-kryetar, ish-(krye)ministër, ish-sekretar,ish-(krye)komandant, ish-(krye)prokuror, ish-zullumqar, ish-prefekt, ish-profet, ish-deputet, ish-ngatërrestar, ish-gjykatës, ish-gjynahqar, ish-rektor, ish-dekan, ish-shef, ish-pehlivan etj., etj.

Por, fjalëza “ish-” bëhet e frikshme kur paraprin fjalën “zëvendës”; kjo fjalë, tashmë deri diku zhvleftësuese (sepse kur je zëvendës, je ashiqare nën urdhrat e një eprori, të cilin edhe e admiron/adhuron, edhe e ke frikë, madje, sa më shumë e admiron/adhuron, aq më shumë frikë e ke, por, në të rrallë, edhe komploton kundër tij me shpresë se, një ditë, do t’ia zësh mirëfilli vendin e lakmuar), fjala “zëvendës”, pra, të ngjall, dashur pa dashur, mëshirë dhe kjo e fundit, pra, mëshira, është paradhoma e neverisë, siç thotë një shkrimtar i sotëm francez. Kështu që po t’u shtoja fjalën “zëvendës” disa prej fjalëve të paraprira nga fjalëza “ish-” që kam radhitur në paragrafin e mësipërm, do të kishim: ish-zëvendëskryetar, ish-zëvendës-(krye)ministër, ish-zëvendëssekretar, ish-zëvendës(krye)komandant, ish-zëvendës-(krye)prokuror, ish-zëvendësprefekt, ish-zëvendësgjykatës, ish-zëvendësrektor, ish-zëvendësdekan, ish-zëvendësshef etj., etj.

Interesante duhet të jetë mendësia e zëvendësit: ai i nënshtrohet eprorit të tij teksa, thellë në shpirt, aspiron babëzisht t’i zërë vendin një ditë; mirëpo kur kjo ditë, mjerisht, vonon të arrijë dhe ai, papritur, e sheh veten jo në majë të fikut, por në rrëzë të trungut të tij (populli ynë thotë, në gjuhën e tij të ashpër, por të sinqertë: në bythë të fikut), atëherë të tjerët nuk vonojnë ta quajnë “ish-zëvendës”, çka është tronditëse, shkatërruese për zëvendësin që ëndërronte të mos ishte më i dyti për t’u bërë i pari, ndërkohë që përfundon i barabartë me të fundit i listës.

Me siguri që, prej kohësh, psikologët, psikiatrit dhe psikanalistët duhet ta kenë analizuar kompleksin e ish-ëve në përgjithësi dhe atë të ish-zëvendësve në veçanti, por unë nuk pata kohë, fatkeqësisht, të studioja përfundimet e tyre lidhur me këtë dukuri që t’ia vija sot në dispozicion lexuesit tim të vëmendshëm e të paanshëm; gjithsesi, diçka më thotë se kompleksi në fjalë është kompleks inferioriteti që ish-ët në përgjithësi dhe ish-zëvendësit në veçanti duhet ta kenë pasur qysh nga fëmijëria e tyre e hershme, prandaj edhe janë grykës apo gopçarë, siç i quan populli ynë edhe personat e babëzitur për pushtet, pavarësisht se në ç’fushë këta duan ta ushtrojnë pushtetin e ëndërruar.

Për të mos u treguar i padrejtë me ish-ët, sidomos me ish-zëvendësit e kompleksuar, jam i mendimit se edhe ata mund ta kryejnë një punë në dobi të vetvetes e të ish-ëve të ardhshëm: të mos bëjnë ish! kur pulat ose psikologët të vijnë për t’ua rrëmuar baltën e shpirtit që të nxjerrin në dritë plehrat e krimbat që gëlojnë atje, çka do t’u jepte mundësi të pastronin vetveten, duke e hequr qafe kështu kompleksin që i torturon qysh nga fëmijëria e tyre e hershme

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama