Warning: preg_replace(): Unknown modifier '{' in /home/shqiperia/application/views/helpers/Fetchterms.php on line 13

Notice: compact(): Undefined variable: extras in /home/shqiperia/library/Zend/View/Helper/HeadLink.php on line 381

Kerpudha e Gerdecit trusti i lulelakres dhe inflacioni

Shkruar nga: Andrea Stefani  
Botuar më: 17 vite më parë

Andrea Stefani
Kerpudha e Gerdecit trusti i lulelakres dhe inflacioni

Ndërsa nga kujtesa e tmerruar e shqiptarëve nuk është fshirë ende kupola e kërpudhës shpërthyese në Gërdec, në horizontet e ekonomisë ka nisur të shfaqet kërcënueshëm shpërthimi i inflacionit. Por ndryshe nga kërpudha e Gërdecit, shtëllunga e tij ka marrë formën e lulelakrës që, sipas një indeksi të Institutit Shqiptar të Statistikave (ISSH), është produkti ushqimor me çmimin më të shtrenjtuar (37 për qind) në treg. Për herë të parë, pas shumë vitesh, INSTAT raporton një kërcim të inflacionit në 4.6 për qind pra, mbi nivelin 3 për qind të kufirit maksimal të lejuar. Të shqetësuar si përherë vetëm për imazh e propagandë, zyrtarë të qeverisë po vrapojnë ta përligjin këtë kreshpërim të çmimeve me faktorë të jashtëm globalë. Por një shqyrtim i kujdesshëm i fakteve bën përgjegjëse vetë qeverinë, korruptimin, populizimin dhe paaftësinë e saj, për të zbatuar politika që jo vetëm nuk i shumëfishojnë pasojat negative të krizës globale, por në të kundërt, i minimizojnë ato. Faktet tregojnë po ashtu se, qeveria Berisha po neglizhon në mënyrë alarmuese, jo vetëm kritikat e opozitës në Kuvend, por edhe këshillat e institucioneve ndërkombëtare si FMN, për sa i takon politikave që duhen ndjekur në mënyrë që lulelakra e inflacionit, të mos shndërrohet në një kërpudhë që do të rrafshonte buxhetet e shqiptarëve (e jo vetëm të atyre të varfër) më keq seç kërpudha e Gërdecit, rrafshoi shtëpitë e tyre. Dhe kështu ka ndodhur, vite më parë, edhe me piramidat financiare.


***

Gërdeci ishte që një tjetër provë e dhimbshme se ashtu si në vitin 1997, qeveritë e drejtuara nga politikani Berisha, janë të paafta për të shmangur tragjeditë. A do të ndodhë kështu edhe me vullkanin e inflacionit që po përndez horizontet e ekonomisë? Kërcimi i çmimeve në 3-mujorin e parë të këtij viti, nuk jep shumë shpresë. Ai tregon se qeveria nuk ka marrë asnjë nga ato masa që do të pengonin rritjen e çmimeve mbi nivelet e programuara. Sepse rreziku ka qenë i paralajmëruar. Që në nëntor të vitit të kaluar, një mision i FMN i ardhur në Tiranë, paralajmëroi qeverinë për rreziqet fiskale dhe inflacioniste që qëndronin në horizont. Përfaqësuesit e FMN parathanë presionin që kostot e rritura të prodhimit, për shkak të thatësirës dhe krizës energjetike, do të ushtronin mbi inflacionin. Ndërkohë, qeveria nuk kishte bërë thuajse asgjë për të neutralizuar faktorë të tjerë që e rëndojnë edhe sot e kësaj dite gjendjen. Një nga ata është përkeqësimi i situatës financiare të KESH. Deficiti buxhetor, si një nga burimet e inflacionit, ka vazhduar të rëndohet nga importet e shtrenjta qindramilionëshe të energjisë elektrike të financuara nga buxheti i shtetit dhe jo nga vetë KESH. Në të kundërtën, e paaftë për të parandaluar humbjet dhe kostot fiktive të KESH nëpërmjet përmirësimit të menaxhimit dhe zbatimit të ligjit, qeveria aprovoi së fundi një rritje të çmimit të shitjes së energjisë konsumatorëve duke shtuar kështu, një tjetër burim të konsiderueshëm inflacionist me pasoja që nuk janë ezauruar ende plotësisht.


***

Por ndërsa vendimmarrja për shtrenjtimin e energjisë elektrike mund të vlerësohet si fatalitet i një rrethi vicioz ku gjithsesi, qeveria është futur për faj të vet, janë të pafalshme neglizhencat e saj lidhur me zbutjen e disa burimeve të tjera të inflacionit. Përmendim vetëm deficitin buxhetor dhe luftën kundër monopoleve në tregti. Që në nëntor 2007 FMN paralajmëroi se synimi i qeverisë për një mobilizim më të shpejtë të financimeve të huaja për projekte të mëdha infrastrukture në 2008, mund të shtonin presionet inflacioniste dhe rreziqet fiskale. Prandaj sugjeronte, në mënyrë që deficiti buxhetor të mos shtonte presionet inflacioniste, që ky deficit të mbetej në nivelin rreth 5 për qind e Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB). Po sipas ekspertëve të FMN, vetëm një deficit i tillë do të "lejonte që përshpejtimi i përkohshëm i shpenzimeve për infrastrukturën shumë të rëndësishme të transportit... do të ruante stabilitetin makroekonomik..." Por krejt në kundërshtim me këto sugjerime të FMN dhe kritikat e pozitës, qeveria miratoi për vitin 2008, një deficit buxhetor prej 7.9 për qind të PBB. E paaftë për të investuar me përparësi në drejtime më prioritare dhe e verbuar nga populizimi elektoral i një fushate që shfaqet menjëherë pas vitit 2008, qeveria "Berisha" ka neglizhuar të gjithë këshillat dhe kritikat, duke e ekspozuar ekonominë para një kërcënimi inflacionist gjithnjë e më real. Të mos harrojmë se jemi në fillim të vitit 2008 dhe se shpenzimet për investime publike, sikundër deklaroi ministri i Financave, Bode, janë ende në kuota të ulëta. Cili do të jetë ndikimi i këtyre qindramilionëve mbi inflacionin kur të ato derdhen në kanalet e qarkullimit?


***

Situatën e bën më pak optimiste edhe fakti që qeveria nuk ka ditur të aktivizojë me kohë pasuritë dhe burimet e brendshme të punës për të gjeneruar më shumë prodhim. Statistikat vazhdojnë të flasin për një rritje vjetore prej rreth 6 për qind të PBB, por nuk shpjegojnë se sektorët më të rëndësishëm dhe që ofrojnë më shumë punësim, si industria dhe bujqësia, kontribuojnë gjithnjë e më pak në prodhimin e përgjithshëm. Prej vitesh zërat më të rëndësishëm të kësaj rritjeje mbeten "shërbimet" apo "ndërtimi" që së bashku me rritjen e vëllimit të kreditit për banesa, mund të fshehin të papritura nga më të pakëndshmet. Shembulli i krizës së industrisë së banesave në SHBA, duhet të na bëhet mësimdhënës. Ndërkaq, një rritje e PBB e ristrukturuar më drejt në favor të prodhimeve të standardizuara industriale dhe bujqësore, me impakt pozitiv në eksporte dhe deficitin tregtar, do t‘i shërbenin zbutjes së presioneve inflacioniste. Por kjo nuk ka aspak shanse të ndodhë kur bujqësia dhe fermerët në vend që të mbështeten me politika, braktisen në mëshirë të fatit dhe kur tregjet përmbyten nga prodhimet e huaja bujqësore. Por e keqja nuk mbaron këtu. Përgjithësisht, depërtimi dhe konkurrenca e prodhimeve të huaja (përfshi ato bujqësore) bëhet e mundur vetëm në sajë të çmimeve më të ulëta. Në Shqipëri vërehet një dukuri e kundërt. Ndonëse tregu i prodhimeve bujqësore dominohet nga importet, çmimet e këtyre produkteve vazhdojnë të rriten frikshëm. Një dukuri "paradoksale" që shpjegohet jo vetëm me faktin se mungon në sasinë e duhur oferta e prodhimit vendas, por edhe sepse importet janë dukshëm të monopolizuara. Është e vështirë të fshihet fakti, i konstatuar në mënyrë empirike nga të gjithë aktorët e vegjël të tregjeve me pakicë, që gjeneratorët më aktivë të inflacionit, janë bërë tregjet e shitjes me shumicë. Kështu janë çmimet gjithnjë e më të larta të "lulelakrës" ato që denoncojnë "trustet e lulelakrës" në tregti dhe premtimet e rreme të qeverisë "Berisha" për të luftuar monopolet. Madje, pas braktisjes që qeveria po i bën bujqësisë, mund të dyshosh se "trusti i lulelakrës" ka kapur edhe vetë qeverinë.

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama