Warning: preg_replace(): Unknown modifier '{' in /home/shqiperia/application/views/helpers/Fetchterms.php on line 13

Notice: compact(): Undefined variable: extras in /home/shqiperia/library/Zend/View/Helper/HeadLink.php on line 381

Kthimi i RTSH publikut dhe jo kalim i tij dorë më dorë

Shkruar nga: Artan Fuga  
Botuar më: 11 vite më parë

Artan Fuga
Kthimi i RTSH publikut dhe jo kalim i tij dorë më dorë

Ka pasur prej disa muajsh, pas shumë kritikash, idera për reformimin e vërtetë të Radiotelevizionit publik. Kuptohet, nisur nga një fakt i pamohueshëm. Sidomos para zgjedhjeve të qershorit, por vite me radhë, desha të them për dy dekada, ai nuk ka mundur ti shpëtojë thundrës së politikës. Ka braktisur publikun për pushtetin, një lloj tradhtie, sikurse thotë Julien Benda për intelektualët që tradhtojnë Zotin e tyre, të vërtetën lakuriqe, për një mijë pretekste të kota.


Problemi është se në këto debate, veç ideve racionale, ka diçka që nuk shkon, madje jo vetëm një gjë.


Kur dikush shkruan se Radiotelevizioni publik nuk duhet fare, meqë punën e tij e bëjnë privatët, e mira është të respektojë dhe parimin e transparencës, pra të shkruajë poshtë emrit të tij, sikurse e kërkon etika, se është i punësuar në media private ose afër tyre, pra se shkruan në kushte konflikte interesi. Përndryshe, është i papabesueshëm kur interesin e tij apo të padronit të tij, kundër së mirës publike, e mbron për një krodhe bukë publikisht.


Por, kjo është ana etike, sepse kur është fjala për përmbajtjen, ka ide për televizionin publik dhe modelin e tij, që një pjesë janë së paku të viteve 90, pra dy dekada mbrapa dhe nuk mbajnë parasysh se si janë zhvilluar sot shkencat e komunikimit masiv në vende kaq të rëndësishme anglosaksone, kur liria dhe cilësia e medias është e nivelit që ne nuk e kemi fare.


Po kështu, veç analizave të mira, edhe brenda medias publike na kanë ardhur në opinionin shoqëror analiza që e shohin çështjen me anësi dhe jo drejt në sy. Nuk thotë kot ajo fjala e urtë, e kthyer mbrapsht, se i zoti nuk e di ku i pikon çatia. Politizimi dhe mungesa e informacionit të saktë, kritik, informimi i publikut i cunguar, nuk janë vetëm të këqijat e pranimit të vendosjes së institucionit nën thundrën e politikës, kthimi në shërbëtor politik i gazetarit. Ka diçka profesionale që mbetet e njëjtë nga legjislatura në legjislaturë, politizimi dhe hierarkia institucionale e lajmit dhe e informacionit. Niset gjithmonë nga një deklaratë institucionale, niset gjithmonë me zyrtarët e shtetit, me informimet që vijnë nga zyrat e marrëdhënieve publike dhe të agjit-propit, ndërfutet gazetari ose spikeri më mirë që citon, pastaj përsëri shtetari live, pastaj turma që përshëndet. Kjo është struktura e informacionit, formale, që vjen si kaskadë shtetërore dhe që ende funksionon sipas logjikës se faktin e ndriçon pikëpamja zyrtare.


Të mos hyjmë pastaj që kjo logjikë editoriale përcakton edhe gjithçka tjetër që transmetohet dhe nuk ka zot administratori, i fajshëm, i pafajshëm, i vuejtshëm, indiferent, që ta ndryshojë dot.
Ideja se televizionet private apo mediat private e kanë dëshirën për ta shkatërruar televizionin publik, nuk është pa gjë. Kudo interesi privat e ka për ves të ndikojë fuqinë shtetërore që ajo ti shkatërrojë instrumentet e së mirës publike, që ka për detyrë ti mbrojë e zhvillojë. Shihni si janë katandisur bibliotekat para dëshirës për të shitur libra, shihni kinematë përpara interesit të televizioneve komerciale, e kështu pa fund.


Por, po aq e mbrapshtë dhe e pagjetur është edhe kur arsyeja e politizimit thuhet se qëndron te fakti se buxhetin na e jep qeveria, prandaj qeverisë do ti bëjmë hyzmet. Lekët i jep taksapaguesi dhe atij i duhet shërbyer, kurse qeveria apo shteti, Kuvendi, nuk kanë veçse detyrën të kontrollojnë që interesi publik në informim të realizohet si duhet.


Ende, e theksoj, gjykohet se meqë kemi televizionet private, pse na duhet edhe një publik, për më tepër televizioni privat merret si kulmi i lirisë, si modeli për tu ndjekur në pavarësinë editoriale, dhe kërkohet që dhe televizioni publik të ndjekë modelin e televizioneve private si efikase, cilësore etj.


Këta njerëz shkruajnë pa i njohur rezultatet e kërkimit shkencor perëndimor në fushën e mediave masive. Dinë slogane të thëna nja njëzet vite më parë. Kaq. Pjesa tjetër është dëshira, pasione, interesa.


Nuk është fare e vërtetë, nga matjet e bëra, që televizionet komerciale në botën e sotme janë më të pavarura nga politika apo nga qeveritë, si nga minutazhi i kushtuar kritikave ndaj politikave qeveritare, ashtu edhe nga toni, pozicioni i informacionit dhe sensi i tij. Aq më pak ata informojnë qytetarin, meqë interesi i tyre është klienti si blerës potencial i mallrave të reklamuara dhe jo qytetari i përgjegjshëm që mban qëndrime politike. Për të mos folur pastaj për televizione të ndryshme komerciale shqiptare, ku problemi i pavarësisë nga qeveria ose nga politika kërkon net të tëra dimri për tu debatuar. Nuk ka kuptim që të funksionojë media private me shpenzimet e taksapaguesve, që shkojnë si reklama pa pikë kuptimi dhe pa pikë interesi publik.


Prandaj, sikurse thuhet sot dhe argumentohet me mediametri të përpunuar hollësisht, pavarësia e informacionit, sidomos në epokën dixhitale, nuk shihet aq me shpresë te televizionet komerciale, por tek ato publike, ndonëse edhe ato kanë gjynahet e tyre.


Televizioni publik në vendet e Lindjes, edhe tani në fazën e postkomunizmit, i ngjan atij të kohës komuniste, por në fakt u shërben interesave të partive politike në pushtet. Një agjenci e politizuar ku shumicën e ka qeveria, personel tejet i fryrë për militantë i televizionit publik, buxhete të ngrira dhe të marra pa meritë, mbulim territori jo më e i mirë sesa televizionet private dhe, mbi të gjitha, një pjesë shumë të kufizuar të tregut të kthyer në telespektator besnik. Çfarë i duhet atëherë publikut ky model?


Mirëpo shpesh dëgjohet se edhe televizioni publik duhet të anojë nga marrja e reklamave, nga gazetarët e paguar si bosa firmash ndërtimi, dhe se duhet ta masë ndikimin e tij me audiencën si masë telespektatorësh. Është e qartë që nuk njohin se për çfarë fushe flasin. Kudo në literaturën e sotme më të zhvilluar theksohet se ndikimi i reklamës mbi informacionin dhe programacionin ka qenë kufizues për televizionet komerciale. Kush gjen më një opera, një teatër, një debat për librin, një dokumentar shkencor në prime time, vlera këto të pazëvendësueshme për edukimin publik, atje ku programacioni mbizotërohet nga reklama. Nuk është e ardhmja e televizionit publik reklama, sado që edhe ajo brenda disa kushtesh dhe kufijsh mund të përdoret.


Televizioni publik duhet të ketë përparësi reklamën e brand-it «Made in Albania», sidomos të bizneseve të vogla dhe të mesme shqiptare, me çmime reklamimi shumë të lira. Këto sipërmarrje i ka mbytur informacioni asimetrik në shërbim të reklamave për firmat e mëdha të huaja. Ato, duke ngritur «pazarin» për lekë/sekonda në çmimin e reklamave, krijojnë barriera të qëllimshme për të penguar reklamën e ardhur nga firmat e vogla dhe të mesme vendëse. A ka pastaj arsye të çuditemi që prodhimi vendës është i rrudhur?


Televizioni publik nuk është thjesht një media informimi, sikurse e konsiderojnë, por është edhe me potenciale të jashtëzakonshme transformimi ekonomik, demokratizimi politik, emancipimi kulturor, vlera që i ka harruar, ose më mirë nuk ka arritur ti ketë asnjëherë. Është instrument progresi.


Televizioni publik ka për detyrë që të kujdeset për një hapësirë publike dinamike dhe demokratike. Ndaj detyra e tij nuk është thjesht të kapë qytetarin masiv më të numërt, por mbi të gjitha, edhe tu japë zë në shoqëri minorancave të heshtura, segmenteve elektorale që janë injoruar nga televizionet komerciale. Televizioni publik nuk shihet si një makinë e nxehtë që bën parà, por si një instrument që e informon publikun, por edhe e sjell publikun në skenën e fjalës së lirë. Kjo kulturë interaktive, me dy kahje, ky informacion që ka të bëjë me atë që quhet co-gestion, bashkëqeverisje e televizionit publik, nuk shihet asgjëkund.


Duket se televizionin publik duan si gjithmonë ta kalojnë dorë më dorë dhe jo ta kthejnë tek i zoti, tia kthejnë hakun të zotit, pra ta kthejnë te pronari i vërtetë, që është publiku dhe jo shteti.
Nuk matet performanca e televizionit publik me audiencën anonime masive. Ky do të ishte pikërisht shkretimi përfundimtar i tij.


Mbi të gjitha, nuk është e vërtetë, shkencat e financave na e vërtetojnë sot, se pagat incentive, pra shumë të larta, garantojnë cilësi të mirë pune. Duhen shpërblime me meritë, por jo si qëllim më vete, sepse pagat e larta financiarisht bëjnë që interesi i parasë të pamarrë me meritë dhe në formë proporcionale e dëmtojnë cilësinë e punës, dhe paraja shpesh e çon institucionin për dreq. A nuk kishin incentive të mëdha administratorët e bankave që falimentuan? Analiza është pikërisht që për ato paga të larta ata futën edhe bankat në rrugën e falimentimit.


Pa dyshim televizioni publik kërkon cilësi shumë të lartë. Pa dyshim që dixhitalizimi i tij është rruga e mbarë. Por, nuk zgjidhet çështja e cilësisë mbi bazën e koncepteve teknokratike. Shumë kanale, pa fund kanale, jo vetëm nuk e bëjnë më cilësor informacionin, por edhe mund ta dëmtojnë atë. Nuk është sasia e kanaleve që bëhet matëse e cilësisë. Televizioni publik ka nevojë ta bëjë koheziv opinionin kombëtar, sigurisht duke zhvilluar edhe pluralitetin linguistik, kulturor, regjional etj., dhe jo ta copëzojë sipas koncepteve të televizioneve komunitariste.


Tjetër televizioni komercial.
Tjetër televizioni komunitarist.
Tjetër televizioni publik.
Tjetër televizioni i specializuar.


Mbi të gjitha, në rend të ditës është centralizimi i flukseve informative për të cilat nuk flet askush. Televizioni publik duhet të ketë antena regjionale dhe redaksi regjionale, atij i duhet të mbulojë lajmin lokal të braktisur nga televizionet komerciale dhe nga mediat në përgjithësi, duke përfshirë edhe atë vetë, i duhet të shërbejë audiencat lokale, sepse koha jonë është e informimit hiperlokal dhe jo e atij gjeneralist të dalë boje. Po kështu, decentralizim, sepse duhet ndarë konceptimi i programeve, prodhimi dhe distribuimi i tyre në aktorë të pavarur si parakusht i autonomisë editoriale dhe i shpirtit publik të medias publike.


Është e frikshme ideja që televizioni publik ta ruajë pavarësinë nëpërmjet dyzimit politik, sikurse kanë bërë me shumë institucione ku shteti ligjor është zëvendësuar nga bipartizanizmi. A thua se dyfish politizimi sjell mungesë politizimi! Ideja e dy newsroom-eve me kahje politike kontradiktore, një për qeverinë dhe një për opozitën, do të ishte një atentat ndaj interesave të publikut, që do ta shihte veten të përjashtuar nga pronësia e tij legjitime mbi mediat publike.


Mirëpo, në vend të bëhet reforma e administrimit të medias publike, kryhen fillimisht emërime sipas parimeve dhe logjikave të vjetra. Gazetari i medias publike ka nevojë për së pari për status që e garanton nga presionet e politikës. Bordet e drejtimit duhet të përfaqësojnë të gjithë aktorët që e përfaqësojnë informimin publik, punonjësit, sindikatat, gazetarët, teknikët, duke hapur vend edhe për aksionerët, sepse televizioni publik, si çdo e mirë publike, nuk ka përse të mos pranojë edhe hapjen e një pjese të kapitalit të tij për aksione private, duke krijuar ekuilibrime të natyrshme brenda tij. Duhet të pritet zinxhiri i komandës politike, që e çon urdhrin dhe diktatin politik të fshehur apo të hapur nga politika, nga administrata, te gazetari që nuk di pastaj nga tia mbajë.


Televizioni publik ka nevojë të respektojë «fletoren e ngarkesës», pra të ketë emisione që respektojnë orare dhe kohë transmetimi për operatorët publikë, për kulturën shqiptare, për filmin dhe dramën shqiptare, e jo të rendë pas kampionateve amerikano-jugore të futbollit, për muzikën popullore shqiptare, për çështjen kombëtare, etj. Dhjetëra emisione kanë vend të konceptohen dhe realizohen direkt nën veprimin e aktorëve të shoqërisë civile. Politika i ka rrëmbyer mikrofonin dhe kamerën qytetarit dhe publikut.


Jemi në kohën e mediave të integruara dhe të newsroom-eve dixhitale që janë mundësira të papara, dhe televizioni publik ka mundësi ti zhvillojë ato. Kush ka frikë nga konkurrenca e televizionit publik ndaj atyre komerciale zhvillon një psikologji frike të kotë. Dhe hyn në paradoks. Duke e konceptuar televizionin publik si televizion komercial, atëherë po, ky rrezik është. Por, sa kohë që televizioni publik e ekuilibron fushën e informimit publik dhe atë të industrisë krijuese, por nuk konkurron në kuptimin e parë, të fjalës, nuk ka vend për frikë. Dihet që ky televizion ka mision, fushë interesash, objektiva dhe forma administrimi që nuk kanë të bëjnë fare me ato të mediave private. Ai drejtohet drejt publikut dhe jo drejt konsumatorit, që interesohet për reklamat si prioritet i matjes së audiencës.


Adiometria e zbatuar për televizionin publik përpunon dhe ka përpunuar njësi matëse dhe instrumente matës krejt të tjerë nga ato që përdorin mediat private dhe prandaj nuk i bashkëmat dot njëherësh. Janë dy pesha të ndryshme, që kërkojnë të maten me dy peshore të ndryshme.
Jepjani Radiotelevizionin publik publikut, mos e kaloni dorë më dorë!

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama