BORXHET LAHEN NE KETE BOTE
Veç një tërheqje të lehtë të veshit i bëra Diplomatit të Ri. Kishte ardhur të më përgjonte e provokonte për llogari të Doktorit. Askush nuk e mori vesh atë tërheqje veshi në Vjenë. S’mbeti kush pa e marr vesh në Tiranë.
Ai veprim ishte veç një mënyrë tjetër, alternative, për t’i tërhequr vëmendjen djalit të ish-mikut. E kam njohur që të vogël. Ndonjëherë ia kam tërhequr veshin asokohe, kur hyja e dilja në shtëpinë e të atit të Diplomatit të Ri, Arkeologut.
Pse kaq zhurmë?! Sa herë ma ka tërhequr veshin Arkeologu! Jo vetëm kur isha i vogël, por edhe kur u bëmë bashkë më 1991-shin. Arkeologu u armiqësua me Doktorin që muajt e parë të Epokës së Re. Kishte përmasat e një miti asokohe. Nga ajo ditë u bëmë miq. Sojlinjtë me sojlinjtë. Sojsëzët me sojsëzët. Për 17 vite bashkë kundër Doktorit. Gjatë viteve Arkeologu më ka tërhequr vëmendjen herë pas here për ngutjet, kapriçot, luhatjet e mia. Vërejtje dashamirëse, gjithnjë shpresëplotë për kthesën time për mbarë e për lart. Ishin veç miqësore tërheqjet e veshit nga Arkeologu.
Një dite Arkeologu u kthye te Doktori. Ishte i zhgënjyer nga unë. Vërejta e Arkeologut atë ditë nuk ishte si më parë. Ngjante me aktin e ndarjes përfundimtare. Kërkonte Presidencën. S’mund t’i hapja rrugë. Më la. Tradhti. E ruajta aktin e tij në kujtesë dhe dhimbjen në shpirt. Ia ktheva përmes të birit pas 6 vitesh. Me të m’u dhënë rasti. Më shumë se të birit, veshi i dhembi Arkeologut. Në këtë botë lahen të tëra borxhet Arkeolog! Kush më mirë se ti e ka parë këtë të shkruar në gurët e lashtë?!
KUJTIME RINORE
I vogël kjo më ndodhte shpesh. Më konsideronin të prapë sipas kritereve të kohës. Kapriçoz. Rebel. I grindur. I papërgjegjshëm. I llastuar. Egoist. Frikacak. Ndonëse tërheqja e veshit si veprim ishte gjithnjë njësoj dhe dhimbja e njëllojtë gjithashtu, arrija të dalloja mjaft mirë motivet e veshtërheqësit tim. Ndonjëherë kuptoja që tjetri ma tërhiqte veshin se s’kish ç’të më bënte më shumë ndërsa vlonte nga inati. Më të shumtit ama ma tërhiqnin veshin me kujdes atëror. “Ti je i yni! Ç’ne ti?!”
U rrita. U zgjata. Vazhduan të ma tërhiqnin veshin. Jo më nga poshtë-lart, por nga lart-poshtë. Unë vazhdoja huqet e mia deri kur u shtua fraza “Ne ua presim veshët edhe tanëve kur e teprojnë”. Kuptova se nuk më konsideronin më fëmijë. S’bëhej shaka.
Ishte e tmerrshme kur e imagjinoja veten pa veshë. Përpiqesha ta kaloja duke bërë portrete. Portreti i Atij të Madhit ishte vetedukues. E vizatoja në tri momente. I pari me fytyrë të ngrysur nga mendimet e mia për të. I dyti ndërsa me tërhiqte veshin duke më kujtuar se ishte Partia që më dënonte. I treti me vështrimin e hokatarit që e mposhti dhe e poshtëroi armikun e radhës. Siç kishte bërë me plot nga të vetët.
Shpëtova prej tij pasi ndërroi jetë, ndonëse hija nuk m’u nda. Fillova të ëndërroja që mund të isha unë veshtërheqësi. Vija vërdallë rreth Bllokut. Asgjë. Shpresa po shuhej. Durim. Tërheqja e veshit po bëhej gjithnjë e më e rrallë, gjithnjë e më e dobët. Ndaj veshët ngriheshin gjithnjë e më shumë në përpjekje për të kapur tingullin e shpresës. Erdhi.
EPOKA E RE
Asgjë s’ndryshoi për mua. Më përzunë pa hyrë. Kërkova hakmarrje, dënime. Për gjithë veshtërheqjet mbi mua e mbi të tjerët. As që ma varën. Duket se nuk iu dhembnin më veshët. Në vend të asaj që kërkova, ma tërhoqën përsëri veshin e më nxorën jashtë si ekstremist. E kush pa, miqtë e mi të para Epokës së Re e për të cilën kishim pëshpëritur kaq e kaq herë.
Doktori s’foli. S’lëvizi fare nga vendi. E ndjeva menjëherë që ai do t’ua tërhiqte veshët e për veshi do t’i nxirrte jashtë. Ua thashë. Ju mua e ai juve. Më doli fjala. Veshët e mi arrinin të parashikonin të ardhmen. Të paktën nuk pata iluzione si të tjerët që u rropatën ca kohë. Doktori të gjithë i përzuri për veshi e zverku, një e nga një, ose në grupe. Unë s’humba asnjë ditë atje. Fillova jetën time. Bohemë. S’merrej njeri me mua. S’kishte më tërheqje veshi. Isha i lumtur. Apo iluzion?! Nuk e di.
RIKTHIM MES VESHTERHEQESVE E VESHTERHEQURVE
U ktheva. S’mund të rrija pa vënë veshin në punë. Ndonëse kish kohë pa ma tërhequr, veshi nuk i kishte humbur vetitë. Veç dhimbja ishte ca më e madhe në fillim, por u mësova. Të gjithë xhuxhmaxhuxhët. Ma tërhiqnin veshin nga lart poshtë. Vareshin te veshët e mi. M’u krijua ndjesia se i mbaja si vathë në vesh. E kështu ua mbajta e ua mbaj inatin edhe sot.
Veshët m’u aftësuan. Me to, një e nga një, i eliminova xhuxhmaxhuxhët, derisa një ditë u bëra vetë veshtërheqës. U deshën 7 vite për t’ia arritur asaj dite.
Nga ajo ditë kam 8 vite që tërheq veshë sa andej-këndej. Në fillim e merrnin me shaka, pastaj u çuditën mosbesueshëm, më pas e kuptuan se s’kishin rrugë tjetër. Tashmë u mësuan. E zgjasin vetë veshin t’ua tërheq, por gjithnjë e duan një shpërblim. Nëse nuk u jap gjë egërsohen e më kthehen më dëshirën të m’i shkulin fare veshët. Por tani s’kanë ç’të më bëjnë. Veshët i kam të mbrojtur.
KUR DO VIJE AJO DITE T’I TERHEQ VESHIN DOKTORIT
S’lashë kënd pa i tërhequr veshin, veç Doktorit ende jo. Edhe ai s’la kënd pa ia tërhequr veshin, veç mua jo. Do kish qenë më mirë që të ishte ai veshtërheqësi im më i madh. Kështu do ta kisha pasur më të lehtë ta vija poshtë e të isha unë ai që do t’i tërhiqja veshin. Siç bëra me të tjerët.
Ç’ka Doktori me mua? Veç një herë u mor, shumë kohë më parë, por nuk më tërhoqi fare veshin. Ma theu hundën e kafkën me levë. M’u desh kohë t’merrja veten. Pas shumë vitesh, kur ndodhi shpërthimi i madh, ai erdhi gërmuq në spital. Dukej sikur shpërthimi i kishte ndodhur në bark dhe e kishte përthyer në mes. M’u dhimbs. Doja të përfitoja nga rasti e t’i tërhiqja veshin. Me dashuri e dhimbje, ama. Isha kryetar Partie tashmë. Homolog me të. Doja veçse t’i thosha: “Hëm! Ku e kishe mendjen?! A nuk e di se ke plot të papërgjegjshëm përreth. Nuk duhet t’i besosh kujt”. Ngrita dorën. Ndonëse gërmuq, shikimi i Doktorit ishte po ai. I frikshëm. Më mbeti dora pezull në ajër. Duhej ta çoja diku. I rraha shpatullat.
Guxova para dy vitesh t’i kundërvihem ashpër. Ç’nuk me kish bërë dy vite pas zgjedhjeve që m’i vodhi. Më la zvarrë në bulevard. Në fakt nuk është se mendoja ta mundja. As që bëhej fjalë. Thjesht doja t’i tregoja se edhe unë mundesha t’ia tërhiqja pakëz veshin. Tjetri më keqkuptoi. M’u kthye siç di ai. Levë kokës. Më paralajmëroi se nëse e bëja për të dytën herë, do më këpuste veshë e kokë bashkë. U struka. Prita.
Iu ktheva mjeshtërisë sime. Vura veshët në përdorim. Tashmë ua lashë ndërkombëtarëve të m’i tërheqin. Këtyre po, u pëlqen. Pranova edhe që ai xhuxhmaxhuxhi trashaluq që dikur ka qenë Kryeministër, të kthehet e t’më tërheqë veshin ndërsa m’ka kërcyer në shpinë.
Jam i gatshëm për gjithçka, veç të vijë dita t’ia tërheq veshin Doktorit. Fillova me Diplomatin e Ri, djalë i diplomatit të vjetër, Arkeologut që i shërben Doktorit. Kështu po bëj edhe me disa nga mbështetësit e tij në media, biznes, politikë. Kështu ia tërhoqa veshin zëdhënëses së Doktorit. Kjo po më eksiton. Më duket sikur po ia tërheq veshin atij. Por me masë, ama, se Doktori i mbron të vetët.
Do duroj edhe dy muaj. Tek e fundit, disa, fare pak ama, do t’i lë ende të më tërheqin veshin, unë do t’i tërheq veshët të mive që tashmë i kam të shumtë e të gatshëm. E kanë kuptuar të gjithë që s’vjen e keqja nga tërheqja e veshit. Veshtërheqja u përhap. Tashmë është bërë normë. Zakon. Ves(h). I dobishëm.
Oooooo Doktoooooooor!