Warning: preg_replace(): Unknown modifier '{' in /home/shqiperia/application/views/helpers/Fetchterms.php on line 13

Notice: compact(): Undefined variable: extras in /home/shqiperia/library/Zend/View/Helper/HeadLink.php on line 381

Narkotiket, nje turp kombetar

Shkruar nga: Skënder Minxhozi  
Botuar më: 12 vite më parë

Skënder Minxhozi
Narkotiket, nje turp kombetar

Bashkimi Europian ka treguar pardje me gisht edhe një herë, atë që e dimë prej shumë kohësh në këtë vend: se Shqipëria vijon të jetë një sfidë europiane, për trafiqet e paligjshme. Siç raportuan mediat kryesore, raporti prej 160 faqesh, i prezantuar në prani të komisioneres Malstrom, ishte një studim i Europolit, për trafikun e drogave në hapësirën e Bashkimit Europian.

Mjafton një lexim i shpejtë i këtij teksti voluminoz, për të vërejtur sesa të pranishme janë Shqipëria dhe shqiptarët në “zejen” e kultivimit, përpunimit dhe trafikimit të narkotikëve. Grupet kriminale shqiptare shënohen në raport si ndër më aktivet, së bashku me mafiet e tjera rajonale (turke, serbe etj.), por edhe me rrjetet kriminale të Europës Veriore e Lindore. Turq e shqiptarë, siç thotë raporti, kanë një rol kyç në tregtinë e drogës, nëpërmjet rrugëve të transitit nga Azia e largët, drejt tregut europian. Mafia shqiptare e drogës, sipas tekstit në fjalë, ka shtrirë tentakulat e saj deri në republikat e largëta të Baltikut, duke bashkëpunuar me grupet e krimit lituanez. Kësisoj, shqiptarët kanë sot “gisht” në trafikimin e shpërndarjen e të gjitha lëndëve kryesore narkotike: kokainës, heroinës dhe hashashit. Një buletin lufte, ku emrat “Shqipëri” dhe “shqiptar” lakohen në të gjitha rasat e njohura të shqipes zyrtare.

Natyrisht që raporti s’mund ta evitonte edhe një detaj tjetër, që e bën edhe më të rëndë situatën, për ne që jetojmë në këtë vend. Sipas tij, mjeti kryesor i transportit të drogës nga territori shqiptar drejt Italisë, vazhdojnë të mbeten skafet. Një notë therëse ironie e talljeje, mbi moratoriumin qesharak gjashtëvjeçar që mban të bllokuara varkat e pushuesve dhe lejon të patrazuara (siç na thotë raporti), skafet e gomonet e trafikantëve.

Megjithatë nuk është vetëm moratoriumi i skafeve ai që ka dështuar në këtë histori të shëmtuar e me kosto të kripur për imazhin e vendit në botë. Kur kjo shumicë që po mbyll ciklin tetëvjeçar të qeverisjes së vendit, ndodhej në opozitë, shumëkush i kujton romuzet e panumërta që kreu i saj Berisha hidhte në Parlament ndaj të gjithë qeveritarëve socialistë, më së pari kryeministrit të kohës, për trafiqet e pretenduara të drogës dhe përfitimet “përrallore” që qeveritë socialiste kishin nxjerrë nga këto punë të pista. Jo vetëm kaq. Kur Berisha dhe partia erdhi në pushtet, zotimet për luftën ndaj drogave kanë qenë ashtu siç të gjithë i kujtojmë dhe i kemi dëgjuar: luftë pa kompromis, zhdukje, djegie, arrestime, burgime etj., etj.

Pra një dorë e hekurt ndaj trafiqeve. Na vjen në ndihmë në këtë retrospektivë që sot rezulton e dështuar, ndër të tjera, edhe një strategji e Policisë së Shtetit, e cila mund të gjendet fare kollaj në internet, e që emërtohet “Strategjia e Policisë së Shtetit 2007-2013”. Në një nga objektivat kryesore të këtij dokumenti, që përfshihet në kapitullin “Thellimi i luftës kundër krimit të organizuar dhe terrorizmit”, parashikohet viti 2010, si afati i fundit për “eliminimin e fenomenit të kultivimit të bimëve narkotike dhe trafikimit të tyre”. Është fare e thjeshtë ta ballafaqosh sot, në vitin 2013, realitetin e raportit të BE për drogat, me premtimin në fjalë. Gjithçka ka dështuar. Kjo është e vërteta e hidhur që ne duhet të përtypim të gjithë bashkë, në lidhje me luftën kundër trafiqeve të drogave.

Shqipëria e sotme është një vend ku drogat tranzitojnë drejt Perëndimit, por edhe një vend ku ato kultivohen, përpunohen dhe trafikohen. Nuk ka nevojë të na e thotë komisionerja Malstrom dhe as raportet e dhjetëra ekspertëve europianë, pasi ky është një realitet i përditshëm, fare i lehtë për t’u konstatuar. Shembulli klasik i Lazaratit, të cilin e vizitojnë dhe e “zbulojnë” edhe turistë njëzetvjeçarë (siç qe rasti i dy holandezëve që u publikua në media), por jo strukturat e shtetit, përbën një turp kombëtar, të cilin Policia e Shtetit nuk e mbulon dot me analiza banale në ngjyrë rozë, si ajo e djeshmja.

Gjithsesi, kur lexon atë që shkruajnë në Bruksel për këtë fenomen, nuk ka sesi të mos qeshësh hidhur me debatin thellësisht hipokrit e hileqar të “tre ligjeve” të famshme, që na paskan lënë fatalisht jashtë derës së Europës. Sepse të ngresh dorën për të miratuar ligjet është njëra anë, padyshim më e lehta. Por t’i përmbahesh konkretisht premtimit për të ndërtuar shtet ligjor dhe për të ndërtuar një shoqëri demokratike, transparente dhe të drejtë, është diçka krejt tjetër. Pikërisht në të dytën duket se kemi dështuar totalisht. Kështu na thanë edhe një herë ata që e kemi për zemër t’i citojmë orë e çast: europianët.

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama