Warning: preg_replace(): Unknown modifier '{' in /home/shqiperia/application/views/helpers/Fetchterms.php on line 13

Notice: compact(): Undefined variable: extras in /home/shqiperia/library/Zend/View/Helper/HeadLink.php on line 381

Ekstaza politike e zonjës Topalli

Shkruar nga: Gaqo Apostoli  
Botuar më: 17 vite më parë

Gaqo Apostoli
Ekstaza politike e zonjës Topalli

Ekstaza politike e zonjës Topalli

Marrja e ftesës së anëtarësimit në NATO u dha padyshim një gëzim të ligjshëm shqiptarëve të cfilitur për dekada të tëra, tepër të lodhur në këtë tranzicion pafund dhe të vrarë në shpirt nga kjo politikë qeverisëse e çmendur, që çoi në humbëtirë Gërdecin e përgjakur. Përballë këtij gëzimi të ligjshëm të shqiptarëve duket tejet fals shpërthimi festiv deri në një lloj euforie apo ekstaze politike të liderëve të papërgjegjshëm të maxhorancës së sotme keqqeverisëse. Në gjendje të ekstazave të tilla politike, zonja Jozefina Topalli arrin në definicione të rëndësishme të saj dhe, njëkohësisht me naivitet dhe papërgjegjshmëri, lëshon deklaratën "historike", se marrja e ftesës së anëtarësimit në NATO konsiderohet si fundi i periudhës së tranzicionit në Shqipëri. Sigurisht, kjo deklaratë nuk mund ta mbulonte dot kraterin e shpërthimit të llahtarshëm të Gërdecit. Kjo deklaratë e cekët, cinike dhe pafundësisht mashtruese mundet vetëm të hapë kratere të reja vdekjeprurëse. Kratere të reja, kësaj here në shpirtrat e njerëzve, të gjallë e të vdekur.


***

Le t‘i përgjigjemi në mënyrë sintetike pyetjes që lind natyrshëm, se cili moment historik do të mund të konsiderohet si fundi i periudhës së tranzicionit në Shqipëri? Një gjë rezulton e qartë që në fillim: Pa zgjedhje të lira, të ndershme dhe demokratike, nuk ka fund ky tranzicion i llahtarshëm, që qëndron mbi jetët tona si një mallkim. Gëzimi i natyrshëm i shqiptarëve për marrjen e ftesës për anëtarësim në NATO nuk mund ta mbulojë kurrsesi mungesën e një sërë reformave kardinale të pakryera nga shteti shqiptar dhe, para së gjithash, mungesën e reformës elektorale. Në këtë kontekst, ftesa për anëtarësim në NATO mund të konsiderohet si një paradhënie e madhe që Shqipëria mori në kushtet e këtyre reformave të pakryera. Në këto ditë të paradoksit të madh të kësaj pranvere që shpërthen në lule dhe ulurima, pothuaj të njëjtët shqiptarë rrjedhin periferive të vendit apo derdhen shesheve të qyteteve duke përzierë gëzimin pakufi për NATO-n e fuqishme me dhimbjen e parikuperueshme për ata që u vranë dhe u gjymtuan në rrënojat e Gërdecit.

Gjithkush e di se realizimi i reformave ishin kushtet që duhet të plotësonte Shqipëria për t‘u anëtarësuar në aleancën më të fuqishme politiko-ushtarake të botës. Këto kërkesa të përsëritura qartë dhe prerë për të kryer reformat në kohë nuk u realizuan nga politika e mbrapshtë shqiptare. Çdo analizë të çon në konkluzionin e thjeshtë: Shqipëria e mori ftesën, sepse vendet anëtare të NATO-s vlerësuan aspiratën e madhe të popullit shqiptar për integrimin euroatlantik të vendit të tyre, si dhe rëndësinë kardinale gjeostrategjike të vendeve të "Adriatik 3" në mbrojtje të stabilitetit të rajonit e më gjerë.


***

Në këtë kuptim, çdo deklarim vlerësues i tipit, se Shqipëria e meritoi ftesën, sepse ka kryer reformat e duhura, tingëllon krejtësisht fals dhe i pabesueshëm për shoqërinë shqiptare. Deklarime të tilla, nga çdo anë e globit që të vijnë, i ngjajnë përrallës së famshme të Andersenit, kur rrobaqepësit gënjeshtarë, që kishin hapur thashethemnajën e paturpshme për një kostum hata që i kishin qepur mbretit, e nxorën atë në rrugë krejtësisht lakuriq dhe njerëzit që e shihnin, nga frika apo nga një turp psikologjik i krijuar, thoshin: "Sa i bukur është kostumi!". Dhe vetëm një fëmijë, me pafajsinë e tij të pamolepsur nga psikologjia e marrë që kishte pushtuar shoqërinë, i thotë me zë të lartë të atit: "O ba, mbreti është lakuriq!", duke turpëruar tërë njerëzinë që, ndonëse e shihte të vërtetën, nuk po guxonte ta pohonte.

Duke e parë "drejt në sy" këtë të vërtetë të marrjes së ftesës për anëtarësim në NATO, shoqëria shqiptare nuk duhet të bjerë në thashemnajën që përhapin rrobaqepësit gënjeshtarë të lidershipit të politikës qeverisëse, apo korifej të tjerë përtej kufijve tokësorë, detarë dhe ajrorë që, ndonëse i kemi për zemër, nga mosnjohja e realitetit politiko-qeverisës, duan të na thonë fjalë të mira për të na mbajtur me gajret apo për të na inkurajuar. Duke i veshur Shqipërisë një kostum të gënjeshtër reformash, pushtetarët e sotëm mashtrues vazhdojnë ta mbajnë atë thuajse lakuriq rrugëve të demokracisë të këtij tranzicioni të pafund.


***

Duke e konsideruar marrjen e ftesës së anëtarësimit në NATO të një rëndësie të papërsëritshme, shqiptarët duhet ta dinë gjithashtu se NATO nuk mund të zëvëndësojë mungesën e reformave për të realizuar standardet demokratike në procesin e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme. Ata duhet të ushtrojnë tërë presionin demokratik që ta detyrojnë me hir a me pahir politikën e mbrapshtë dhe agresive shqiptare që t‘i kryejë këto reforma vitale, në interes të përfaqësimit sa më të plotë të institucioneve politike e të kategorive sociale të shoqërisë në parlament. Në të kundërt, jeta e lodhur shqiptare do të vazhdojë të mbajë në shpinën e saj të kërrusur peshën e rëndë të institucioneve shtetërore të deformuara, të prodhuara nga formacione të përbindëshme parlamentare, si produkt i zgjedhjeve të dhunuara në mënyrë permanente. Në këto kushte, edhe ftesa e NATO-s, e konsideruar si paradhënie për anëtarësim, do të kishte peshën e rëndë të një haraçi, tepër të vështirë për t‘u përballuar. Në një kontekst të tillë, vetëm realizimi i standarteve demokratike në proçesin e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme, do të mund të konsiderohej si fundi i periudhës së tranzicionit të stërzgjatur në Shqipëri. Është institucioni i zgjedhjeve të lira, të ndershme dhe demokratike ai, i cili qëndron në themel të shtetit të së drejtës që shqiptarët duan të ndërtojnë; është pikërisht ky institucion, i cili qëndron në themel të zhvillimit të vendit dhe të integrimit të tij në strukturat euroatlantike.

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama