Warning: preg_replace(): Unknown modifier '{' in /home/shqiperia/application/views/helpers/Fetchterms.php on line 13

Notice: compact(): Undefined variable: extras in /home/shqiperia/library/Zend/View/Helper/HeadLink.php on line 381

Himara, tre historianë dhe një shok

Shkruar nga: Fatos Baxhaku  
Botuar më: 17 vite më parë

Fatos Baxhaku
Himara, tre historianë dhe një shok

Ndër shokët e mi më të afërt ishte Thanasi, që shumë e thërrisnin edhe "Nas greku". Për ne ishte thjesht Nasi. Bashkë kemi shkuar të shohim ndeshjet e "Tironës" dhe bashkë jemi gëzuar kur ajo fitonte derbin me "Dinamon" dhe "Partizanin", bashkë kemi vjedhur hurmat ndër bahçet tiranase, bashkë i kemi kaluar disa klasë në shkollën "20-vjetori", të rrethuar nga Pallatet e Shallvares, bashkë kemi kaluar ditë të mira e të këqija, sikurse ndodh rëndom me shokët e fëmijërisë.

Në shtëpinë e Nasit, të mbuluara nga gjelbërimi i portokajve shkoja gjithnjë me qejf. Thanasi kishte lindur në Tiranë disa ditë më para a më pas meje. Familja e babait të tij, Janit, një burrë i mirë e i urtë dhe kurdoherë mikpritës ishte nga Himara, familja e së ëmës ishte nga Athina. Gjyshi nga nëna kishte qenë rrobaqepës në kohën e Italisë. Ndër ata që ishin më "çapkënët" e lagjes shumëkush e thërriste Nasin "greku". Asokohe, ne të tjerët inatoseshim e tërboheshim, njësoj sikur inatoseshim sa herë që ndonjë shok tjetër e thërrisnin "ku je o çam!". Nasi vinte vetëm buzën në gaz. Ishte kohë e diktaturës, por ne as që e kuptonim se çfarë donte të thoshte "grek", "shkodran", "çam", ishim të tërë të barabartë përballë topit tonë prej lecke dhe kjo na mjaftonte.

Tani Nasi është një mexoburrë që është larguar prej kohësh nga shtëpia e tij me portokaj në anë të rrugës "Myslym Shyri". Punon në periferinë e Athinës si mekanik. Ky ishte profesioni i tij. Sa herë kemi mundësi ta takojmë e të kujtojmë historitë e vjetra, për Pashkë apo për Krishtlindje, na thotë me buzagazin e tij të përhershëm: Sa mirë që kam qëlluar në një fshat arbëresh. Këtu njerëzit janë aq afër nesh. Të paktën shkëmbej ndonjë fjalë shqip…

Histori si kjo duhet të ketë shumë anekënd Shqipërisë e Greqisë. Ndërsa dy ditë më parë, politika ka hapur sërish debatet për Himarën, kush e di se përse na dilte vazhdimisht përpara portreti i qeshur i Nasit, i njeriut që vinte buzën me gaz duke qeshur me injorancën e të ligjve që kur ishte fare fëmijë. Sikurse ndodh shumë herë, sa kohë që në Shqipëri ka ndonjë problem të rëndësishëm, sikurse janë ndryshimet kushtetuese, apo reformat e tjera, dikush hap kapakun e një kazani që valon që prej kohësh, dhe avulli që del që prej andej shkon deri te fjalët burg, antishqiptar, e gjëra të ngjashme. Është absolutisht e drejtë ajo që avokati Ngjela "shpërtheu" dy ditë më parë në Parlament: kushdo që shkel ligjet e këtij vendi duhet të përgjigjet… Por a mjafton vetëm kjo? Ta zemë se Bollanon do ta kemi pas hekurave, të akuzuar për shpifje antishqiptare - dhe ka shumë gjasë që kjo atij vetë t‘i interesojë si shou - po pastaj? Cili do të jetë Bollano i radhës? A zgjidhet vetëm kështu problemi?

Kjo është një histori që nis që nga thellësia e shekujve, andaj për të na ndihur se mos gjejmë ndonjë gur për të kapërcyer këtë përrua të rrëmbyeshëm më mirë po rreshtojmë tre citime nga njerëz të njohur të letrave që e kanë njohur mirë atë vend të lakmuar nga të mirë e nga të ligj.


Petro Marko, 1977


"Të nesërmen provokova një mbledhje të gjerë në fshat. U mbush oborri i shkollës me burra dhe me gra. Mënjanë ishin nxënësit dhe gjithë të rinjtë, se e kishin marrë vesh që unë do të flisja rreth temës: ‘Jemi shqiptarë, apo grekë?‘.

Bisedën e nisa pak a shumë kështu:

Duhet ta dimë mirë se ç‘jemi, ç‘kombësi kemi, se dëgjohen poshtë e lart fjalë se këta janë grekë, këta nuk dinë se ç‘janë! Pra, fillojmë: Ti, shoku Pavllo Beja, nga e ke origjinën?
Familja jonë, si gjithë Gjileku, jemi krutanë. Erdhëm këtu pas vdekjes së Skënderbeut.
Po ti, Vangjel Liza, si e di origjinën e familjes sate?
Ne vijmë nga Tërbaçi. Këtu erdhën tre vëllezër nga Tërbaçi. Dhe nga të tre vëllezërit u shtuan lagjet Lizaj, Çaçëdhimitrët dhe Trekot.
Po ju, o Kostë, nga vini?
Ne vijmë nga Velça! Jemi Tavajt, - dhe qeshi. - Ju e keni dëgjuar atë breg-shkëmb atje lart, që quhet Trapeza ose Kont-Tava. Rrjedhim nga Kontët, si ju nga Buajt.
Aty te Trapeza paguanin venecianët, prandaj quhet edhe sot e kësaj dite Kont-Tava ose Trapeza"

Kështu me radhë të gjitha familjet thanë se nga rridhnin. Na doli se vetëm një ishte i huaj: Josif Auerbahu, me origjinë çifute, nga Austria"


Eqrem Bej Vlora, 1912 


"Disa ditë më vonë sollën në Kuç gjashtë djem të rinj nga Qeparoi (fshat ortodoks pranë Himarës), të zënë rob në një greminë të Qafë-Mbretit. Ata ishin një njësi zbulimi e dërguar aty nga komanda greke, për të hetuar lëvizjet dhe numrin e forcave tona. Ata ishin shqiptarë (nuk flisnin asnjë fjalë greqisht), ndaj edhe unë duhej të bëja kujdes për sot, por edhe për mot. I dërgova atëherë të rrinin te disa njerëz në Vlorë dhe Gjirokastër, të cilët ata vetë më thanë se i kanë miq dhe të njohur. Ndërkaq, i shkrova edhe një letër komandantit të trupave greke në Himarë, kolonel Spiro Spiromilos (Milaj), i cili, fare pa u trazuar, i kishte dhënë vetes titullin udhëheqës i Himarës (Archegos tis Himaros). Unë e njihja shumë mirë atë vetë dhe farefisin e tij që jetonte ende në Himarë; mund të them madje, se kisha miqësi me ta. Ne na ndanin vetëm pikëpamjet politike e këtu ishim kundërshtarë. Andej nacionalistët grekë, të cilët nga fanatizmi fetar dhe prapambetja politike, përpiqeshin, me të gjitha mënyrat, ta bashkonin Himarën me Greqinë, këndej një nacionalist shqiptar, por njëherësh edhe ithtar besnik i parimit shtetëror osman. Megjithatë, unë kisha respekt për këtë familje; ajo shquhet për karakter, besnikëri ndaj miqve, trimëri dhe qëndrueshmëri. Që letra ime, në ato rrethana, nuk mund të kishte asnjë ndikim, këtë e dija mirë. Sidoqoftë, unë shkrova se shqiptarët e krishterë apo myslimanë janë vëllezër, përmenda prejardhjen shqiptare të shtëpisë së tij dhe iu luta të mos shkaktonte gjakderdhje midis popullsisë së të njëjtit vend se ndryshe ne do të sulmojmë".


Kristo Frashëri, 2005 


"Megjithatë, në gjirin e fshatrave të saj ka një dallim në një pikë të rëndësishme. Tre nga vendbanimet e krahinës - Palasa, Himara dhe Dhërmiu - flasin brenda dhe jashtë shtëpisë shqip dhe greqisht. Katër fshatrat e tjerë brenda dhe jashtë shtëpisë flasin vetëm shqip. Duhet pasur parasysh se tre fshatrat e përmendur i kanë banesat e tyre afër detit. Për këtë arsye ato merreshin me kryesisht me lundrim, kurse kopshtarinë dhe blegtorinë e kishin si ekonomi ndihmëse. Pothuajse çdo familje kishte mjetin e saj të lundrimit, dikush anije, dikush varkë, sipas fuqisë ekonomike. Banorët e katër fshatrave të tjerë (Vuno, Qeparo, Kudhës dhe Pilur) me banesat e tyre në kodrina, larg buzës së detit, nuk merreshin ose merreshin pak me detari, pra nuk kishin mjete lundrimi. Ata merreshin me kopshtari, blegtori dhe emigronin. Si rrjedhim, sa herë që krahina e Himarës bëhej pre e fushatave ushtarake osmane, familjet e fshatrave kodrinore ngarkonin mbi kuaj teshat e shtëpisë dhe bashkë me bagëtitë e tyre strehoheshin përkohësisht në krahinën e Kurveleshit. Përkundrazi, banorët e tre fshatrave të buzëdetit, meqenëse nuk i merrnin dot anijet në krah, pasi ngarkonin mbi to familjet dhe orenditë e domosdoshme, lundronin në viset që nuk ndodheshin nën sundimin turk - në ishujt jonianë (Korfuz) ose në brigjet italiane të Puljas dhe riatdhesoheshin, nganjëherë edhe pas disa vitesh, kur largohej rreziku turk"


Nuk e dimë nëse Nasi, himarjoti i lindur në Tiranë dhe banues në Atikë, tifoz i "Tironës", punëtor i mirë dhe gjithnjë i përmalluar për vendlindjen e tij, i ka lexuar shënimet e historianëve, ndonëse është gjithnjë i etur për librat shqip. Nuk e dimë madje as nëse i ka parë lajmet ku diskutohej për atdheun e tij të vjetër, të bekuarën dhe të lakmuarën Himarë, njësoj si në kohën e qepës. Një gjë ama e dimë me siguri. E qeshura e Nasit do të jetë po ajo, njësoj si në kohën kur tiranas, lebër, çamë, shkodranë, loznim njësoj me të njëjtin top prej lecke. Tani kohët kanë ndryshuar. Mbase tani politikës nuk i duhet të lozë me lodra të rreckosura si dikur, por ama e ka për detyrë që ta shtojë dhe të mos e mpakë të qeshurën këndej dhe andej kufirit. E ndërsa i shkruajmë këto radhë, na shkon ndër mend një pyetje: Kush e di se me kë dhe me çfarë topi kanë luajtur politikanë të tipit të Bollanos? Hajde merre vesh. Mbase më vonë për këtë punë do të shkruajnë historianët.


Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama