Warning: preg_replace(): Unknown modifier '{' in /home/shqiperia/application/views/helpers/Fetchterms.php on line 13

Notice: compact(): Undefined variable: extras in /home/shqiperia/library/Zend/View/Helper/HeadLink.php on line 381

Urim me ulërimë?

Shkruar nga: Edmond Tupja  
Botuar më: 13 vite më parë

Edmond Tupja
Urim me ulërimë?

Po afrojnë festat e fundvitit dhe, kësaj radhe, njerëzit po duken si më të gëzuar ose, për të qenë më i saktë, si të lehtësuar nga një siklet i madh: 21 dhjetori kaloi dhe bota nuk mori fund, duke përgënjeshtruar kështu, në një farë mënyre, parashikimin e kalendarit maja. Pikërisht në këtë atmosferë shoqërore paksa si të veçantë, më erdhi elektronikisht, nga një kolege e vjetër, një urim i plotë me rastin e Vitit të Ri dhe të Krishtlindjes, që ua kishte nisur njëkohësisht edhe 162 të tjerëve, prej të cilit po veçoj këtë fjali: “…Ju sjelltë ky vit begati dhe shuuuuuuuuuuuuuuuuuuuuuuumë para!…”.

Numërova “u”-të te ndajfolja “shumë”: më dolën rrumbullak 23 dhe m’u bë sikur dëgjova një ulërimë të stërgjatur ujku të uritur për… para. E kuptoj më së miri kolegen time të nderuar: Sigurisht, pa paranë nuk bëhet asgjë, ajo duhet edhe për shëndetin, edhe për mirëqenien materiale, edhe për mirëqenien shpirtërore, me një fjalë, për gjithçka. Veçse nuk kuptova përse duheshin fiks 23 “u”: Mos vallë sepse po t’u shtonim edhe dhjetë të tjera do të dilnim te mosha 33-vjeçare, në të cilën e kryqëzuan Krishtin dhe se për Krishtlindje duhet patjetër të kujtojmë mënyrën e mynxyrshme se si ai vdiq në kryq?

Por le të kthehemi te paraja. Prej kohësh kam deklaruar me gojë e me shkrim se, sipas mendimit tim të paktën, paraja është një lavire, por e një lloji të veçantë: ajo është e pashmangshme në atë farë mënyre që bota jonë, ashtu siç e kanë konceptuar e ndërtuar të parët tanë, nuk mund të funksionojë pa atë. Funksionon falë parasë, por pikërisht paraja, mënyra se si fitohet, shpërndahet dhe përdoret ajo – veçanërisht nëpërmjet bankave – solli krizën që po jetojmë e përjetojmë, pa përmendur dukuri të tjera të frikshme për njeriun dhe shoqërinë e sotme. Kështu, paranë e gjejmë edhe në themel, edhe në majë të korrupsionit ngadhënjimtar jo vetëm në Shqipëri, por edhe në mbarë botën.

Gjithsesi, le të këqyrim atë që ndodh pikërisht në Shqipëri: A nuk po kthehet (në mos është kthyer tashmë) korrupsioni në një dukuri thuajse normale? A nuk po bën ai kërdinë që nga baza deri te maja e piramidës shtetërore? A nuk po grinden, rrihen ose vriten njerëzit deri brenda familjes për para e për prona, madje qoftë edhe për një gardh, për një rrënjë ulliri? A nuk po shiten apo, edhe më keq, kurvërohen shpirtërisht për para individë të veshur me pushtet politik, ekonomik, socialkulturor, gjyqësor etj., etj.?

Sidoqoftë, lexuesi i vëmendshëm dhe i paanshëm i rubrikës sime të përjavshme mund të më pyesë me plot të drejtë: “Po ju, zoti Tupja, a keni nevojë për para?”. Ja çka mund t’i përgjigjem atij krejt sinqerisht: Po, edhe unë kam nevojë për para, por jo për shumë para me 23 “u” si ulërimë ujku të uritur! Kam nevojë për aq para sa të jetoj, jo babëzisht, grykësisht, makutërisht e pangopësisht, por denjësisht si njeri i ndershëm që beson te disa virtyte të vjetra sa vetë bota, me të cilat e kanë ushqyer prindërit e të afërmit, me të cilat vazhdojnë ta ushqejnë familjarët, shokët, miqtë dhe kolegët e vërtetë, librat dhe përvojat e mençura të të tjerëve.

Së fundi, por jo më së paku, e falënderoj kolegen time të vjetër për urimin me rastin e Vitit të Ri dhe të Krishtlindjes dhe i sugjeroj që, në urimet e viteve të ardhshme, togfjalëshin “shumë para” me 23 “u”, ta zëvendësojë me fjalën e ndershme “punë”, aq më tepër që, në urimin e saj, ajo përdor fjalën “begati”, e cila e përmban idenë e parasë; prandaj, krejt miqësisht e çiltërisht, i uroj me gjithë zemër e mendje shëndet, paqe, punë, begati, harmoni në familje e në shoqëri dhe, sidomos, dritë të kthjellët në shpirt!

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama