Fjalimi i largimit të Sali Berishës mund t’i ketë prekur zemrat e demokratëve më shumë sesa e gjithë fushata e tij zgjedhore. Atë që ai nuk e bëri dot përgjatë maratonës elektorale, e arriti në pak minuta duke lënë madje përshtypjen se, nëse do të votohej atë çast gjërat do të ishin ndryshe. Në atë orë të së vërtetës, tri ditë pas humbjes shokuese, efekti që shkaktoi dalja e Berishës nuk ishte vetëm dhimbja e mbështetësve për liderin që detyrohet të ikë, për njeriun që prek fundin e askush nuk e ndihmon dot ndërsa e shohin të largohet i vetmuar. Vala e ndjeshmërisë që provokoi fjala e Berishës ishte një shenjë e qartë e asaj që Partisë Demokratike i kishte munguar prej kohësh, i kishte humbur gjatë viteve të mandatit të dytë në pushtet. Boshti moral dhe besimi, falë të cilëve kishte mbijetuar edhe në ditët më të vështira të ekzistencës së saj. Në ato minuta që mund t’i jenë dukur orë të gjata, Sali Berisha foli hapur, u përball me humbjen dhe e pranoi atë duke marrë përgjegjësinë mbi vete. Nuk bëri njoftim për shtyp, as lëshoi ndonjë fjali të shkurtër nga zyra e kryeministrit, por doli përpara mbështetësve të tij për t’u kumtuar drejtpërdrejt se ai dhe vetëm ai ishte përgjegjësi i disfatës. E ata dukeshin të gatshëm për të falur, ndoshta sepse në ato çaste ai ishte Berisha që u kishte munguar.
Kjo mungesë ose humbja e boshtit moral rreth të cilit është përpjekur të mbahet PD, mund të shpjegojë në një masë të madhe edhe humbjen e saj në zgjedhjet e 23 qershorit. Berisha, i njohur për dorën e hekurt me të cilën ka drejtuar, është kritikuar si autoritar e imponues i vullnetit personal, por ky profil i tij ka qenë gjithnjë i vizatuar brenda kornizave të një politikani me integritet. Ndërsa kundërshtarët ishin sharë e mallkuar e pastaj përqafuar e puthur sipas interesit, nëse ishin ndarë për shkak të pazareve e bashkuar në emër të përfitimit, nëse ishin përbaltur me libër shtëpie e pastaj i bënin vizita në shtëpi njëri-tjetrit, skena të tilla, Partia Demokratike ia kishte kursyer publikut. Berisha nuk impononte respekt tek njerëzit e tij vetëm për shkak të autoritetit, por edhe të seriozitetit, moralit politik dhe mënyrës së drejtpërdrejtë për t’u përballur me situata nga më të vështirat. Në njëfarë mënyre, ky profil i tij përbënte në të njëjtën kohë edhe identitetin politik dhe boshtin moral të Partisë Demokratike, që e ka shpëtuar kur të gjithë donin ta asgjësonin dhe e ka ringritur në mënyrë befasuese.
Ndryshimi i profilit të Berishës në vitet e fundit pa diskutim ka ndikuar në devijimin e këtij boshti që mund të jetë një nga shkaqet kryesore të humbjes së PD. Lideri i demokratëve filloi të luante në një terren që nuk e njihte, që nuk ishte i tij. Në vend të përballjes ai preferoi shmangien dhe në vend të betejave zgjodhi negociatat. Dashur pa dashur, ai nisi t’u përngjasojë kundërshtarëve, të cilët i kishte mundur pikërisht duke treguar se kishte një moral të ndryshëm nga ata, se nuk ishte njeri i llogaritjeve të vogla, por politikan i sfidave të mëdha. Duke vepruar në një zonë që nuk e njihte, Berisha bëri lëshime hap pas hapi duke e zbehur modelin e tij dhe duke shkuar drejt një modeli si ai që e kishte refuzuar për vite me radhë. E në këtë terren, sigurisht që kundërshtarët mbeten mjeshtra më të mëdhenj se ai. Ashtu si Edi Rama nuk arriti dot ta mundë atë duke imituar modelin e liderit autoritar, edhe vetë Berisha nuk ia doli dot ta mundë dyshen Rama- Meta duke u sjellë si ata. Elektorati i djathtë ishte mësuar ta shihte atë si liderin që frymëzon dhe jo si politikanin në hall. Dobësia e Berishës përkthehet menjëherë në dobësi edhe tek ata që e votojnë.
Ndonëse kishte dhënë shenja të lehta më parë, dobësia e Berishës u pa qartë në disa momente mjaft domethënëse. Momenti i parë ishte qëndrimi ndaj skandalit të videos Prifti- Meta. Kur shumë vetë prisnin që kryeministri të mbante një qëndrim të fortë ndaj asaj që kishte ndodhur në kabinetin e tij, ai u shfaq i zënë ngushtë, duke lënë të kuptohej hapur pafuqinë për të vepruar. Për herë të parë Berisha tregoi edhe para të vetëve se një pjesë të pushtetit nuk e kontrollonte dot dhe se për ta mbajtur atë duhej të mbyllte një sy e një vesh. Dhe kur ky shembull vjen nga një lider si Berisha, merret lehtë me mend se si përcillet më poshtë. Momenti i dytë ishte zgjedhja e presidentit, kur Ilir Meta darkoi me Edi Ramën. Berisha përsëri nuk pati fuqi të reagonte fort, tregoi që ishte i shantazhueshëm dhe në vend të sfidës preferoi negociatat. Të shumtë kanë qenë ata në PD që do të kishin preferuar përballjen në Kuvend, mocionin e pse jo dhe zgjedhjet e parakohshme në vend të tërheqjes dhe uljes së kokës. Berisha nuk ua dha këtë mundësi, duke e zhvendosur thuajse krejtësisht boshtin e moralit politik ku e kishte mbajtur deri dje partinë e tij. E në fund, pas ikjes së LSI, vjen momenti i tretë, ai i listave të deputetëve, ku Berisha i ofroi kujtdo pushtet si e vetmja mundësi për të mbetur edhe vetë në pushtet.
Nuk ndodhi. Berisha humbi duke luajtur në fushën e kundërshtarëve. Ai u shfaq një politikan si gjithë të tjerët, si ata që kishte përballë dhe jo si lideri që suksesin e kishte arritur falë investimit në integritetin politik. Tek figura e tij, në vend të besimit filloi të bëhej mbizotërues manovrimi. Më shumë se tek forca e tyre, demokratët nisën të besojnë tek skenarët e fshehtë për ndonjë aleancë me LSI pas zgjedhjeve. Ata e kishin humbur boshtin e tyre moral. Dorëheqja e Berishës në selinë e PD, ishte shfaqja e fundit e liderit të tyre të dikurshëm që kishte humbur këto vite. E atij që di të përballet dhe jo të shmanget edhe në situatën më të rëndë. Prandaj dhe i preku zemrat e demokratëve, ashtu si një fenomen që rikthehet atëherë kur nuk mund ta kesh më. Pasuesit të tij do t’i duhet të mbushë një boshllëk të madh. Mbi të gjitha të rigjejë boshtin e moralit politik, sepse pazaret dhe përqindjet e pushtetit treguan se nuk mbajnë gjatë.