Artan Fuga / Anëtar i Akademisë së Shkencave
E meqë jemi rastësisht te "koka" e Pashait të madh të vrarë, unë nuk jam dakord që koka e tij të sillet në Shqipëri duke u bashkuar me trupin në një varr të përbashkët.
Pse?
E para, sepse ajo është një nga dramat themeluese të historisë sonë kombëtare. Trupi dhe koka të ndarë. Dramat historike nuk kanë nevojë të korrigjohen postmortum, le të jetojnë si drama, sepse ashtu kanë jetëgjatësi dhe e tronditin më shumë ndërgjegjen kombëtare, e mbajnë zgjuar. Një kokë e prere nuk mund të bashkohet me trupin e vet në varr, sado nderime ti bëhen. Do të ishte një mbyllje e dramës ë mënyre iluzore: "Më në fund koka dhe trupi u bashkuan në varr dhe çdo gjë shkoi për mrekulli." Do të ishte një përrallë.
E dyta, është hera e parë që të huajt që na kanë sulmuar, kanë vlerësuar kokën e udhëheqësit dhe jo anën materiale, trupin e tij. Marrja e kokës si provë e asgjësimit të prijësit nga armiqtë e huaj e atëhershëm, tregon se sa rëndësi ka koka e elitës drejtuese të kombit kur kjo kokë është mbushur plot me synime të zgjuara dhe mendjemprehtësi. Le të rrijë koka mënjanë sepse tregon forcën e saj. Është një kokë që qëndron më vete pa pasur nevojë për trup. Kjo është koka e veçantë, kurse kokat e zakonshme duan trup, këmbë, shpatulla që të qëndrojnë drejt.
E treta, sepse duke qenë koka atje lart, sikurse trupat e njerëzve të mëdhenj të kombit larg, shtrirë në vise të huaja, do të na bëjnë dhe do ti bëjnë të huajt të mendojnë për imazhin e Shqipërisë dhe të shqiptarëve.
Nuk i mbledh Roma e sotme diamantet e mbetjeve arkeologjike të Romës së vjetër, shpërndarë nëpër Europë, por i le atje, si prova e madhështisë së saj.
Lëreni kokën e Aliut të madh Pasha të prehet atje ku është dhe ka bërë vend ë dhè dhe në ndërgjegjen shqiptare pikërisht duke qenë e ndarë nga trupi i Aliut - njeri.
Mos e qetësoni ndërgjegjen kombëtare sepse ajo bie në gjumë pastaj!
Nuk i merr Athina trupat e ushtarëve të rënë grekë varrosur në territorin shqiptar. Ka një strategji për këtë.
Por, çfarë mund të bëjmë?
1. Ti nderojmë e ti mirëmbajmë eshtrat e të mëdhenjve të kombit atje ku ata janë varrosur, anë e kënd botës, si shenja të mëdha të simboleve planetare shqiptare. Të ngremë atje në mënyrë dinjitoze shenjat e tyre përkujtimore e ti mbulojmë me lule rregullisht.
Kjo është diplomaci kulturore.
2. Të ngremë shtatoren e Aliut të madh, Pasha, në dy ose tre pika të rëndësishme të kombit, në Shqipëri a Kosovë, por pa kokë.
Aliut të madh Pasha i duhet një shtatore pa kokë.
Ajo do të na shfaqet gjithmonë, do të na kujtojë se kush jemi, nga vijmë, çfarë rëndësie ka koka e një elite të vërtetë kombëtare, dhe si na kanë prerë e ndarë të huajt kur kanë ardhur si sulmues për të marrë lirinë tonë.
Është rasti ndofta i vetëm në historinë e kulturës kur mungesa e kokës e individualizon një personazh të madh historik, kurse ngjitja e kokës pas vdekjes, do ta bënte monumentin si qindra të tjerë të ngjashëm.
Lum ai skulptor që do ta bëjë Aliun e Madh shtatore duke mbajtur kokën e vet në duar, kokë e rënë në mendime, duke parë larg, e duke kundruar veten të shkëputur nga trupi i vet, si vetëflijim për hir të ëndrrave të mëdha.