Warning: preg_replace(): Unknown modifier '{' in /home/shqiperia/application/views/helpers/Fetchterms.php on line 13

Notice: compact(): Undefined variable: extras in /home/shqiperia/library/Zend/View/Helper/HeadLink.php on line 381

Flm & klm La Fontaine!

Shkruar nga: Edmond Tupja  
Botuar më: 12 vite më parë

Edmond Tupja
Flm & klm La Fontaine!

Po, më duhet të falënderoj në mënyrë krejt moderne, pra, sa më shkurt, siç na e ka mësuar celulari, frëngun La Fontaine, fabulistin e mirënjohur të shekullit XVII, i cili mbetet veçanërisht aktual edhe për jetën politike shqiptare të kohëve të fundit.

Si shembull për ta ilustruar këtë aktualitet kam zgjedhur pikërisht fabulën “Dhelpra dhe Cjapi”, të shqipëruar nga Çajupi dekada më parë. Jam i sigurt që lexuesi im i vëmendshëm dhe i kulturuar e di historinë që shtjellon kjo fabul, por unë do ta përmbledh shkurtimisht atë për ata që nuk kanë pasur fatin ta lexojnë në shqipe dhe aq më pak në frëngjishte: Dhelprën dhe Cjapin, tek shkonin bashkë, i zuri etja dhe ata u futën në një pus, ku pinë sa u nginjën, por kur erdhi puna për të dalë nga pusi, vunë re se e kishin të pamundur; atëherë Dhelpra, si më e zgjuar (d.m.th. dinake, për të qenë më i saktë), i tha Cjapit, mikut të saj të leshtë, sipas shqipërimit të Çajupit të paktën: “Hipë, mik, mbi këtë gur,/ Ngre këmbët në këtë mur/ Dhe brirët përpjetë,/ Të ngjitem mbi kurrizin tënd/ Të mund të dal nga ky vënd;/ Edhe kur të shpëtoj vetë,/ Po të punosh si të thashë,/ Do të të nxjerr pa dyshim”.

Cjapi iu bind asaj dhe sigurisht, pasi doli vetë, Dhelpra e la atë brenda në pus, d.m.th. në ujë, ose figurativisht, në baltë. Së pari, kjo fabul ilustron më së miri thënien tonë kombëtare “shtatë hile dhe një trimëri”, thënie që, dy dekada më parë, nuk e mbaj më mend se si kishte ardhur fjala, ia pata përkthyer e shpjeguar një bashkatdhetari të La Fontaine-it, i cili, pasi u mendua disa çaste, më pati thënë: “Prit pak: shtatë plus një baras tetë; tetë pjesëtim për dy baras katër… Po të paktën të kishte qenë katër hile e katër trimëri, por jo kështu siç ma parashtrove ti!”. Kurse unë e ngushëllova duke i thënë se ne shqiptarët kishim gjithashtu një variant disi më të rëndë të shprehjes së komentuar: “nëntë hile dhe një trimëri”. Së dyti, kur vërej zhvillimet e politikës shqiptare edhe në këtë prag zgjedhjesh parlamentare, shprehja “shtatë/ nëntë hile dhe një të shkretë trimëri” merr tërë kuptimin e saj duke më shpënë pashmangësisht te fabulisti i mirënjohur frëng, pra te dhelpra dinake dhe cjapi i padjallëzuar. A nuk e ilustron më së miri kjo fabul mënyrën se si, me një kompromis të zgjuar, të denjë për dinakërinë e dhelprës lafontenase, Berisha dhe Meta e lanë në fund të pusit politik shqiptare Ramën pas zgjedhjeve parlamentare të 2009-s?

Por mund të shkohet edhe më larg nën dritën kuptimplote të së njëjtës fabul: A nuk ka gjithashtu gjasa që, duke përdorur të njëjtat hile, Rama e Meta ta lënë Berishën në fund të pusit, në mënyrë po aq të denjë për dinakërinë e dhelprës lafontenase, tani që u krijua koalicionit PSA/LSI (sapo përdora termin “koalicion” në vend të fjalës mirëfilli shqipe “besëlidhje”, jo vetëm se kështu shprehen mediat tona, por edhe sepse, në koalicione të tilla, gjithçka mund të ketë, vetëm “besë” jo, absolutisht jo, gjë që e ilustroi fare qartë, mirë e bukur, ndonëse mjerueshëm, prishja e koalicionit PD/LSI nga ana e kësaj të fundit!). Ndoshta, kumti që përcjell fabula “Dhelpra dhe Cjapi” mund t’i ndihmojë analistët dhe opinionistët tanë të parashikojnë ecurinë e politikës shqiptare edhe, të paktën, për dytri- katër-pesë dekadat e ardhshme:

Ç’është e vërteta, nuk e mendoj të pamundur që, një ditë apo natë të ankthshme, në momente prishjesh e riprishjesh, krijimesh e rikrijimesh koalicionesh para ose paszgjedhore, dhelprat tona partiake t’i lënë cjapët tanë po aq partiakë në fund të pusit tonë politik, por ndoshta, si shpirtdhembshura që duan të duken, t’u hedhin nga lart një palë çizme që të mos u lagen këmbët (të dyja, të tria apo të katra?).

Sidoqoftë, me sa duken bathët (me “a”, ende jo me “y”) në politikën shqiptare, tash e tutje dhelprat do kthehen në cjapë dhe cjapët në dhelpra, rregullisht e me radhë, çka do t’i provojë botës mbarë që alternanca apo rrotacioni në pushtet po bëhet realitet edhe në Shqipërinë postkomuniste. Faleminderit La Fontaine dhe ia kalofsh mirë!

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama