Warning: preg_replace(): Unknown modifier '{' in /home/shqiperia/application/views/helpers/Fetchterms.php on line 13

Notice: compact(): Undefined variable: extras in /home/shqiperia/library/Zend/View/Helper/HeadLink.php on line 381

Qeveria që kemi

Shkruar nga: Skënder Minxhozi  
Botuar më: 13 vite më parë

Skënder Minxhozi
Qeveria që kemi

Fjalimi i 25 nëntorit i Kryeministrit Berisha në Shkup ka lënë pas një valë të gjatë sizmike reagimesh. Së fundi edhe Bashkimi Europian po bëhet gati që në konkluzionet e dhjetorit, të përfshijë konceptin e moderimit të gjuhës dhe uljes së toneve nacionaliste nga ana e qeverisë shqiptare. Nëse ky qëndrim do të zyrtarizohet pas pak ditësh nga Brukseli, Shqipëria do të humbë të vetmin atribut të hershëm pozitiv që ka pasur në sytë e ndërkombëtarëve; atë të ndjekjes së një politike të moderuar në rajonin e Ballkanit.

Por patriotizmi folklorik i qeverisë, në këtë kapërcyell të vitit jubilar të Pavarësisë, nuk stonon vetëm me atë që ka qenë tradicionalisht linja e moderuar e qeverive shqiptare ndaj fqinjëve, por edhe me atë që përfaqëson sot qeverisja e këtij vendi, në raport me rekordet e saj, pikërisht në fushën e politikë së jashtme rajonale.

Siç është thënë e shkruar gjerësisht, nacionalizmi verbal i ringjallur i Kryeministrit, devijon në mënyrë groteske me atë që ai vetë dhe pas, e gjithë mazhoranca kanë bërë në vitet e fundit në raport me Greqinë, Serbinë dhe të tjerë aktorë rajonalë me të cilët kemi më shumë se një problem të së shkuarës, që mbetet ende i hapur. Kur më pas kalon nga ambiguiteti i linjës diplomatike në momente të ndryshme, te mishmashi i vetë formulës së kabinetit, ndarjes së posteve brenda tij dhe i marrëdhënieve politike e njerëzore të kësaj shumice, kaosi merr përmasat e një pazari të vërtetë “ballkanik”.

Nuk përbën habi dhe mosbesim, nuk ngjall skepticizëm dhe shpoti vetëm fakti që Berisha i djeshëm që hapte krahun për grekët, ngjan shumë pak me Kryeministrin e sotëm që e sheh kombin shqiptar deri në Prevezë. Nuk qëndron hipokrizia patriotike e kësaj qeverie vetëm në ato që ka thënë në muajin e festave të Pavarësisë e Çlirimit. Karakteri fals i këtij kabineti qëndron më së shumti në mënyrën sesi është mbrujtur, në formulën alkimike të figurave politike që ka në bazë të tij, në formatin e pamundur politiko-etnik që ka marrë përsipër të krijojë.

Në vitin 2009, Sali Berisha luajti një taktikë të zgjuar ndaj minoritetit grek në Shqipëri, e cila kishte në bazë të saj dy qëllime kryesore. Duke përçarë votat greke në Jug me anë të një kandidature “anti Dule”, pra me Spiro Kserën, ai pakësoi së pari peshën e PBDNJ dhe së dyti, kur vetë Kserës i dha një post të palëvizshëm në kabinet, i dërgoi një mesazh të qartë qeverisë greke, se kjo prani do të ishte afatgjatë dhe se do të përfaqësonte interesat e tyre brenda mazhorancës së ardhshme. Kjo linjë erdhi e u konsolidua me lëvizjet e tjera të qeverisë, që kishin nisur në fakt që në 2005-n, me zbatimin praktikisht të çdo pike të axhendës greke për Shqipërinë, me duart e vetë qeverisë shqiptare.

Por Berisha nuk u ndal me kaq. Paralelisht me futjen e Kserës në kabinet, ai u kujdes që ndaj partisë së sapoformuar çame, PDIU, të ndiqte një profil të ulët bashkëpunimi. I ftoi si aleatë në qeveri, por praktikisht u dha e vazhdon t’u japë poste të rangut të dytë dhe të tretë. Një denigrim jo fort i kamufluar dhe aspak elegant, më shumë sesa një partneritet serioz. I justifikuar i gjithi me trysninë që pala greke bën, për të mos i parë kurrsesi të përfshirë në qeverisje çamët. Nëse nga njëra anë, për Berishën përbënte një sukses mbajtja nën një çati e dy frymëzimeve krejt të kundërta e përjashtuese, siç janë grekët dhe çamët, nga ana tjetër nga kjo taktikë hileqare fitoi vetëm njëra palë. Domethënë pala greke.

Ky trekëndësh virtual Berisha-Ksera-Idrizi, është sot, edhe pas zhvillimeve më të fundit, dëshmia më e prekshme e absurditetit dhe hipokrizisë mbi të cilën është ndërtuar qeveria “Berisha”. Në hapësirën virtuale të këtij trekëndëshi, lëvizin sot “krah më krah” aspiratat e ligjshme të një partie si PDIU për të miratuar një rezolutë çame në Kuvend, me takimet e ministrit Ksera me deputetët e “Agimit të Artë”, përfshirë deklarime të tipit “unë luftoj prej vitesh për Vorio-Epirin”, pa harruar kurrsesi edhe qëndrimet kamaleonike të Kryeministrit për marrëveshjen detare nga njëra anë, por edhe për Prevezën shqiptare nga ana tjetër. Nuk ka zot që i mban të lidhura këto interesa krejtësisht përjashtuese mes tyre, përveçse një arsyeje madhore: dëshira për të qëndruar në pushtet.

Në fund këtij mandati, sërish në emër të qëndrimit në pushtet, qeveria shqiptare me shefin e saj në krye, po pranojnë të bëjnë gjithfarë akrobacish, të bëjnë një sy qorr për “Agimin e Artë” në Jug apo priftërinjtë malazezë në Veri, që vjellin vrer për shqiptarët. E në të njëjtën kohë, të përbetohen se amanetin e Qemalit, Boletinit e gjithë patriotëve e nacionalistëve të tjerë, e kanë Bibël e Kuran bashkë. Kësisoj i shohim të gjithë të ulur në tryezën e madhe të pushtetit, armiq mes tyre, por “partnerë” në aventurën qeveritare. Kjo është qeveria që kemi. Pa formë si një amebë, laramane dhe e përdredhshme si një kulpër, e paqëndrueshme dhe tekanjoze si moti i këtyre ditëve.

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama