Warning: preg_replace(): Unknown modifier '{' in /home/shqiperia/application/views/helpers/Fetchterms.php on line 13

Notice: compact(): Undefined variable: extras in /home/shqiperia/library/Zend/View/Helper/HeadLink.php on line 381

Podesta Group 'ha bukën tonë' dhe 'bën duvanë' e Berishës

Shkruar nga: Mustafa Nano  
Botuar më: 12 vite më parë

Mustafa Nano
Podesta Group 'ha bukën tonë' dhe 'bën duvanë' e Berishës

“Shqip”-i i djeshëm ish hapur me një lajm, që nuk e kishin të përditshmet e tjera. “Lobistët e PD-së paralajmërojnë trazira”, thuhej në titullin kryesor të faqes së parë dhe merret vesh se, po ta kishin, gazetat e tjera do ta trajtonin këtë lajm në të njëjtën mënyrë e me të njëjtën vëmendje. Por nuk e kanë pasur në dorë emailin që përfaqësuesi i kompanisë amerikane “Podesta Group”, njëfarë John Anderson, u ka dërguar mediave të ndryshme nëpër botë me synimin për t’i informuar mbi zhvillimin më të fundit në vendin e shqipeve. Është fjala për këtë çështjen e anëtarit të KQZ-së, që Berisha don ta zëvendësojë me një të vetin. Nuk duket nga ato zhvillime, për të cilat do të lipsej e do të justifikohej një ndërhyrje e kësaj kompanie të famshme lobimi, të cilën Berisha e paguan për të lobuar, kështu thonë letrat, në favor të shtetit shqiptar (sipas “Shqip”-it, kjo kompani ka marrë nga qeveria shqiptare deri më tani 720 mijë dollarë), por lobuesit amerikanë janë vënë automatikisht e me ngut në lëvizje.

Dhe nuk është vetëm natyra e kontratës së lidhur që nuk e justifikon këtë mobilizim të kësaj kompanie (përsëris: në bazë të kontratës është detyrimi i njerëzve të Podestas, në këmbim të parave që kanë marrë, të veprojnë në interes të Shqipërisë e të shtetit shqiptar), por edhe vetë ngjarja, për sytë e të huajve, sidomos për sytë e mediave ndërkombëtare që ka dashur të informojë “eksperti” Anderson, do duhej të ish një ngjarje banale. “Dy muaj para zgjedhjeve po bëhet një debat mbi përkatësinë partiake të një anëtari të KQZ-së” – kjo është ngjarja me pak fjalë. Dhe fakt është se asnjë media ndërkombëtare nuk ka arritur t’i kuptojë tonet dramatike e alarmante të vartësit të Tony Podesta-së. Nuk dimë që ndonjëra sosh të ketë raportuar mbi këtë ngjarje të Tiranës.

Por “Podesta Group” është aktivizuar si me magji, megjithatë. Shikoni se si e hap letrën elektronike rrufjani i Podesta-së: “Njatjeta! Sa për të rifreskuar kujtesën tuaj, unë merrem me informimin e mediave në emër të qeverisë shqiptare, dhe email-at e mi për ju janë thjesht e vetëm për qëllime përditësimi me ngjarjet shqiptare, dhe kuptohet që nuk mund t’më përmendni si burim. Unë nuk jam një zëdhënës i qeverisë së Tiranës.” Dhe menjëherë më pas futet në zemër të çështjes, duke shprehur fillimisht shqetësimin që “[kalimi i LSI-së në krahun tjetër] kushtëzon e lëndon në mënyrë dramatike ekuilibrin politik të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve dhe të 89 komisioneve zgjedhore rajonale, anëtarët e të cilave janë zgjedhur me logjikë partiake. Është fjala për komisione që kanë një rol vendimtar për të luajtur kur të vijë puna për t’i bërë të vlefshme e legjitime rezultatet e zgjedhjeve parlamentare të 23 qershorit”. Dhe vijohet: “[kalimi i LSI-së në krahun tjetër] ndodh në një kohë që është bërë kompozimi i komisioneve zgjedhore; dhe kjo gjë të fut në ndërdyshje”. Dhe mbyllja është fantastike. Deri tani duket sikur ka folur Oerd Bylykbashi (nuk është çudi që email-in ta ketë bërë bash ky), por në fund janë ustallarët e Podesta-së që luajnë me taktika fear-mongering. Ja si e mbyll email-in Andersoni: “Si do zgjidhet kjo situatë? As që e kam idenë. Por mjedisi politik shqiptar është i tillë, që më bën mua të dyshoj se kanë për të ndodhur të pabëra në Shqipëri (“I guess I’m expecting some fireworks”, është fraza e saktë e tij, me të cilën përkthyesit mund të lozin si të duan; dhe unë sapo loza pak me përkthimin tim fare të shkujdesur)”. Nuk harron që t’u thotë edhe se “atë e kanë në dispozicion sa herë që do të kenë nevojë për një kontakt me qeverinë shqiptare”.

Ky është një email që u dërgohet mediave ndërkombëtare, por është e lehtë të merret me mend që email-a të ngjashëm, madje më konfidencialë e me një gjuhë më paternaliste mund të jenë dërguar dhe në zyrat e Departamentit të Shtetit. Kompania “Podesta Group” është shumë e fuqishme në SHBA dhe njihet për ndikimin që ajo ushtron në strukturat vendimmarrëse e politikë-bërëse në Washington.

Dhe me këtë del zbuluar dhe taktika e Berishës për ta shtyrë pak në kohë vendimin për ta shkarkuar anëtarin e KQZ-së të zgjedhur nga LSI-ja e për të vënë në vend të tij një të vetin. Berisha pra është në pritje që ndonjë opinion ndërkombëtar të balancojë, neutralizojë, zhvleftësojë, ndoshta përgënjeshtrojë, ndonjë opinion tjetër ndërkombëtar të shprehur tanimë, për të krijuar kështu idenë se “nuk është e vërtetë që diplomacia ndërkombëtare po flet me një gjuhë të ashpër; përkundrazi, kjo diplomaci është e ndarë”. Në këto rrethana të një opinioni të balancuar ndërkombëtar, Berisha do ta kishte fare të kollajtë të merrte vendimin që ka në kokë.

Duhet pasur frikë, se Podesta-të, që opinionet/qëndrimet e veta i japin/mbajnë në këmbim të parave mund t’ia dalin të kenë një ndikim të fortë tek eprorët e Alexander Arvizu-së në Foggy Bottom. Duhet pasur frikë, pasi kjo kompani ka lidhje të forta me demokratët, dhe veçanërisht me Presidentin Obama (kjo fuqi e kompanive lobuese është, sipas meje, një nga papërsosmëritë e demokracisë amerikane; nuk duket shumë e drejtë, ta hajë dreqi, që ca njerëz që mendojnë me xhepin, e jo me trurin, siç janë drejtuesit e paskrupullt të këtyre kompanive, të kenë ndikim në procesin vendimmarrës të institucioneve të superfuqisë së vetme të botës).

Nëse Podesta-të nuk do të kenë mundësi ta ushtrojnë ndikimin e tyre në ndihmë të gangsterit të Tiranës, ky i fundit nuk ka se si të guxojë ta çojë deri në fund aksionin e nisur. Ai ka aktivizuar dhe të huaj të tjerë (para dy ditësh u faneps një austriak, deputet i Parlamentit Europian, që tha diçka në favor të Berishës), por opinioni në Bruksel nuk ka gjasa që të ndryshojë lidhur me këtë çështje. Nëse dhe amerikanët i mbahen qëndrimit të shprehur, Berishës do t’i shkojnë dëm armët e veta “ndërkombëtare”, të cilat ai i ka blerë me paratë e shqiptarëve, e të cilat në këtë rast, ashtu si në raste të tjera, po i përdor për një qëllim krejt partiak e personal.

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama