Warning: preg_replace(): Unknown modifier '{' in /home/shqiperia/application/views/helpers/Fetchterms.php on line 13

Notice: compact(): Undefined variable: extras in /home/shqiperia/library/Zend/View/Helper/HeadLink.php on line 381

Në rrugë, e para del kriza sociale

Shkruar nga: Aleksandër Çipa  
Botuar më: 12 vite më parë

Aleksandër Çipa
Në rrugë, e para del kriza sociale

Në rrugët e Tiranës po del haptazi kriza sociale. Gjatë kësaj jave në disa lagje të Tiranës, në orët e mbrëmjes kryesisht, kanë dalë qytetarë të nervozuar nga ndërprerjet e gjata të energjisë elektrike. Të tillë nervozizëm të demonstruar në turmë ka pasur prej disa ditësh në Kombinat, në një rrugë të Laprakës, fragmentarisht në Rrugën e Kavajës, në Selitë etj. Është një shpërthim spontan për shkak të tejlodhjes nga orët e ripërsëritura të errësirës dhe të lënies në prehun e mardhjes dimërore. Kjo me sa duket është vetëm “shkuma” e pakënaqësisë që rritet prej mungesës së energjisë, por aspekte të tjera më të mprehta e bëjnë të vlueshme pakënaqësinë qytetare, e cila në ditët e tanishme, gjithkush tenton ta interpretojë si kontekst elektoral.

Mirëpo, brendia është diçka tjetër. Është një realitet, i cili fatkeqësisht nuk shihet drejt në sy dhe mungon qasja realiste. Dy palët e politikës janë ndarë klasikisht përballë gjendjes. Njëra, ajo që qeveris, po vetëlëvdon punën e saj dhe në emër të emergjencës elektorale po mbingarkon armatën e propagandistëve të vet, për të mos reshtur së thëni të bërat gjatë kësaj qeverisjeje. Është mundësuar përgatitja e kalendarit të të bërave dhe natyrisht po përpilohet “almanaku” i veprave që duhen propaganduar. Pala tjetër që është në të drejtën e saj të rotacionit, e ka më të lehtë punën, duke shfrytëzuar mundësinë që i jep realiteti i pamundësisë për të mbrojtur të pambrojturën.

Por kjo përballje, e shton edhe më tepër skepticizmin për të ardhmen e afërt. Është fjala për një realitet, i cili matanë fasadës së vet ka për të ardhur edhe më i zymtë në realitetin e Shqipërisë së pas 23 qershorit 2013.

Në këtë vend kriza duket se po pritet pa pasur të Zot. Po, vjen një krizë e cila mësyn matanë dëshirës dhe vullnetit të palëve, prej një realiteti dilemash të mëdha në arenën ndërkombëtare dhe sidomos në këtë rajonin tonë. Ekonomia jonë po shtyhet aktualisht vetëm nga optimizmi kryeministror i borxhmarrjes. Një filozofi ndaj së cilës kanë reaguar pa ekuivok profesionistët e ekonomisë, financave dhe për arsye të njohura dhe të shumënjohura, po heshtin bankierët dhe ekspertët bankarë. Një pjesë e vogël e të shprehurve, janë të aktivizuar në radhët e opozitarizmit politik, ndërsa të tjerët, janë më të heshtur se vetë qetësia. Në mjedisin mediatik të vendit, vetëm polemika dhe debati ekonomik dhe financiar nuk po shfaqet. Edhe pse është shtruar për debatim çështja e buxhetit 2013, përveç një refuzimi dhe denoncimi opozitar nga PS, aktorët e tjerë të kulturës dhe investimit ekonomik në vend, nuk janë pjesë aktive e diskutimit. Të ashtuquajturit universitete që pretendojnë se kanë elitën e mendimit ekonomik të vendit nuk janë pjesë e shqyrtimit dhe e diskutimit të zërave të këtij buxheti kritik. Një censurë e vërtetë e mendimit ekonomik, por edhe një impotencë oponenciale publike për të folur për buxhetin zyrtar të këtij vendi, i cili ka për autore dhe protektore qeverinë. Është një buxhet i shtrënguar, pranoi ta cilësonte publikisht vetë Kryeministri Berisha. Por mbi të dhe për zëra të tij, nuk kemi ende një recencë serioze. Nuk ka një mendim alternativ, pale më një paketë alternative për këtë buxhet. Dhe sipas të heshturve të ditur në ekonomi, në këto situata dhe në kësi pozitash, Shqipërisë do t’i duhej jo një buxhet i mirëshqyrtuar strategjik, por parandalues i pasojave të grumbulluara nga rritja rrezikuese e borxhit të brendshëm dhe të jashtëm dhe efekteve që sërish parashikohet të vijnë negativisht në periudhën e dy vjetëve të ardhshëm, nga jashtë.

Por mesa duket, tinëzarllëku politik po e shfaros debatin dhe mendimin plural e alternativ për ekonominë. Mbetet në fuqi e thëna “ It’s the economy, stupid” (Është ekonomia, o idiot ), e cila u përdor si slogan që mposhti Georg H.W. Bush nga Bill Klintoni në SHBA. Ky slogan në Shqipërinë e sotme është në vlerën e një parulle orientuese edhe për qeverinë, edhe për opozitën politike. Mirëpo, askush nuk po i del zot. Dhe zot i saj gjëmësjellës, po bëhet spontaniteti i rënies dhe i dimensionimit të informalitetit ekonomik dhe social në vend.

Turmat që kanë dalë fragmentarisht në rrugët e kryeqytetit, në të vërtetë janë vetëm disa shenja të vlimit të pakënaqësisë. Orët dhe ditët e ardhme, sipas të gjitha gjasave kanë për ta shumëfishuar nervozizmin. Në dy-tri ditët e fundit mes pozitës dhe opozitës po intensifikohen akuzat dhe denoncimet për varfërinë. Ajo vijon të mbetet e pamatshme edhe pse statistikat gëlojnë të shpallen në mediume nga laboratorë dhe ekipe sondazhesh të realizuara me porosi. Situata sociale është tejet e dukshme në mavijosjen e saj në shtresa dhe në hapësirën administrative të vendit. Kjo ka për të qenë një element që do të përdoret dhe pse jo edhe manipulohet elektoralisht nga aktorët e konkurrimit për zgjedhjet e qershorit që vjen. Por kjo është vetëm pjesa e dukshme. Pjesa tjetër më serioze për nga rrezikshmëria, ka lidhje me rrënimin e përditshëm të qeses së shtetit për të kontribuar dhe ndihmuar për shtresat dhe kategoritë e varfërimit progresiv dhe aq më tepër për ato të margjinalizuarat. Ky grafik në rënie, po sendërton një marrëdhënie progresive pakënaqësish jo vetëm ndaj qeverisësve, por dukshëm edhe ndaj alternativës që po shihet me skepticizëm, asaj të qeverisjes së ardhshme. Përthyerja politike e kësaj marrëdhënieje mes partive dhe qytetarëve, sipas të gjitha gjasave do të reflektohet ngjashëm siç po ngjet në Italinë dhe Greqinë fqinje. Kjo nuk është profeci e stërthënë, por thjesht një rrugë që duket në horizontin e afërt, drejt të cilit vendi po zvarritet sot, sipas takatit të vjetër.

Tashmë kriza sociale është duke u shumëshfaqur në rrugët e vendit. Del së pari në formën e pakënaqësisë për dritat, prej kohësh del në imazhin e lypësve të shtuar nëpër gjithë segmentet urbane të Tiranës dhe qyteteve të tjera, por nuk mbulohet dot nëpër banesat periferike ku struken tmerruese pamjet e të varfërve mitikë të këtij moderniteti shqiptar dhe natyrisht më peshueshëm në shtimin e ortekshëm të të papunëve nëpër sektorët privatë dhe publikë. Shteti po bëhet çdo ditë e më i pafuqishëm për të qenë dalëzotës financiar i mjedisit dhe nevojës sociale në krejt vendin.

Në Shqipërinë e sotme, askush nuk mund ta mohojë se kriza sociale ka dalë e para në rrugë. Është një dalje që vijon dhe që sipas të thënave dhe gjasave daljen sapo e ka nisur. Për arsye dhe shërbesa të politikës, në ditët e ardhme elektorale mund të shfaqet edhe më turmshëm. Por, sido dhe sado të justifikohen apo akuzojnë palët për manipulim dhe lojë me këtë dalje në rrugë”, sërish nuk kanë fuqinë dhe forcën ta rikthejnë atë në “shtëpinë e ish-qetë”.

Kur kriza sociale del në rrugë, e fshehura krizë e politikës nuk qëndron më dot e mbyllur. Atë e nxjerr përdhunshëm, pavarësisht nga tinëzarllëku, vetë qytetari dhe pësimi i tij i padurueshëm. Në këtë betejë të afërt elektorale, palët politike meritojnë të pajisen me ndërgjegjen e ndërhyrjes në kohë dhe të mospërdorimit të saj, pasi kësaj here ajo ka pasoja dhe vlera pësimi jo për banorët e tanishëm të kësaj republike, por për të ardhshmit dhe të pasardhshmit tanë.

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama