Warning: preg_replace(): Unknown modifier '{' in /home/shqiperia/application/views/helpers/Fetchterms.php on line 13

Notice: compact(): Undefined variable: extras in /home/shqiperia/library/Zend/View/Helper/HeadLink.php on line 381

Normaliteti i se keqes

Shkruar nga: Fatos Baxhaku  
Botuar më: 12 vite më parë

Fatos Baxhaku
Normaliteti i se keqes

Thonë se historia e njerëzisë në thelb nuk është gjë tjetër veçse historia e luftës së përjetshme mes së mirës dhe së keqes. Sa herë që fiton e mira, e mbara, progresi, e pastra, e ndershmja e kështu me radhë, atëherë kombet bëjnë përpara. Përndryshe, sa herë që e keqja triumfon mbi të mirën, atëherë kombet shkojnë drejt një udhe pa krye, drejt asgjësë, e nëse këtë punë nuk e kapin shpejt, drejt shkatërrimit të pashmangshëm, pas të cilit vjen harresa e shurdhët.

Në fjalorin politik të sotëm përdoren plot e plot terma, të cilat shpeshherë kanë vetëm kuptim konvencional, formal, por jo të përmbajtjes. Kështu thuhet rëndom e majta dhe e djathta, poli i tretë, politika sociale, reforma të bëra e të pabëra, e plot terma të tjerë. Asnjëherë politika nuk është parë si mjeti i duhur, mbase i vetmi, së pari për të definuar të keqen dhe më pas për ta luftuar e kufizuar atë. Dhe kështu ka ndodhur që e keqja, e harruar në cepin e saj të pushtetshëm, të nisë të bëjë gallatë me ne dhe me termat që ne përdorim në fushata elektorale. Ajo ka nisur të shndërrohet në normalitet të jetës sonë, në një bashkudhëtare të përhershme, madje fort të respektuar.

E keqja lëviz një mijë e një fije, të dukshme e të padukshme. Le t’i shohim disa prej tyre.

Që nga kohët biblike përvetësimi i gjësë së tjetrit është quajtur një e keqe e madhe, një mëkat i rëndë para Zotit. Nëse vidhje e kishe të garantuar një vend të sigurt në ferr. Kështu ka qenë përgjithësisht edhe në Shqipërinë e vjetër. Disa raste të cubave që mburreshin ndër male në Veri e në Jug se kishin vjedhur, konsideroheshin përgjithësisht si të dënueshme nga ligji dhe nga njerëzia. Porse në Shqipërinë e mijëvjeçarit të tretë vjedhja është shndërruar në një profesion, madje krejt normal, e në shumë raste edhe të respektuar përderisa jep me minimumin e lodhjes maksimumin e shpërblimit. Hajdutë të vegjël makinash, shtëpish, xhepash, çantash, gëlojnë ndër rrugët e qyteteve tona. Askush nuk ua bën me gisht. Ata janë normalë, njësoj si ne që nuk vjedhim. Pastaj perfeksionimi i së keqes dhe shtimi i admiruesve të saj ka bërë që edhe hajdutët të kenë shkallën e tyre të kualifikimit, njësoj sikur të nisin nga diploma, te masteri e pastaj te doktoratura. “Doktorët” e hajdutllëkut në këtë rast janë ata që ne i quajmë me termin delikat të korruptuarit. Këta janë më shumë se normalë, këta janë mjeshtër të admiruar. Cili prej nesh nuk e ka dëgjuar ndonjëherë këtë fjali ngjethëse: Bir kurve paska qenë kodoshi! Një vit në doganë dhe i bëri dy vila. Në fakt, kush e di sepse, në fjalorët frazeologjikë të shqipes togfjalëshi “bir kurve” ka mbetur ende si një e sharë e rëndë. Po kjo tashmë i përket historisë.

Deri disa dekada më parë konsiderohej pjesë e së keqes edhe akraballëku, të qenët me dy faqe, servilizmi me ata që sipër teje dhe dajaku për ata që ke poshtë. Tani shumë prej nesh, mbase shumica jonë, e quan krejt normale që ta dredhë “menderen” sa herë që ashtu ia do puna, interesi më i vogël personal i mundshëm. “Dridhe, dridhe sa të mundësh” është bërë një aksiomë gjerësisht e pranuar. Të dridhurit e belit nis që nga Parlamenti e zbret poshtë deri ndër komuna a shkolla fshati. Nëse vepron ndryshe, nëse guxon të ruash mendjen dhe qëndrimin tënd për më shumë se dhjetë vjet, atëherë nuk je gjë tjetër veçse një i paaftë, një Don Kishot me celular e xhinse, që nuk ke marrë vesh asgjë nga koha ku po jetojmë. Është njësoj si të thuash: O byrazer, e keqja fitoi! Ule kokën dhe shtyje si ta shtysh.

Fodullëku është një tjetër anë e së keqes. Kush ndihet mirë, kush është në krye të punëve, kush vishet mirë, ushqehet mirë dhe ka një çehre të përhershme bojërozë, nuk e vret aspak mendjen për të uriturit, të pastrehët, të papunët e dëshpëruar, të sëmurët rëndë, për njerëzit më aftësi të kufizuar, për jetimët, për ish të persekutuarit politikë. Duke e mbajtur gjithnjë shikimin të fiksuar drejt reve, fodullët e sotëm harrojnë se nga kanë ardhur, madje harrojnë se në një të ardhme jo edhe aq të largët secili prej nesh do të bëhet baltë. Se të gjithë nga balta kemi ardhur, apo jo? Shumë prej fodullëve dinë edhe të luajnë të përvuajturin. Sa herë që i duhen votat e të dëshpëruarve ata përmallohen, premtojnë me lot në sy se mendjen dhe zemrën do ta kenë te ta, se… Problemi është se ende shumë besojnë te fodullëku, madje ndokujt i ngjall edhe respekt dhe kështu e keqja fiton edhe disa pikë më tepër.

Mosmirënjohja është një tjetër talent i së keqes. E keqja është fare e bindur se të gjitha ato çfarë ka arritur i takojnë falë një të drejte universale. Ajo nuk i njeh fjalët besim, ndihmë, mirëkuptim. Këto nuk i hyjnë në punë. Ndryshon puna me edukatën, sepse këtë ajo nganjëherë e përdor, por gjithnjë duke ruajtur si sinonim të së parës fjalën shtirje. Tashmë është bërë e zakonshme që zyrtarë, deputetë, kryetarë bashkish e komunash me të zënë kolltukun të harrojnë që zbatimi i detyrës, përveçse është një obligim ligjor, në thelb është një mirënjohje për ata që bënë të mundur që t’i të jetosh e të punosh në zyrën tënde komode. Shprehja më flagrante e mosmirënjohjes ndaj popullit është ligji aktual i zgjedhjeve. Ky ligj ia heq popullit të drejtën për të zgjedhur njeriun, personazhin, i cili do ta përfaqësojë të paktën për katër vjet. Përqendrimi i së ardhmes së njerëzve të thjeshtë vetëm në pak duar mund të jetë normal dhe fare i aplikueshëm në shoqëri të tjera më të zhvilluara, por te ne ai shton distancën mes njerëzve të thjeshtë dhe politikës, fuqizon kultin e individit, dhe, sikurse e thamë edhe pak më lart, e ushqen mosmirënjohjen në shkallë më superiore. Koha kalon shpejt. Në zgjedhjet e qershorit do të kemi rast të shohim sesa luftëtarë kundër së keqes kanë mbetur ende në këmbë. Në rast se e keqja zyrtarizon fitoren e saj, atëherë po, atëherë duhet ta pranojmë se disa prej nesh janë vërtet Don Kishotë me celularë e xhinse.

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama