Na mungonte versioni artistik i persekutorit të djeshëm (në mos, i atij që ish bërë njësh me regjimin komunist), që pas përmbysjes së madhe të vitit 1990, jo vetëm nuk ka demonstruar se vuan prej ndonjë brerje ndërgjegjeje, por s’e ka pasur për gjë të shesë dëngla lidhur me gjoja qëndrime të tijat kundër diktaturës, apo me gjoja vuajtje të tijat për shkak të diktaturës.
Në jetë e kemi hasur sa të duash këtë “personazh”. E kemi hasur, dhe e hasim edhe sot e kësaj dite, më së shumti gjatë kontakteve tona të përditshme, por na është shfaqur edhe si personazh publik në Parlament, në qeveri, në administratën publike, nëpër studio televizive, nëpër faqe gazetash, shkurt, në të gjitha format e shfaqjes publike.
Na mungonte versioni fictional, por nuk na mungon më. Na e solli Pëllumb Kulla si personazh të dramës së vet “Shshsht, ule zërin!”, që sapo është vënë në skenë, fillimisht në Fier, e këtë fundjavë në Tiranë, nën regjinë e Leka Bungos, që kish kohë që nuk bëhej i gjallë këtyre anëve (edhe Kulla, edhe Bungo, jetojnë në SHBA). Na e solli me personazhin e një drejtori burgu, të cilit “në kohën e demokracisë”, ashtu si mijëra e mijëra të tjerëve si ai, i vajtën po njësoj punët mbroth.
Nuk është se “është lodhur” që t’i venë punët mbroth. Është djali i tij që iu ngjit lëvizjes antikomuniste, që u bë militant i partisë që erdhi në pushtet pas rënies së diktaturës, e që u shpërblye me postin e zv.ambasadorit shqiptar në një vend të Perëndimit, ku tok me të përfundoi dhe i ati, ish-drejtori mizor i burgut të “Shkozës”, personazhi “ynë” pra, të cilin Kulla e zhvillon dhe e zbulon me të gjitha aftësitë e hatashme mimetike pikërisht aty, në Ambasadë, ku janë bërë bashkë si në një rrethanë të improvizuar eksperimentale për qëllime studimore komunistë e antikomunistë, të persekutuar e persekutorë, akademikë e militantë partie, diplomatë të vjetër e diplomatë rishtarë. Të gjithë këta vijnë vërdallë brenda një godine; aty – kush ka qenë në një ambasadë, e di mirë se është tamam kështu – kanë apartamentet, aty flenë e hanë, aty punojnë, aty presin e përcjellin, aty bien në dashuri, aty bëjnë dashuri, aty përflasin e përgjojnë sho-shoqin, aty bëjnë punët e liga e i vënë stërkëmbësha sho-shoqit, aty bëjnë aferat e pista korruptive, ata flasin ligësishten, “gjuhën që është mirë ta dish, jo për ta folur, por për t’i kuptuar ata që e flasin”.
E pashë parmbrëmë këtë shfaqje, dhe në mendje më mbeti ky personazh, që luhet nga Robert Ndrenika; më mbeti në mendje pikërisht për natyrën përfaqësuese e tipizuese që ka. Na e kanë sjellë në majë të hundës këta njerëz me sjelljen e tyre, e shpesh me protagonizmin e tyre në jetën publike. Kulla ka zgjedhur në këtë rast personazhin e një drejtori burgu komunist, dhe me këtë zgjedhje ka dashur ta bëjë më të fortë e më goditës efektin dramaturgjik, por fare mirë mund të kish zgjedhur për të krijuar të njëjtin personazh një ish-aparatçik partie, një ish-komisar ushtrie, një ish-gazetar të Zërit të Popullit a të Bashkimit, një funksionar të lartë të organizatave shoqërore të atyre kohëve, një studiues të historisë, etj. Dukuria është aq kapilare sa s’ka lënë pa prekur asnjë kategori të nomenklaturës komuniste, shumë pjesëtarë të së cilës s’e kanë për gjë të qëmtojnë – janë alkimistë të shkëlqyer, s’ke ç’u thua! – vuajtjen humane tek zelli i tyre i shërbimit. Madje, pikërisht zellin, me të cilin i kanë shërbyer “me pahir” regjimit komunist, e shohin si një borxh që ua ka shoqëria që i ka shtyrë ta bëjnë atë gjë, apo që s’i ka kuptuar se me ç’vuajtje i kanë bërë këto shërbime (Kulla është marrë me këtë argument edhe në shkrimet e tij të natyrës publicistike).
Unë u ndala tek ky personazh, por drama “Shshsht, ule zërin!” është, në fakt, më shumë se sa kaq. Ajo përcjell mesazhin se “Ancien Régime” na mban të gjithëve si pengje të vetat. Ne jemi si në kurth. Bëjmë të dalim, e s’dalim dot. Edhe kur qëllon që dalim nga gracka e regjimit të vjetër, ne mbetemi në grackën e ethosit shqiptar, që e bën të kollajtë ngritjen e regjimeve shtypëse e të korruptuara e që dallohet edhe për këtë gatishmërinë tonë për t’i shërbyer, në këmbim të ca favoreve që na garantojnë mbijetesën, apo jetën në luks, regjimeve që i zënë vendin njëri-tjetrit.
Drama është e natyrës satirike dhe unë e kam të lehtë të përfytyroj Pëllumb Kullën, ngaqë e njoh mirë, teksa është torturuar jo pak në përpjekjen për t’i peshuar mirë situatat, personazhet, tërë fabulën, së pari për ta shpërndarë denoncimin e satirën në të dy “palët”, që në njëfarë kuptimi janë e njëjta palë, apo së dyti për të lënë njësoj të kënaqur, apo njësoj kokëmënjanë, edhe nostalgjikët e regjimit të vjetër, edhe dashnorët e regjimit të ri, që shpesh – përsëris – janë të njëjtët; teksa është torturuar pra me synimin për t’mos u dhënë motiv gardianëve të sotëm të “moralit publik”, të cilët ta fusin në filtër çdo qëndrim dhe të vërsulen me tërsëllëm sa herë që binden se autori ua ka me hile atyre. Dhe në fakt, satira bie sa mbi komunizmin, aq edhe mbi regjimin politik që ka pasuar komunizmin. Spektatori ndjek dramën dhe provon fare pa të keq edhe empathi për një ish-sigurims, edhe simpati për një ish të burgosur, që ka ende shenjat e prangave në duart e tij, edhe neveri për ata që hanë, e komandojnë, në të dy kohët (ish-drejtori i burgut të Shkozës i përfaqëson më së miri të gjithë këta).
Ka edhe më. Kur po dilja pas shfaqjes, Mevlan Shanaj më bëri një vëzhgim që unë vetë sapo ia kish bërë dikujt tjetër: Kjo dramë, me përshkrimin e saktë të një ambasade shqiptare në Perëndim, më bëri të provoja një déjà vu. Në fakt, Mevlani ka qenë diplomat në po atë periudhë, në të cilën zhvillohen ngjarjet e dramës. Unë po ashtu, si dhe vetë Pëllumb Kulla, gjë që e ka ndihmuar shumë këtë të fundit të bëjë atë fotografi të pamëshirshme të punëve të një ambasade.
Duket sikur me këtë dramë, Kulla ndolli dhe atë ngjarjen në Vjenë, ku mbetën të përfshirë dhe diplomatë shqiptarë, të cilët – ky është mendimi im; nuk di nëse është i Kullës – nuk u lënë gjë mangët diplomatëve të dramës me titull “Shshsht, ule zërin!”