…nuk janë thjesht emra qytetesh. Kanë histori prapa. E para që nga lashtësia, i dyti që nga krijimi i Perandorisë Osmane në shekullin XV. Kush thotë histori, thotë gjuhë, kulturë, qytetërim. Pikërisht gjurmë nga këto dy gjuhë, kultura e qytetërime, ruajmë edhe ne, shqiptarët, ndonëse të parët tanë janë përleshur me romakët dhe osmanët, por fakti është që trojet e sotme të vendit tonë u përfshinë për shekuj me radhë, së pari në Perandorinë Romake, pastaj në atë Osmane, duke kaluar kështu nga Perëndimi në Lindje dhe, pas vitit 1945, në mbarim të Luftës së Dytë Botërore, edhe më në Lindje drejt stepave e drejt Siberisë, madje, pas konfliktit “ideologjik” me Bashkimin Sovjetik, përherë e më në Lindje, deri në Kinë, “çinemaçin”, siç thonë ende të moçmit midis nesh.
Siç dihet, pas rënies së diktaturës komuniste në Shqipëri, u shpalos hapur vullneti i shqiptarëve për t’u përfshirë në Bashkimin Europian: a nuk shprehej njëri nga rilindësit tanë më të shquar se “për shqiptarët dielli lind atje ku perëndon”? Por, megjithatë, në gjuhën shqipe gjejmë ende shprehje që i referohen pushtimit osman të Shqipërisë. Kështu, për shembull, emri “Stamboll” përdoret në disa shprehje që më duken interesante të analizohen.
Më konkretisht, shprehjet “Të gjitha rrugët të çojnë në Stamboll”, “Hip këtu e shih Stambollin”, “Stambolli digjet, kurva krihet”, “Me të pyetur shkon në Stamboll” ende përdoren, sigurisht më shumë nga të vjetrit si puna ime. Të tjerë, shumë më të rinj, që duan të duken modernë (apo nga dëshira e zjarrtë për ta parë Shqipërinë pjesëtare me të drejta të plota të Bashkimit Europian?), kanë nisur të thonë e, madje, të shkruajnë, nën ndikimin e gjuhëve perëndimore – për të qëndruar te dy nga katër shprehjet e sapopërmendura –
“Të gjitha rrugët të çojnë në Romë” dhe “Me të pyetur shkon në Romë”, d.m.th., sipas tyre, në Europë, pra, në Bruksel dhe në Strasburg; sa për kujtesë, para shumë dekadash, kur Enver Hoxha e kishte grurë me Bashkimin Sovjetik të Stalinit, nisi të thuhej e të shkruhej “Të gjitha rrugët të çojnë në Moskë” (Patëm fat që nuk u lidhëm me ndonjë fuqi jashtëtokësore, se kushedi në cilin skaj të Galaktikës sonë do të kishim përfunduar!). Nga ana tjetër, jam i sigurt se, lidhur me kurvën që krihet teksa Stambolli digjet, nuk do të vonojë dita kur do të themi e do të shkruajmë, si në anglishte, “Roma digjet, Neroni i bie violinës” (për të cilin, gojët e liga, në mjediset e historianëve italianë, pretendojnë se, ndërsa Roma digjej, ai nuk i binte violinës, por i binte me …orë).
Lexuesit tim të rregullt e të vëmendshëm duhet me siguri t’i kujtohet se para katër a pesë javësh, po në këtë rubrikë, kam përmendur pikërisht proverbin “Stambolli digjet, kurva krihet”, duke nënvizuar se, për hir të marrëdhënieve të mira shqiptaro-turke, do të bënim mirë ta rishkruanim: “Tirana digjet, kurva krihet” ose, për të qenë më trendy, “Tirana përvëlohet, kurva depilohet”, aq më tepër që vetë Turqia aspiron seriozisht të integrohet në Bashkimin Europian. Por, lexuesi im mund të hidhet e të më propozojë që të tregohem më transparent – dhe jo transparrenës – lidhur me proverbin në fjalë ku emrin “Stamboll” unë e zëvendësoj me emrin “Tiranë” ngaqë, edhe ne, shqiptarët, aspirojmë të njëjtën gjë si Turqia, apo jo?
Përgjigjja ime është kjo: Tirana digjet, pra, përvëlohet, do të thotë, po ta aktualizojmë këtë proverb, se Tirana zyrtare, pra, qeveria, po digjet, pra, po përvëlohet nga dëshira për ta futur vendin përfundimisht në familjen e madhe të Bashkimit Europian, por kurva, që nuk do t’ia dijë, krihet ose depilohet, duke sfiduar kështu ata shqiptarë që urojnë me gjithë shpirt që vendi i tyre të fitojë statusin e vendit kandidat për t’u përfshirë në Bashkimin Europian; me sa duket kurva ka zënë morra ose në kokë nëse përdor krehët të imët, ose në trup, në vendet me qime, nëse depilohet. Së fundi, përsa i përket shprehjes “Hip këtu e shih Stambollin”, që ka të njëjtin kuptim si shprehjet “Ndoc Rrokun!” dhe “Opingat e Sheros!”, ende nuk më kanë zënë veshët apo sytë ndonjë variant modern të tipit “Hip këtu e shih Romën”, por më intriguese mua më duket ndajfolja “këtu”:
Sigurisht, kjo tregon ndonjë pjesë të trupit, por cilën? Bërrylin, krahun apo diçka më poshtë se rripi i mesit? Një shoqërim idesh më çon vetvetiu te shprehja “ta hash sa krahu” dhe, po aq vetvetiu, në këtë pragzgjedhjesh të përgjithshme, lind pyetja: Kush kërkon t’ia fusë sa krahu Shqipërisë që Ndoc Rroku të kacafytet vazhdimisht me Sheron në mënyrë që problemet shqiptaro- shqiptare të mos gjejnë kurrë zgjidhje, duke e shtyrë kështu në një të ardhme hipotetike përfshirjen e saj në gjirin e Bashkimit Europian?