Warning: preg_replace(): Unknown modifier '{' in /home/shqiperia/application/views/helpers/Fetchterms.php on line 13

Notice: compact(): Undefined variable: extras in /home/shqiperia/library/Zend/View/Helper/HeadLink.php on line 381

Rreth prerjes se kokave

Shkruar nga: Skënder Minxhozi  
Botuar më: 12 vite më parë

Skënder Minxhozi
Rreth prerjes se kokave

Akuza më e fundit e Sali Berishës për kundërshtarin e tij, Edi Rama, ka të bëjë me atë që Kryeministri e quajti “prerje kokash në PS”. Asgjë e re në faqe të diellit, do të thoshte dikush. Më shumë po se jo. Teoria e sherrit të pandërprerë brenda PS, është ushqyer me të gjitha bateritë propagandistike (dhe jo vetëm) të PD dhe medias pranë saj. Njëherësh, toka e djegur, natyra e qetë (që në shumë gjuhë quhet edhe “natyrë e vdekur”), pra PD-ja e sotme, ku dikush ka ende në gojë dhëmbët e thyer të një tjetër kohe, paraqitet si modeli harmonik dhe i paqortueshëm i demokracisë së brendshme të një force politike normale. Vështirë të gjesh devijim më të madh nga e vërteta, se ky pohim me dy koka.

PS e PD kanë ndryshuar më shumë se në çdo gjë në këto dy dekada, në rrafshin e kulturës politike që kanë rrezatuar, në organizimin e jetës së tyre të brendshme. Me gjithë tendencën shpeshherë të shpjegueshme dhe të drejtë të shqiptarëve, për t’i futur të gjithë në thesin e madh të dështimit njëzetvjeçar, socialistët janë dalluar qartësisht nga demokratët, të paktën në një pikë. Në atë të tolerancës ndaj debatit të brendshëm dhe të mosndëshkimit të asaj pjese të partisë që devijonte nga ajo që konsiderohej si linjë zyrtare. Një listë e gjatë precedentësh kanë zënë tashmë vend në rekordet e kësaj force politike, ku shpesh kreu i qeverisë ka qenë në konflikt të hapur a të mbyllur me kreun e partisë dhe anasjelltas, apo ku rivalë të vjetër e të rinj kanë ndarë të njëjtën çati për shumë e shumë vite me radhë.

Edhe thyerja e parë dhe e vetme që pësoi PS, erdhi në vitin 2004, shtatë vjet pas qëndrimit të saj në pushtet dhe kur marrëdhëniet mes Nanos e Metës ishin përkeqësuar në mënyrë të pakthyeshme.

Në këtë aspekt, krahasimi me PD-në e Berishës do të ishte thjesht i pamundur. Kjo forcë politike nuk e mbushi dot vitin, pas ardhjes në qeverisje, në mars 1992, pa përjetuar çarjen e parë të fortë, atë të mocionistëve. Krerët qendrorë të partisë u shpallën armiq dhe për ta pasoi një kalvar politik, i cili për disa përfundoi në masakrime fizike, në furgonat e policisë, më 28 maj 1996. Përtej këtij fraksioni madhor, PD prodhoi në vitet në vazhdim një vijimësi fluksesh që nuk përputheshin me vijën e Presidentit të asaj kohe, njëherësh anëtar i kryesisë së partisë. Që të gjitha këto “ashkla” e panë veten të përjashtuar dhunshëm nga partia. Historia njihet, nuk ka nevojë për stërhollime të mëtejshme.

Por alibia aktuale e Berishës për situatën e brendshme në parti, nis në një tjetër kohë. Në atë që rëndom quhet “epoka e Berishës së dytë”, në vitin 2005, me rikthimin e së djathtës në pushtet. Pikërisht në momentin kur u krijua iluzioni i rrejshëm se PD (e më së pari vetë Berisha), kishin ndryshuar një herë e mirë. Në sens pozitiv, kuptohet. Shumëkush që sot vështron i zhgënjyer rikthimin në origjinë të Kryeministrit, qe i gatshëm asokohe të vinte jo një, por të dyja duart në zjarr, se Sali Berisha ishte transformuar në një lider të paqtë dhe që i mblidhte të gjithë rreth vetes.

Pikërisht në këtë moment dhe paralelisht me këtë situatë të re, lind edhe teza tjetër, ajo e uzurpimit të Partisë Socialiste nga Edi Rama. Që, e përkthyer nga shqipja në shqip, do të thotë, sipas tezës qeveritare, se ka nisur epoka e “purgave” majtas, si pasojë e frymëzimit “të ri” politik që ka imponuar kryetari i ri socialist.

Është harxhuar shumë letër, bojë e mushkëri në këto vite, për t’i mbushur mendjen miletit, se strategjia përfshirëse dhe e butë e Berishës brenda partisë, ishte dhe është diametralisht e kundërt me linjën përjashtuese të Edi Ramës. Në këto thuajse tetë vite kemi parë sesi janë sponsorizuar hapur apo nën ujë, lloj-lloj sherresh të brendshme pak ose aspak serioze brenda opozitës, sesi janë reklamuar në faqe të parë debate, bërryla e deri edhe sms krejt banale e pa rëndësi, nga çdo mbledhje, asamble, kryesi apo edhe faqe Facebook-u, e ndonjë zyrtari socialist që mendonte ndryshe nga shefi i tij.

E kjo ndodhte në kohën kur Berisha shtrinte gradualisht dominimin e tij mbi të gjithë shtetin, kur paralizonte presidentin e vinte në qoshe prokuroren, kur gllabëronte drejtësinë dhe çdo qelizë tjetër institucionale. Jo vetëm kaq. Kjo zukamë konstante kundër Ramës “autoritar” ndodhte ndërsa vetë PD spastronte pa u merakosur fare, edhe skalionet e fundit të kundërshtarëve realë apo të supozuar të Doktorit. U përzunë brutalisht, para zgjedhjeve të 2009, të gjithë mbështetësit e Topit nga partia dhe grupi parlamentar, duke u përkujdesur kësisoj që t’i jepej mesazhi kreut të shtetit, që të mos guxonte të shkelte në partinë e tij pas mbarimit të mandatit. Nga ana tjetër, pas vitit 2009, edhe ato pak zëra alternativë që guxojnë të gjallojnë brenda PD, e që shfaqen aty-këtu në media, e ndiejnë të fortë trysninë që vjen nga masa gri e deputetëve e zyrtarëve të tjerë, që nuk dinë asgjë tjetër, veçse të mbajnë shënim kokulur teksa flet lideri i partisë. Ky unitet-farsë burrash e grash që nuk guxojnë të mendojnë me trutë e tyre, është sot modeli më i shëmtuar që partia në pushtet i ofron demokracisë në këtë vend.

Sot Berisha flet për prerje kokash në PS. Përtej faktit tashmë të njohur dhe shumë të vjetër, të interesit maniakal që ai ka për të futur hundët në kampin opozitar, të frysh largimin nga lista të një apo dy deputetësh, do të thotë të ngresh një furtunë brenda gotës së ujit. Edi Rama ka paraqitur deri tani pesë emra të rinj në listën e tij të 140 kandidatëve. Provokimi nga Berisha dhe Topalli i grupit parlamentar, me kërcënimin vulgar se “nuk do të jeni më në listë”, përkon me gjetjen më të fundit të Sali Berishës, atë të “partisë së re Rama”. Pra, të një “partie mavi”, në gërmadhat e “partisë rozë”. Çka, po ta mendosh thellë-thellë dhe jo pa një sens ironie, ndoshta është më e mirë sesa partia-repart ushtarak, që qeveris Shqipërinë prej tetë vjetësh, e që vijon t’u propozojë edhe një herë shqiptarëve lidershipin e vjetër të Sali Berishës, si të vetmen alternativë, për të tretën dekadë rresht. A ka më të mërzitshme se kjo?!

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama