Warning: preg_replace(): Unknown modifier '{' in /home/shqiperia/application/views/helpers/Fetchterms.php on line 13

Notice: compact(): Undefined variable: extras in /home/shqiperia/library/Zend/View/Helper/HeadLink.php on line 381

Nacionalistet e mijevjecarit te ri...

Shkruar nga: Fatos Baxhaku  
Botuar më: 12 vite më parë

Fatos Baxhaku
Nacionalistet e mijevjecarit te ri...

Nacionalizmi dhe pamja e tij spektakolare na u rishfaqën sërish këto ditë. Një intervistë e Artur Zhejit me deputetin grek të “Agimit të Artë”, Kristo Papas, na rrëfeu edhe një herë se çfarë marrëzirash mund të arrijë të thotë një individ njerëzor prej mishi e kockash edhe në kohë interneti e udhëtimesh në Mars. Nuk është nevoja që të përsërisim ato çka deputeti i marrë i tha gazetarit të njohur dhe as që është më koha e vendi për t’i kthyer përgjigje të bazuara ndër argumente historike, por edhe të sotëm, këto tashmë janë thënë e stërthënë. Do të ishte sikur t’i pëshpëritje në vesh një shurdhi.

Ndër “vox pop” pamë edhe një anë tjetër të nacionalizimit përkëndej kufirit. Në disa fshatra të Korçës disa çobanë të moshuar grekë pretendonin se që nga Korça e deri në Gjirokastër ishte “Vorio Epir”, pra sipas tyre Greqi. Të ngratët e paditur me siguri kanë folur ashtu – në një kohë që në shtëpi nuk flasin as shqip e as greqisht, por gjuhën e tyre të vjetër – o sepse ashtu i ka mësuar prifti i fshatit o ndokush tjetër aty rrotull, ose sepse ende mbështeten në pensionin mujor që u vinte, apo u vjen edhe sot nga “Eladha mëmë”. Gjithsesi, të gjithë e panë se çfarë ofendimi është, jo vetëm për inteligjencën, por edhe për vetë zemrën njerëzore nacionalizmi i shpallur si përfaqësues i aspiratave kombëtare, të cilin e mbështetkan krejt masat anekënd vendit dhe më gjerë.

Një ditë më pas për nacionalizmin u fol edhe në Tiranë. Vetë Aleksandër Arvizu, ambasadori i SHBA në Tiranë zbriti në fushën e betejës kundër tij. Këtë herë “takimi me prindër” u zhvillua në “shtëpinë” e Kreshnik Spahiut, kreut të Aleancës Kuqezi. Nuk dihen detaje të bisedës mes “profesor” Arvizut dhe “familjarëve” të AK. Ne mund të gjykojmë vetëm nga ajo që pamë e dëgjuam ndër edicione lajmesh. Ajo çka pamë ishte një nxënës, që buzëqeshte pafundësisht teksa po përcillte te porta e oborrit një mësues, që këtë herë duket se e kishte marrë seriozisht. Dëgjuam edhe prononcimin e parë të Spahiut menjëherë pas takimit: AK do të angazhohet në luftën kundër korrupsionit, do të kontribuojë që politika shqiptare të furnizohet me gjak të ri, do të… të gjitha këto do të shpalosen së shpejti në një program elektoral. Asnjë fjalë për shtyllën e propagandës së tyre deri para pak ditësh, për bashkimin kombëtar. Ku vajti? As edhe një fjalë për referendumin. Po ky tjetri ku vajti? As edhe një fjalë për Shqipërinë e kahershme, për atë të vërtetën. Po kjo? E pra, vetëm disa ditë më parë Spahiu betohej e stërbetohej mbi këto terma, aq sa në krahasim me të do t’i dukej vetja pa vlerë edhe patriotit më të madh shqiptar. Nëse krerët e AK-së do t’i besonin vërtet ato që u thoshin pasuesve të tyre dhe krejt opinionit, nëse këto do të ishin vërtet bindjet e tyre të thella, të patjetërsueshme, atëherë nuk do të kishte ambasador në botë që t’i bënte të hiqnin dorë, qoftë ky edhe më i rëndësishmi në vend. Kritikat e Arvizut ndaj nacionalizmit tingëlluan edhe si të drejtuara ndaj vetë Kryeministrit Berisha, i cili pas ngazëllimit të 100-vjetorit, i habiti të gjithë me disa teori të çuditshme nacionaliste. Me një fjalë. Ti biesh pragut që të dëgjojë dera.

Puna është se asnjë nga nacionalizmat, në çdo vend e në çdo kohë, duke përjashtuar ndonjë idealist kokëshkretë, nuk i beson as vetë ato që thotë. Përvoja e fundmijëvjeçarit të kaluar, kur nacionalizmi ishte mbështjellja ideologjike e konflikteve më të egra që ka njohur ndonjëherë raca njerëzore, na ka mësuar se nacionalizmi operon me disa instrumente fare të thjeshta. Më e para nga të gjitha është zhgënjimi nga sistemet liberale. Nacionalistët propagandojnë se politika tradicionale, ajo që bëhet në Parlament, qoftë e majtë, apo e djathtë ka plot e plot mëkate, një ndër të cilët, ai më i madhi është korrupsioni, të cilin zënë be e rrufe se do ta zhdukin me rrënjë e me farë. Kjo propagandë u bëhet të papunëve, të varfërve, të dëshpëruarve nga krizat që kalojnë vendet në mënyrë ciklike. Në shumë raste kjo demagogji zë vend. Arma e dytë e nacionalizmit është mbajtja gjallë e mënisë mes popujve. Ushqimi i parë nacionalist janë padrejtësitë historike dhe ofendimet kombëtare. Ja pra se ku masave të dëshpëruara, dhe me thënë të drejtën, pa ofenduar askënd, jo edhe aq të ditura, u vihen përballë dy të këqija të mëdha: armiku i brendshëm, partitë tradicionale dhe armiku i jashtëm, fqinjët. E gjithë kjo propagandë mbështillet me flamuj, simbole, stema, jelekë, fotografi, gravura, qeleshe, kapele, legjenda, botime, rrëfenja, këngë, gjeste të cilat te njeriu i thjeshtë ngjallin të paktën për pak çaste ndjenjën e dinjitetit, të të ekzistuarit. Nuk e kanë menduar keq tekefundit.

Nacionalistët, më saktë krerët e tyre, e dinë fort mirë se koncepti “ndërgjegje kombëtare” është një koncept fort relativ. Ai ndryshon sipas politikave në rajon dhe në botë, sipas ndryshimeve shoqërore në vend në një periudhë të caktuar, dhe, sidomos në kohët tona, sipas zhvillimeve të teknologjive të komunikimit. Nuk mund të ketë ndërgjegje kombëtare të njëjtë si te Rama, Mit’hat Frashëri, Zogu, Berisha, apo Taulant Balla. Jo, sepse kombi dhe pra edhe ndërgjegjja që buron prej tij janë gjithnjë në ndryshim. Imagjinoni se çfarë diference ka mes ndërgjegjes kombëtare, që kishte një fshatar shqiptar, që nuk njihte as telegrafin me stërnipin e tij që rri sot i gozhduar ditën e ditës në internet në ndonjë nga qytetet e Europës. Nacionalistët të gjitha këto i dinë fort mirë e megjithatë vazhdojnë të bëjnë propagandë si në kohën e D’Annunzios. Qëllimi? Marrja e votave të të dëshpëruarve, të të zhgënjyerve.

Nacionalistët e dinë fare mirë gjithashtu se përveç ndërgjegjes kombëtare ekziston edhe ndërgjegjja shoqërore. Meqenëse jetesa e përditshme është ku e ku më e rëndësishme se sa historitë me flamuj e me dëshmorë, në shumicën e rasteve, dhe kjo kudo dhe jo vetëm ndër ne, ndërgjegjja sociale shpeshherë dominon mbi atë kombëtare. Para se të flasim për atdheun, para se të lexojmë libra historie na duhet të kemi barkun plot, mendjen e qartë dhe të kemi rehatuar fëmijë e katandi. Në këtë kuptim në jetën e çdo individi kategorizimi shoqëror: I varfër, i mesëm, i pasur është shumë i rëndësishëm.

Nacionalizimi ka shpikur edhe një lloj të ri shkence, atë të historisë (propagandës) nacionaliste. Nga këta ka me qindra në të gjitha vendet e Ballkanit, duke na përfshirë edhe ne. Duke qenë se nisen me një qëllim të caktuar në kokë, atë të lartësimit të kombit përkatës dhe të uljes së kombeve të tjera, këta i largohen së vërtetës me mijëra vite dritë. Hobsbaum, një nga historianët më në zë të shekullit të shkuar për këta thoshte pak a shumë kështu: Këta i duhen historisë, po aq sa një fanatik i krishterë i ndih teorisë së evolucionit të Darvinit.

Nacionalizmi assesi nuk duhet ngatërruar me patriotizmin e pastër, atë të vërtetë, atë që të bën të jesh krenar modest për vendin ku ke lindur, je rritur, ke ëndërruar, ke dashuruar, ke vuajtur e je gëzuar. Si për çdo dashuri tjetër ka miliona mënyra për të shprehur dashurinë për Atdheun, po aq sa banorë ka një vend. E pretenduara dashuri nacionaliste është padyshim më e fundit prej tyre.

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama