Warning: preg_replace(): Unknown modifier '{' in /home/shqiperia/application/views/helpers/Fetchterms.php on line 13

Notice: compact(): Undefined variable: extras in /home/shqiperia/library/Zend/View/Helper/HeadLink.php on line 381

Zgjidhja e ngerçit te ndarjes se mandateve

Shkruar nga: Artan Hoxha  
Botuar më: 12 vite më parë

Artan Hoxha
Zgjidhja e ngerçit te ndarjes se mandateve

I. NGËRÇI

1. Në vazhdën e veprimeve të tensionuara të përgatitjes së zgjedhjeve 2013 palët politike ngecën në çështjen e shpërndarjes së mandateve  për 12 qarqet e vendit. Administrata e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), pasi kreu veprimet e thjeshta aritmetike, bazuar në të dhënat e nëntorit 2012 të shpërndarjes së popullsisë sipas qarqeve të ofruara nga Drejtoria e Përgjithshme e Gjendjes Civile, propozoi një shpërndarje që ndryshonte nga ajo e zgjedhjeve 2009: Qarku i Beratit, nga 8 mandate bëhej me 7; Korça nga 12 me 11, Tirana nga 32 me 33 dhe Durrësi nga 13 me 14 mandate. Socialistet hodhën akuza për manipulim të të dhënave me qellim “vjedhjen e 3 mandateve në tryezë”, siç edhe tha Gramoz Ruçi në një nga seancat parlamentare në dhjetor. Socialistët kërkuan komision hetimor parlamentar, që nuk u ngrit për shkak të antikushtetutshmërisë së objektit të hetimit sipas demokrateve, të cilët thanë se “pretendimi socialist duhej adresuar në Prokurori e jo ne Kuvend”. Debatuesit përdorën lloj-lloj argumentesh e hipotezash, që nga ato të “konspiracionit viril” deri tek ato të “virilitetit konspirativ”. Në KQZ, pas debateve të shumta, propozimi i administratës u rrëzua pasi mori vetëm 4 vota pro të anëtarëve të partive qeveritare dhe 3 vota kundër të anëtarëve të partive opozitare.

2. As demokratët, as socialistët, as socialistët integrues, as social-demokratët e as demokrato-socialistët, as grekët e as çamët, as republikanet e as monarkistët, as ballistët e as komunistët nuk ngritën padi në Kolegjin Zgjedhor. KQZ, përmes letrës së debatuar të sekretares së Përgjithshme, njoftoi Kuvendin për vendimin me pasojë “mosmiratimin e një ndarjeje të re për zgjedhjet 2013”. Komisioni i Ligjeve të Kuvendit, përmes relatorit demokrat Edi Paloka, vendosi dje, me shumicë votash, mbajtjen e së njëjtës shpërndarje të mandateve të zgjedhjeve 2009. Publikisht PS i mbahet qëndrimit se çështja duhet rishqyrtuar nga KQZ, por, nga qëndrimet larg kamerave dhe mungesa e nervit, duket se nuk po e prish terezinë se çështja po vendoset nga Kuvendi. LSI gjithashtu i mjafton që nuk i preket Berati dhe ndarja 2009, në KQZ a Kuvend, është zgjidhja edhe për të.

II. FORMULA E SHPËRNDARJES SË MANDATEVE

3. Në zbatim të parimin kushtetues të proporcionalitetit në shpërndarjen e 140 mandateve për 12 qarqet e vendit, Kodi Zgjedhor 2009 ka adoptuar një formulë rigoroze matematike. Numri i shtetasve, afro 4,2 milionë, pjesëtohet me 140, nga ku del numri i shtetasve që përfaqësohen nga një mandat. Popullsia e çdo qarku pjesëtohet me këtë numër, nga ku del një rezultat për çdo qark (p.sh. 12.3; 7.8 etj.). Fillimisht, çdo qarku i caktohen aq mandate sa ç’është numri i plotë (12; 7 etj.). Në këtë mënyrë shpërndahen pjesa më e madhe e mandateve (p.sh. 132). Pjesa që mbetet – 8 në shembullin tonë – u shpërndahet atyre 8 qarqeve të cilat numrin pas presjes dhjetore e kanë më të madh se ai i 4 qarqeve të tjera.

4. Aplikimi i formulës për zgjedhjet 2009 dha rezultatin vijues: Berati 8; Dibra 6; Durrësi 13, Elbasani 14; Fieri 16, Gjirokastra 5; Korça 12; Kukësi 4; Lezha 7; Shkodra 11; Tirana 32; Vlora 12. Për zgjedhjet 2013, sipas ndryshimit të popullsive këto katër vite rezulton që dy qarqe humbasin nga një mandat dhe dy të tjera fitojnë këto dy mandate. Korça, e cila në janar 2009 e kishte koeficientin 11.608 dhe mori 12 mandate, tashmë rezulton me koeficient 11.441 dhe mbetet me 11 mandate. Mandati që i hiqet Korçës i jepet Tiranës, e cila, ndërsa në vitin 2009 e kishte koeficientin 32.339, tashmë e ka 33.119. Po kështu Berati, i cili në vitin 2009 e kishte koeficientin 7.681 dhe mori 8 mandate, tashmë e ka këtë koeficient 7.509 dhe humbet një mandat, i cili shkon në Durrës, qark të cilit koeficienti iu rrit nga 13.169 në vitin 2009, në 13.585 në vitin 2013. Në humbjen e një mandati Berati konkurron me Kukësin, i cili në vitin 2009 e kishte koeficientin 3.790 dhe rezulton me koeficient 3.534 për zgjedhjet e reja. Një ndryshim fare i vockël i presjes dhjetore me 0.2 a 0.3 bën që Kukësi të humbasë 1 nga 4 mandate, pra 25%, Berati 1 nga tetë, pra 12,5%, apo Korça një nga 12, pra me një efekt jo proporcional.

5. Duke i lënë lexuesit t’u japin të drejtë partive të zemrës nëse do të duhej të ishte Berati apo Kukësi që të humbiste një mandat, shtroj çështjen nëse një formulë e këtillë rigoroze dhe e ftohtë matematike është njëkohësisht edhe mënyra më e mirë e shpërndarjes së mandateve sipas parimit të proporcionalitetit, i cili asnjëherë s’mund të zbatohet me përpikëri, por veçse me përafërsi. Edhe në rastin e formulës, ai zbatohet me përafërsinë e radhitjes zbritëse të numrit pas presjes dhjetore. Edhe çdo mënyrë tjetër do të ishte e përafërt, pasi janë për t’u shpërndarë 140 mandate, për 12 qarqe e një popullsi prej afro 4,2 milion shtetasish.

6. Parimi që një numër i përafërt zgjedhësish përfaqësohen me një mandat në Kuvend është i drejtë dhe pra kriteri i popullsisë është dhe duhet të jetë kriteri dominant, por s’duhet të jetë kriteri i vetëm. Komunitetet në qytetet e fshatrat e krahinave malore të vendit janë të shpërndara në territore të gjera, larg Tiranës, kanë zë më të dobët, më shumë halle e nevoja, më pak burime, bashki e komuna më pak të fuqishme, më pak prezencë mediatike dhe, pra, kanë më shumë nevojë për t’u përfaqësuar në Kuvend e për t’u mbështetur nga deputetët e tyre krahasuar me komunitetet që jetojnë në Tiranë, Durrës etj. Deputetët që mbulojnë këto komunitete të largëta e në nevojë për t’i takuar e dëgjuar zërin e këtyre komuniteteve iu duhet të shpenzojnë më shumë kohë e burime sesa kolegët e tyre që mbulojnë zonat qendrore, fushore e bregdetare të vendit. Për sa kohë që deputetet janë jo vetëm ligjvënës, por edhe përfaqësues të komuniteteve krahinore dhe përcjellës e ndjekës të çështjeve të tyre, ky rol është i qenësishëm dhe i dobishëm ndaj nuk duhet vështirësuar për puritanizmin e një formule matematike.

7. Formula rigoroze matematike është e pandjeshme ndaj këtyre nevojave, realiteteve dhe parimeve të tjera të përfaqësimit, dëgjueshmërisë dhe përfaqësimit komunitar. Ajo nuk do t’ia dijë se Tiranës, shtimi i një deputeti nga 32 që ka aktualisht, nuk i sjell asnjë vlerë të shtuar komuniteteve që jetojnë në këtë qark të bekuar, ndërsa humbja e një mandati e dëmton përfaqësimin e komuniteteve të qarkut Korçë, deputetëve të të cilit iu duhet t’i kacavirren malësisë së Mokrës apo të hallakaten në fshatrat e shumtë të Kolonjës. Kjo vlen edhe më shumë në rastin e Beratit me malësinë e vet e të Skraparit, e aq më shumë Kukësit me malet e bukura, por fshatrat e shpërndara në Alpet e Shqipërisë, qarqe këto që mund të humbasin një mandat ndërkohë që një deputet më shumë për qarkun Durrës, nga 13 që ka aktualisht e që zonën më të vështirë ka kodrat e buta bregdetare të Ishmit apo kalanë e Krujës, nuk i sjell gjithashtu ndonjë vlerë të shtuar. Kjo vlen edhe për zgjedhjet 2017, kur t’i vijë radha Gjirokastrës apo Dibrës të humbasin nga një deputet, që, me shumë gjasa, do të përfundojnë përsëri në Tiranë e Durrës.

III. INTERESAT E NGUSHTA POLITIKE DHE ZGJIDHJA

8. Në kushtet e mosbesimit reciprok si dhe të padijes mbi efektet e mundshme në zgjedhjet 2009, në kohën e bërjes së Kodit diku nga gjysma e dytë e vitit 2008, duket se PD-PS vendosën zgjidhjen me formulë matematike duke shmangur përdorimin e kritereve jonumerike në shpërndarjen e mandateve, pasi këto kritere mund të shkaktonin debate pa fund dhe/ose deformime arbitrare. Por tashmë, duket se për shkak të interesave të ngushta politike dhe pasigurisë nga ndryshimi, palët, me shumë gjasa, po konvergojnë në ruajtjen e shpërndarjes 2009.

9. Ndërsa partitë i njohin mirë rezultatet e zgjedhjeve të shkuara dhe efektet e sistemit proporcional rajonal, si dhe mund të analizojnë përfundimet që dalin nga kombinacionet e aleancave, megjithatë e ardhmja është gjithnjë e panjohur qoftë lidhur me rezultatet, qoftë lidhur me aleancat që, sot për sot, janë ende mjaft fluide. Megjithëse zgjedhjet e shkuara flasin për një elektorat të ngrirë sipas kampeve, gjithsesi, ngrirja nuk është Zero Absolute, pasi ka lëvizje të vogla dhe luhatje, rëndësia e të cilave rritet për shkak të diferencave të ngushta e aq më shumë si rezultat i fluiditetit të qëndrimeve ndaj aleancave të mundshme. Shkurt, sado që analizojnë, aq sa iu duket se e zotërojnë tabelën e llogaritjeve, po aq partitë janë të pasigurta. Kjo i vë në dilemë lidhur edhe me shpërndarjen e mandateve, e në këtë situatë, prirja është më e fortë drejt sjelljes konservatore, pra të ruajtjes së ndarjes së shkuar, sesa sjelljes novatore, pra të ndryshimit të ndarjes së mandateve.

10. Sa për ilustrim: PD mund t’i interesojë që Korça të bëhet nga 12 me 11 mandate, pasi, në aleancë me LSI, sipas rezultateve 2009 dhe 2011 e qoftë edhe me një votë më shumë, Korça ndahet 6:5 në favor të koalicionit demokrat, në krahasim me ndarjen 6:6 që ndodhi në zgjedhjet 2009, dhe kjo përbën avantazh për demokratët. Por, a është e sigurt aleanca me LSI? Nëse nuk ndodh, Korça, me të njëjtën bazë të të dhënave a qoftë edhe me një votë më shumë, ndahet 5:6 në favor të koalicionit socialist, e në këtë rast janë socialistët të interesuar që Korça të humbasë një mandat, por edhe socialistët nuk janë të sigurt lidhur me pozicionin e LSI. Ndaj, mbajtja e Korçës me 12 mandate e që e bën rezultatin 6:6 statistikisht më të mundshmin, është zgjedhja e së keqes më të vogël si për PD, edhe për PS. Arsyetim i ngjashëm mund të bëhet edhe për qarqet e tjera qoftë kur humbasin e qoftë kur fitojnë një mandat, e duke konsideruar se ndryshimet janë të lidhura dhe çështja kërkon ose ndryshim në total ose fare, bëhet e kuptueshme pse as PD, as PS, as LSI e çdo parti tjetër nuk iu bëhet qejfi qeder nëse mbajnë shpërndarjen 2009 të mandateve. Shkurt, qëndrimi në vend duket më i mirë se ecja kuturu.

11. Interesat dhe loja e partive s’ka asgjë të përbashkët me çështjet parimore të trajtuara në pikën II të këtij shkrimi. Gjithsesi, nëse edhe vetëm për shkak të këtyre kalkulimeve dhe interesave të ngushta elektorale do të mbetet në fuqi shpërndarja 2009, partitë, pa dashur, do të bëjnë një punë të dobishme. Në këtë mënyrë, veç si efekt kurues i kohës që rrjedh, shpërndarja 2009 i largohet disi ftohtësisë matematike duke reflektuar më mirë kriteret e përfaqësueshmërisë proporcionale, por të arsyeshme, pa dëmtuar komunitetet e qarqeve të largëta.

12. Me shumë gjasa, vendimi në Kuvend do të merret vetëm me votat e koalicionit qeverisës. Ndërkaq, PS, duke votuar kundër, nga një anë i nxjerr gështenjat me duart e të tjerëve e, nga ana tjetër, arkëton një tjetër pretekst për t’iu qarë ndërkombëtarëve, ndonëse bashkë me votën e PS, Kodi Zgjedhor mund të ndryshohet me shprehjen “ndarja e mandateve për qarqet 2009 rishikohet vetëm pas tri legjislaturave”, pra për zgjedhjet 2017 ose 2021, e që do të ishte mënyra e duhur e trajtimit të arsyeshëm e konsensual të çështjes. Sido që të ndodhë, rehatia e partive nga mosndryshimi shndërrohet vetiu në dobi të komuniteteve të largëta dhe të publikut në tërësi. Sa paradoksale, aq edhe reale.

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama