Warning: preg_replace(): Unknown modifier '{' in /home/shqiperia/application/views/helpers/Fetchterms.php on line 13

Notice: compact(): Undefined variable: extras in /home/shqiperia/library/Zend/View/Helper/HeadLink.php on line 381

Karrierë pa karizëm?

Shkruar nga: Edmond Tupja  
Botuar më: 13 vite më parë

Edmond Tupja
Karrierë pa karizëm?

Po afrojnë pashmangësisht zgjedhjet parlamentare të vitit të ardhshëm, ethet e të cilave kanë nisur të zënë disa njerëz, të cilët drejtojnë në fusha që nuk kanë apo, më saktë, nuk duhet të kenë lidhje me politikën, si arsimi i lartë, ndër të tjera. Kështu, këto javët e fundit, në Fakultetin e Gjurmëve të Humbura të Bërraka Universal University-it, kolegu im, Françesk Armadhi, që drejton atje Departamentin e Trapologjisë Interaktive, më bën të ditur se dekani i Fakultetit në fjalë, prof. dr. Zymbyl Zyba, paska vendosur të vërë kandidaturën e tij për deputet në Kuvendin e Shqipërisë. Sigurisht që lexuesi i rregullt, por shumë kureshtar, i kësaj rubrike, do të dëshironte fort të merrte vesh se cila do të ishte ajo parti që do ta mbështeste këtë kandidaturë të nderuar.

Me keqardhje, por për arsye etike, më duhet të mos ia shuaj kureshtjen e shëndetshme sepse nuk dëshiroj që trupi pedagogjik i fakultetit në fjalë të ndahet e përçahet për arsye politike. Gjithsesi, problemi qëndron gjetiu: përse duhet që, herët a vonë, jo vetëm në fushën e arsimit, por edhe në të tjera (të cilat, si parim, duhet të qëndrojnë jashtë politikës), figura drejtuese të njohura, gjysmë të njohura apo pak të njohura ta ndërpresin karrierën e tyre universitare për t’u futur, me ose pa të njëjtin shkëlqim (të vërtetë apo të rremë), në fushën e politikës dhe për të nisur kështu një karrierë të re.

Për të nisur një karrierë të re… Këtë njeriu e ka më e lehtë ta thotë e ta shkruajë sesa ta realizojë me sukses të plotë apo edhe gjysmë të plotë. Duke e lënë përkohësisht mënjanë fillimin erotik të fjalës “karrierë”, kolegu Françesk Armadhi është i mendimit se “çdo karrierë e re” kërkon detyrimisht një “karizëm të ri”, pra, një karizëm ndryshe. Në këtë pikë, duke lënë përkohësisht mënjanë fillimin erotik edhe të fjalës “karizëm”, ai e shtjellon pak a shumë si vijon tezën e tij:

Së pari, duhet të merremi vesh se ç’quajmë karizëm. Meqenëse Fjalori i gjuhës shqipe (Tiranë, 2006) nuk e përmban këtë fjalë, le t’i drejtohemi ndonjë fjalori në gjuhë të huaj; kështu, fjalori Le Petit Robert, Paris, 2001, jep këtë përkufizim (në frëngjishte, natyrisht): “1. Dhunti e veçantë që ta jep Perëndia, për të mirën e të gjithëve. 2. Cilësi që i jep mundësi, atij që e ka, të ushtrojë ndikim, autoritet mbi një grup njerëzish. P.sh. Karizmi i një politikani”. Duke e lënë mënjanë kuptimin e parë, sepse Perëndia, me sa duket, ka vendosur të mos merret me shqiptarët, ngaqë shumë prej tyre, individualistë të pandreqshëm këto dy dekadat e fundit (Secili për vete dhe Zoti për mua), ndonëse merren ose bëjnë sikur merren shumë me Perëndinë, nuk para mendojnë për të mirën e të gjithëve, le të qëndrojmë te kuptimi i dytë.

Në fushën e arsimit, veçanërisht të atij të lartë, pedagogu me titullin “profesor doktor”, shefi i departamenti dhe, sidomos dekani, ushtrojnë pa diskutim ndikim, autoritet jo vetëm mbi studentët, por edhe mbi pedagogët; pra, karizmi i tyre është i pamohueshëm. Por, objektivisht, a mund ta ruajnë ata këtë karizëm kur kalojnë nga fusha e arsimit tek ajo e politikës? Këtu, gjithmonë sipas kolegut Françesk Armadhi, gjërat sikur koklaviten sepse, p.sh., po të zgjidhen deputetë, ata nuk do të shkojnë më në auditorë të mbushur me studentë, por në sallën e Kuvendit të Shqipërisë, ku nuk do të kenë të bëjnë me vartës (pedagogë apo studentë), por me njerëz të zgjedhur nga populli, pra, me të barabartët e tyre, nga të cilët disa me përvojë relativisht të pasur në fushën e politikës, ani pse me nevoja ende të paplotësuara mirë në fushën e arsimit të lartë e të kulturës jo vetëm profesionale, por edhe të përgjithshme.

Rrjedhimisht, në rastin konkret, dekani Zymbyl Zyba, që drejton Fakultetin e Gjurmëve të Humbura të Bërraka Universal University-it, të cilit i uroj me mish, me kocka e me shpirt të bëhet deputet, do t’i duhet ta përtërijë karizmin e tij, jo thjesht ta arnojë, sepse, siç thotë shpesh kolegu Françesk Armadhi, s’ka e s’mund të ketë karrierë pa karizëm, pavarësisht fillimeve erotike të këtyre dy fjalëve. Në të kundërtën, dekani Zymbyl Zyba do të mbahet mend vetëm si karikaturë (pa lënë mënjanë fillimin erotik edhe të kësaj fjale të fundit).

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama