Warning: preg_replace(): Unknown modifier '{' in /home/shqiperia/application/views/helpers/Fetchterms.php on line 13

Notice: compact(): Undefined variable: extras in /home/shqiperia/library/Zend/View/Helper/HeadLink.php on line 381

Çfarë na thonë sondazhet?

Shkruar nga: Skënder Minxhozi  
Botuar më: 12 vite më parë

Skënder Minxhozi
Çfarë na thonë sondazhet?

Në fund të majit të vitit 2009, kompania e njohur amerikane e sondazheve “Zogby International” nisi intervistimin “sy më sy” të një mijë shqiptarëve të përzgjedhur rastësisht, me qëllim testimin e preferencave elektorale të tyre. Pas një muaji, më 28 qershor, vendi do të votonte për të rinovuar Parlamentin dhe qeverinë. Rezultati i “Zogby”, në fakt i katërti në radhë (pas sondazheve të muajve janar, mars e prill 2009), do të konfirmonte një tendencë që asokohe ra si një kambanë alarmi në veshët e opozitës.

Prej janarit, kur sondazhi i parë i “Zogby” e nxirrte PS fituese me shtatë pikë përqindje ndaj PD (LSI nuk ishte në koalicion me socialistët), diferenca mes dy partive të mëdha do të vinte duke u rrudhur. Kështu, në sondazhin e dytë, atë të muajit mars, mes PS e PD distanca do të zbriste në dy pikë përqindje. Pra, PS 38%, kurse PD 36%. Vetëm një muaj më vonë, në prill 2009, sipas sondazhit të radhës, dy partitë e mëdha do të ndërronin vend. Për herë të parë në sondazhet e “Zogby International”, Partia Demokratike do të merrte në prill 38% të preferencave të të intervistuarve, përballë 36% të PS. Kjo distancë do të ruhej edhe në sondazhin e fundit të kryer nga amerikanët në maj-qershor, në prag të zgjedhjeve, kur demokratët patën 40% të përkrahjes, ndërsa socialistët vetëm 38%. Partia e tretë politike në vend, LSI, e ndodhur jashtë dy koalicioneve të mëdha, ruajti gjatë këtij harku kohor një konstante mbështetjeje nga 5 deri në 6%.

Dinamika e vitit 2009 përbën edhe sot një temë të pambyllur në debatin politik rreth zgjedhjeve. Ajo mbetet një precedent klasik i një fenomeni të vjetër në skenën politike shqiptare të dy dekadave të fundit, që konsiston në rritjen e përkrahjes për Berishën, sa më shumë që i afrohemi zgjedhjeve. Strateg dhe takticien dinak i fushatave, ai ka ditur rregullisht që të ngrejë përqindjet e partisë së tij në fazën e fundit të fushatave elektorale. Si një lumë i fryrë nga shirat, PD dhe koalicionet e saj kanë ardhur duke e rritur përkrahjen e tyre në sondazhet e opinionit publik, e ky ka qenë një trend që është provuar si i tillë edhe në ditën e votës. Për shembull, nëse i hedh një sy dy sondazheve që Lëvizja Mjaft (në atë kohë shumë kritike ndaj qeverisë “Nano”), bëri në fillim dhe në fund të muajit qershor, do të vësh re se opozita e djathtë ruajti një avantazh konstant ndaj koalicionit të majtë. Ky parashikim u vërtetua nga zgjedhjet e 3 korrikut 2005, ku PS la pushtetin pas tetë vjetësh.

Por ja që ka edhe përjashtime. Fushata brenda së cilës ndodhemi tashmë, duket se është një e tillë. Duhet thënë se është një garë elektorale që po zhvillohet me pak sondime të opinionit publik. Mediat dhe partitë kanë kryer deri tani pak sondazhe. Kemi katër të tilla, të bëra publike nga dy televizione, “Ora News” dhe “Vizion Plus”. Dy institute të njohura italiane të testimit të opinionit publik, “IPR Marketing” dhe “Piepoli”, janë angazhuar për llogari të dy mediave të mësipërme, duke publikuar secila nga dy sondazhe.

Të katër këto sondazhe duket se konfirmojnë një tendencë të kundërt nga ajo që analizuam më sipër. Pra, që në këto zgjedhje, ashtu siç nuk ka ndodhur në të shkuarën e afërt, PD dhe kryetari i saj Berisha, po gjejnë vështirësi në përmbysjen e tendencës negative të votës në sondazhet e opinionit publik. Rezultatet e deritanishme të “IPR Marketing” dhe “Piepoli”, të cilat shtrihen brenda harkut të muajit maj, dëshmojnë një distancë konstante, ose edhe në rritje të lehtë, mes koalicioneve kryesore. Natyrshëm që këto sondazhe përmbajnë edhe elemente që mund të tingëllojnë të panatyrshëm apo jologjikë (janë sondazhe telefonike, kanë mospërputhje logjike për disa forca politike etj.). Por edhe ora më e keqe në botë, dy herë në ditë e tregon saktë kohën, thotë shprehja. Dhe ajo që duket e qartë dhe e palëvizshme është raporti i forcave mes dy paneleve kryesore, nga fillimi i majit deri në fund të tij: opozita kryeson qartë në preferencat e opinionit publik shqiptar.

Kjo fotografi elektorale në katër pamje mund të mos thotë asgjë në funksion të 23 qershorit. Sapo kemi hyrë në atë që konsiderohet zyrtarisht si fushata për zgjedhjet parlamentare të vitit 2013 dhe loja është më se e hapur për të gjitha rezultatet. Por një element bie qartë në sy. Qeveria duket në vështirësi serioze për t’i dhënë shpejtësinë dhe intensitetin e duhur garës së saj zgjedhore. Konsumi i saj i konsiderueshëm, aleanca e minutës së fundit mes PS e LSI, konteksti ekonomik e financiar i pafavorshëm etj., mund të kenë të gjitha rolin e tyre në këtë pozitë të pakënaqshme ku duket se ndodhet Berisha dhe aleatët e tij të djathtë.

E thënë kjo, çdo opsion është i mundshëm deri më 23 qershor. Veçse, në raport me zgjedhjet e mëparshme, nuk mund të mos vihet re se mazhoranca ndodhet në një vonesë të dukshme kohore, në raport me ritmin e saj të njohur elektoral. Berisha mund t’i besojë ende një duzine mitingjesh dhe një morie tjetër inaugurimesh, por nervoziteti me të cilin shumica po përdor pa elegancë administratën dhe shtetin, brutaliteti që po aplikohet në përfshirjen e dhunshme në fushatë të nëpunësve e arsimtarëve, përdorimi masiv i resurseve të shtetit dhe i medias publike, dëshmon se kryeministri është koshient për dizavantazhin shifror që njoftojnë sondazhet deri tani të pakta të opinionit publik. Kësaj radhe duket se mali për t’u ngjitur do të jetë më i lartë se më parë, e ndoshta do të duhet ngjitur edhe pa bombol oksigjeni.

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama