Warning: preg_replace(): Unknown modifier '{' in /home/shqiperia/application/views/helpers/Fetchterms.php on line 13

Notice: compact(): Undefined variable: extras in /home/shqiperia/library/Zend/View/Helper/HeadLink.php on line 381

'Bronzi' i pare ne viset monumentale

Shkruar nga: Aleksandër Çipa  
Botuar më: 13 vite më parë

Aleksandër Çipa
'Bronzi' i pare ne viset monumentale

Busti i Petro Markos është monumenti i parë mes 30 e kusur kishave të një fshati në territorin e Bashkisë së Himarës. Dhe është fjala për monumentin e një shkrimtari që lindi në Dhërmi dhe jetoi me shpirtin e tij për atë fshat, jo vetëm përgjatë jetës së frymtë, por edhe përgjatë gjithë pavdekësisë së vet. Bëhet fjalë për Dhërmiun me jetëgjatësi qysh prej vjetrimit mitologjik e me vijimësi në gjithë kohët e ardhme…

Kjo ngjau të dielën, në vigjilje të 28 Nëntorit 2012. Në një rrethanë dhe mjedis njerëzor shumë modest. Monumenti i shkrimtarit më të shquar të të gjitha kohërave në këtë zonë të lashtë, i vendosur në vendlindjen emërnjohur të tij, një vis me histori të krahasueshme me detin që lag brigjet, është i pari prej bronzi në kaq dekada që zë vendin e munguar. Asnjë i tillë nuk ekziston në këtë zonë, as për heronj e as për luftëtarë të të gjitha kohërave. A thua çështje mungese për gjetjen e bronzit dhe të skulptorëve?! Apo thjesht, nga droja e mosrënies në mëritë e njerëzve që kanë etje dhe sedër të pakrahasueshme me të tjerët, për t’u bërë të përjetësuar në bëma e marrëzi, në refuzime dhe besnikëri, në këngë dhe në ligjërime, në mbrojtje e uzurpime?! Pavarësisht gjithë këtyre paradokseve dhe realiteteve, në Himarë ka një mungesë të çuditshme të kujdesit për të lartësuar dhe përjetësuar në bronz apo material tjetër personazhe dhe histori të njerëzishme të brezave në shekuj dhe pasuesve po në shekuj. Një mungesë, jo vetëm për shkak të besnikërisë ndaj barazisë që u jep natyra njerëzve… Por për arsye të tjera, ndoshta, më së shumti….

Nuk kanë rëndësi vonesat dhe mungesat kësaj here. Nuk ka rëndësi të thuhet apo pohohet se sa e donte Petro Marko vendlindjen e tij që e quante “fshatin më të bukur në botë”, apo atdheun e tij Shqipërinë, si vendin që do e gjente pas çdo tramundane… Kësaj here duhet thënë diçka tjetër.

Le të mbetemi te thyerja e tabusë. Në Bregdet, në viset Akrokeraune, po nis të zërë vend respekti dhe nderimi monumentalizues (në kuptimin më pozitiv të fjalës) i kulturës dhe njerëzve të çmuar të saj. Kjo zonë fsheh dhe shfaq një madem të shkëlqyer të qenësisë dhe ekzistencës kulturore mesdhetare shqiptare qysh në zanafilla. Në këtë vis ka shumë monumente të natyrës dhe religjionit, por mungojnë ato të respektimit dhe ruajtjes, nderimit dhe lartësimit njerëzor. Ndanë kishave të shumta, të hershme sa vetë jeta në këtë krahinë, mungojnë monumentet e tjera, ato që lartësojnë nderimin dhe respektimin e njeriut të vyer e të çmuar, krijues e themelues, vizionar dhe bashkues. Në thellësi të kishave, të cilat ndanë qëndresë në emër të shpirtit dhe bindjes së komunitetit njerëzor, por edhe përthyerje dhe ndërrim gjuhe, me të cilat komuniteti i njerëzve ndër breza ndau komunikim të shtuar me botën dhe viset jonike, gjendet lehtësisht edhe dëshmia tjetër, ajo për kultin e njeriut me shpirt të paepur.

Një ikje të tillë të kthyeshme si kjo në monument e shkrimtarit himarjot, brigjet e Himarës dhe Dhërmiut nuk e bënë kurrë me ndonjë protagonist tjetër, me ndonjë sportist, këngëtar, shkrimtar apo luftëtar, edhe pse në ndonjë kohë apo periudhë dhjetëravjeçare ngjau se humbja kishte ngjarë gati e pandreqshme. Petro Marko, shkrimtari me jetën e zhytur në dhimbje, ikje dhe lëngata, rezervoi pas plotësimit të amanetit për një varr pranë rrënjëve të ullirit në Dhërmi, një rikthim të cilin ia adhuron padyshim çdo qenie njerëzore. Ai është vendosur përfundimisht si monument në zemër të vendlindjes së vet. Atje ndanë vatrës familjare të Markove, në sheshin e ngushtuar të fshatit të vjetër, ku ka mbetur rrënoja e shkollës së parë, e kinemasë dhe në rrethimin magjik të mureve e kishave me kambana të shumta.

“Bini ju kambana, bini!”, thotë një këngë e vjetër visi. Monumenti i Petros me kaçurrela dhe cigaren e përjetshme mes mollëzave, tashmë është në atë vis të cilin e mbarti si mall të jetës dhe mendimtarisë së vet. Të gjitha kambanat e fshatit duket se do të kenë një timbër të posaçëm pas kësaj në Dhërmi, sepse ndanë tyre, nën to është sheshi i shkrimtarit.

Është një simbolikë e re, të cilën si dëshmitar i përurimit të monumentit të punuar nga skulptori Agim Rada, e përjetova dhe e sodita në sytë e disa prej dhjetëra bashkëpatriotëve të Petro Markos dhe familjarëve të mbetur të tij. Loti në cep të syrit të tyre, i mbarsur në ujtësi me një mall e brengë mungimi dhe moskuptimi. Mësuesi dhe studiuesi kurajoz i Dhërmiut, Foto Bixhili, ishte i gjithi i falur në lotin e dhembshurisë dhe gëzimit për këtë mbërritje të shkrimtarit që i fton bashkëpatriotët e vet të lexojnë veprën e tij, në të cilën mësohen drejt e më drejt e shkuara dhe historia e Dhërmiut. Një gjuhë dashurie dhe përmallimi në fjalët e pakta të disa nënave shamizeza. Një emocion i papërsëdytshëm kur personazhi i “Shpellës së Piratëve” i drejtohet monumentit të shkrimtarit: “Barba Petro jam personazhi yt!”… Një ndjenjë madhështore në heshtjen dëgjuese të himnit kombëtar dhe një përballje me vështrimin e dhjetëra të pranishmëve, të cilët u bënë dëshmitarë për një ardhje të tillë përfundimtare të Petro Markos në Dhërmi.

Monumenti i parë prej bronzi pas ndoshta më shumë se 50 vjetësh në këtë fshat, i përket shkrimtarit me më tepër përvuajtje dhe përndjekje në Shqipëri, poetit me lëngata të shtrira në shumë vise të botës dhe gazetarit që mbeti në shumicën e gazetave shqiptare në periudhat përgjatë më tepër se 60 vjetëve të jetës së vet dhe më pas, si reporteri i parë tipik i luftës dhe analisti serioz e kurajoz. Ai është i pamjaftueshëm si bronz e si investim qeveritar, por matanë kësaj pamjaftueshmërie, mbërritja e monumentit në territorin e Bashkisë së Himarës, duket se sjell ogurin e mbarë për një kohë të re respekti dhe sjelljeje ndaj kulturës dhe njerëzve të saj në këtë vis. Dikur në një botim të shumëdiskutuar në shtypin e ditës së viteve 2000 dhe më pas i publikuar në libër, Moikom Zeqo sugjeronte për Himarën dhe shtetin shqiptar ngritjen e një përmendoreje të “Vajzës së valëve”, mbi syprinën e detit Jon, në gjirin e Spilesë. Një monument i tillë do të duhej edhe pranë shpellës së Odiseut në qendër të qytetit. Por një monument të madh meritonte prej dekadash, qysh nga koha e ish-mbretërisë shqiptare, poeti këngëtar Neco Muko Himarioti… Në këtë mënyrë, kohët e shkuara dhe qeverisësit e tyre, lënë detyrën pa kryer me bijtë dhe kulturën tejjetuese të këtij visi. Sidoqoftë, pas Petro Markos, në Himarë ka shenja për rikthimin e ditëve që flasin gjuhë të fisme kulture …Ashtu si në besnikëri me shëmbëllesat e viseve që zgjojnë qytetërimin e vet…

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama