Warning: preg_replace(): Unknown modifier '{' in /home/shqiperia/application/views/helpers/Fetchterms.php on line 13

Notice: compact(): Undefined variable: extras in /home/shqiperia/library/Zend/View/Helper/HeadLink.php on line 381

Nje kerkese zgjedhore dhe antiraciste

Shkruar nga: Fatos Baxhaku  
Botuar më: 12 vite më parë

Fatos Baxhaku
Nje kerkese zgjedhore dhe antiraciste

Kreshnik Spahiu, lideri tashmë historik i Aleancës Kuqezi, na paska mbërritur edhe në anë të “gjolit të Poradecit”. Të paktën kështu thanë lajmet pasditen e së dielës. Pas protestës (vini re termin, jo takim elektoral, por protestë) në Përrenjas ai ka bërë edhe disa kilometra më në Jug. Mirë ka bërë. “Poradecarët” e mbarë duan t’i dëgjojnë të tëra palët e pastaj të vendosin se ku ta hedhin votën. Të paktën kështu thoshin deri para disa ditësh, pa se ç’do të bëjnë deri në qershor, kjo është punë për ta dhe për partitë që presin prej tyre. Por “Qytetari i Nderit të Nju Jorkut” bëri mirë edhe për një gjë tjetër.

Ky njeri, që rri si i barabartë me njerëzit e zeshkët, a ka mundësi të jetë nacionalist, armiqësor me të gjithë të tjerët, sikurse e ka akuzuar ndonjë edhe nga Uashingtoni? Jo, në asnjë mënyrë! Kjo do të jetë përgjigjja, sepse ai sapo kritikoi për racizëm as më shumë e as më pak sesa vetë kreun e qeverisë, Zotin-Qytetar Berisha. Madje e kritikoi edhe se na paska lënë në baltë pakicat kombëtare që jetojnë bashkërisht me ne. Dreqi po e merr vesh këtë punë! Një herë thuhet se Berisha e “ka shitur vendin te të huajt” e vetëm pak orë më pas thuhet se ai shpërfill e denigron pakicat e të huajve në Shqipëri. Mbase zoti Spahiu nuk ka faj për këto turbullime zgjedhore. Zoti Kryeministër është vërtet një personazh kompleks, vërtet i ngatërruar.

Në të gjithë këtë paradë elektorale të radhës – të gjitha partitë kujtohen për romët vetëm në prag zgjedhjesh – vihet re një mosnjohje e madhe e romëve, të së shkuarës dhe të së sotmes së tyre. Është rasti më tipik, por jo i vetmi, kur politikanët bëjnë premtime pa ia pasur aspak idenë se për kë po flasin dhe kujt po i drejtohen.

Atëherë, le ta marrim disi shtruar, meqë shiu që po bie më vërtik jashtë nuk na lë as të dalim, e as të bëjmë protesta parazgjedhore. Romët janë një popullsi e stërlashtë. Edhe këta tanët. Ata u shpërndanë në të gjithë Europën thuhet andej nga fundi i shekullit V e fillimit VI, pasi një mbretëri e tyrja, që ekzistonte diku në Pakistanin Verior të sotëm, u zhduk pas luftërave të brendshme të përgjakshme. Atëherë banorët e paktë, që shpëtuan, u nisën nga sytë këmbët. Në Europë ata sollën një botë tjetër, ngjyra të tjera, zakone të tjera, muzikë tjetër, hare tjetër, valle të reja, por sidomos etjen pafund të lirisë në një kontinent që vetëm pas 300 vjetësh do të ngrinte krye për liri. Kudo që vajtën u persekutuan, por nuk u mposhtën. U përshtatën sa mundën duke udhëtuar vazhdimisht përmes një bote gri me karvanët e tyre plot ngjyra vezulluese e magjira të një bote tjetër. Ishte sfida që ata i bënin robërisë. Ishin të varfër, por kryelartë, trima, të besës, me ligjet dhe me kryetarët e tyre me mustaqe të mëdha në ballë të varganit. Ishin vetvetja. Nuk kishin e nuk kanë përse të shtiren si shumica e “dorës tonë”, “gaxhinjve”, sikurse na quajnë ata.

Shtetet herë pas here janë kujtuar të merren me ta. Sepse ata në thelb e sfidojnë çdo lloj shteti. Ka pasur disa mënyra e disa fate të tyre të shpërndara nëpër Europë. Në Lindje, në Rusi e Hungari, ata janë integruar tërësisht duke u bërë pjesë e rëndësishme dhe fort e vyer e kulturave kombëtare ku u ngulitën. Për motive historike të veçanta ka ndodhur kështu edhe në Andaluzi. Mjafton të kujtojmë teatrot dhe cirqet e tyre të famshme. Hitleri i dërgoi pa bërë as gëk e as mëk në dhomat e shfarosjes.

Te ne komunizmi tentoi një eksperiencë tjetër. Në vitet e para pas 1944-s askush nuk u mor me ta, porse andej nga fillimi i viteve ’60 komunizmi u kujtua për këta njerëz pa pasaportë, pa gjendje civile, që nuk shkonin ushtarë. Atëherë? Me dhunë, shumë prej tyre duhej të vendoseshin ndër fshatra si gjithë të tjerët. Eksperimenti shkoi deri diku mirë, sepse u krijuan nja dy kooperativa me romë, por pastaj ata vazhduan sërish rrugën e tyre. Imagjinojeni pak! Kanë qenë të vetmit në Shqipëri që kanë sfiduar diktaturën me lëvizjen e lirë, brenda vendit sigurisht, por ama e treguan se kush janë. Atëherë patën nxjerrë atë këngën mikluese për pushtetin: Rroftë Partia/ Rroftë Enveri/ Se Mehmeti desh na theri.

Meqë ra fjala, komunitete të sotme të ngulitura mirë zoti Spahiu, keni në Bregun e Lumit në Tiranë, në Moravë dhe në Berat ca më tutje, dhe në Levan të Fierit. Po të kishe nge mund të shkoje edhe deri në Bilisht. Kot je lodhur me romët e Pogradecit, ajo nuk është qendër e fortë e tyre. Po nejse.

Tani, nuk është se nuk janë bërë përpjekje, hapur shkolla, dhënë para për ta bërë këtë popullsi krenare pjesë të dobishme tonën. Janë dhënë dhe shumë madje. Puna është sesa rezultat kanë pasur. Sa të shkolluar kemi nga kjo popullsi? Këto para janë vjedhur, janë shpërdoruar, kanë qenë pak, apo si?

Dhe këtu, i nderuar kryetar i AK, duhej të ndërhynit Ju, nëse do të donit të ishit i besueshëm. Me sa kuptohet nga titujt e lajmeve nuk keni bërë gjë tjetër veçse keni lëshuar tullumbace demagogjike të përhershme drejt disa fukarenjve të zeshkët e të mardhur, që prisnin të hanin ndonjë çapë bukë më tepër për sot e për nesër. Të na falni, por shpërfillja, formalizmi, marrja e bashkëbiseduesit si një tabelë e thjeshtë, nuk është gjë tjetër veçse një racizëm i fshehur. Një lloj qëndrimi që i ndan njerëzit në të dorës së parë e të dytë. Të jeni i bindur se romët, nëse keni mundësi, do t’ua përlajnë ndonjë thes me miell a me patate, nëse ua keni premtuar. Jeta i ka bërë që për punë tregtie, edhe kur kjo e ka emrin politikë, të jenë supermjeshtra. Nëse jeni treguar i barabartë e zemërhapur me ta, do t’Ju kenë mik për kokë. Nëse jeni munduar t’i gënjeni, sikurse ka gjasë, atëherë aq më keq për Ju.

Gjithsesi, ka një mënyrë për të provuar çiltërsinë ndaj tyre. Ja një histori konkrete. Atje ku keni qenë të dielën, pra në Pogradec, jeton një ndër të paktat rome me shkollë të lartë. Ajo quhet Anjeza Difi. Ka mbaruar në vitin 2005 Ciklin e Ulët në Universitetin e Elbasanit. Jeton në të hyrë të Pogradecit së bashku me 10 persona të tjerë në dy dhoma të vetme: ajo vetë, nëna, një vëlla i sëmurë rëndë, vëllezërit e tjerë me gratë dhe fëmijët. Nga të gjithë vetëm nëna ka një pension prej pastrueseje. Anjeza, që ndërkohë ka mbrojtur edhe masterin edhe gjuhën e huaj, ka punuar si edukatore kopshti vetëm pak kohë, pastaj… askush nuk i jep më përgjigje. Ajo është papunë, por jo vetëm, tani i ka humbur shpresat. Shumë të tjera kanë hyrë para saj në punë, por me sa duket ato kanë qenë gra shefash hijerëndë, dhe, sigurisht “gaxhije”.

Zoti Kreshnik tashmë është një njeri që i dëgjohet fjala. Në mos këto kohë, pas zgjedhjeve të qershorit, do të jetë sigurisht më i rëndësishëm. Ja ku e ka rastin të godasë mu në zemër të racizmit të pështirë. Le t’i japë një shpresë kësaj mësueseje. Kështu do t’i japë shpresë një komuniteti të tërë. Dhe atëherë, ata nuk do t’ia harrojnë. Duhet të na besojë. Do ta ndiejë veten më shumë të lumtur sesa po të ketë marrë dhjetëra mijëra vota. Të paktën kështu sillen idealistët, pjesë e të cilëve ai thotë se është.

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama