Sa e çuditshme dhe cinike është disa herë historia me protagonistët e saj. Me kusht që edhe Lulzim Bashën ta marrim për një të tillë. Dje, kreu i Bashkisë së Tiranës shpalli kandidaturën për kryetar të PD-së. Sipas një itinerari që tashmë e dinë edhe gurët e rrugicave, ai do të hyjë në garë për të korrur një fitore të lehtë. E gjitha kjo, pasi kryetari në detyrë i partisë ka vendosur që ai të jetë pasardhësi i tij.
Këtu nis pikërisht cinizmi i historisë me aktorët në fjalë. Dy vjet të shkuara, teksa synonte poltronin e Edi Ramës në bashkinë e kryeqytetit, Lulzim Basha, i sapodalë nga dera e Ministrisë së Brendshme, reklamonte rrugëve të Tiranës simbiozën jokorrekte të kundërshtarit të tij, si kryetar partie dhe si funksionar i lartë i pushtetit vendor njëherësh. Sipas Bashës, Rama duhej mundur, në mënyrë që bashkia t’u kthehej qytetarëve dhe me qëllim që ky institucion të dilte nga antagonizmi e konfrontimi politik. Teorema e tij synonte të mbante larg, në parim, bashkinë e kryeqytetit, nga përplasjet e ashpra që kishin karakterizuar muajt dhe vitet pas zgjedhjeve të 2009. Deri këtu gjithçka korrekte. Të paktën formalisht. Basha po kërkonte, përveç vijimit të karrierës së tij personale, edhe ndarjen e Bashkisë së Tiranës nga politika e madhe.
Lulzim Basha mundi ta marrë me vendim gjykate fitoren dhe Edi Rama u kthye të bëjë atë që bën edhe sot, kryetarin e Partisë Socialiste. Një lëvizje, e cila në rrafshin afatgjatë rezultoi fatlume për të humburin e 11 majit, që sot, dy vjet më pas, përgatitet të marrë postin e kryeministrit.
Ajo që ka ndodhur në këto orë, është një përsëritje pikë për pikë e asaj që Lulzim Basha reklamonte si negative në momentin kur u zgjodh kryetar bashkie. Teksa bëhet gati të ulet në poltronin e rëndë të Sali Berishës, delfini i tij besnik po e vendos veten në pozicionin më identik të imagjinueshëm me Edi Ramën e dy vjetëve më parë. Vini re se cila do të jetë situata pasi Lulzim Basha të jetë zgjedhur, ashtu siç presin të gjithë të ndodhë, kryetar i Partisë Demokratike: ai do të jetë kryetar i PD-së dhe i Bashkisë së Tiranës njëherësh. Do të jetë gjithashtu kryetar i opozitës, ndërkohë që kundërshtari i tij kryesor, ashtu si Berisha në të shkuarën, do të jetë kryeministër i vendit. E si të mos mjaftonte kjo, Lulzim Basha do të jetë kryetar opozite jashtë parlamentit. Ashtu siç ishte edhe Edi Rama në tetë vjetët e fundit.
Rotacioni i pushtetit më 23 qershor, po shoqërohet, siç shihet, edhe nga rotacioni milimetrik i pozicioneve mes dy partive të mëdha, të cilat do të kenë sërish njërin kryetar në Kuvendin e Shqipërisë, kurse tjetrin në këmbët e minares së xhamisë së Ethem Beut.
Nga ana tjetër, përtej këtij aspekti kurioz dhe disi fatalist, ajo që sot po serviret si garë për kreun e partisë në PD, është de facto një shfaqje e paracaktuar, që ka vetëm një qëllim: të shmangë me çdo kusht analizën e humbjes katastrofike që pësoi e djathta në zgjedhjet e fundit. Nuk ka si shpjegohet ndryshe që një parti, e cila prej dhjetorit 2009 refuzon të zgjedhë forumet më të larta, duke i lënë vendet bosh, të kujtohet sot për sistemin një anëtar, një votë. Nuk ka si shpjegohet ndryshe, që këto orë në PD është totalisht e ndaluar të flitet për shifrat shkatërrimtare të zgjedhjeve, duke nxjerrë në plan të parë garën, si melhemin magjik që shëron gjithçka. Edhe zgavrat elektorale që u hapën në trupin e PD-së me mbi një milion vota kundër.
Ndërkohë, është po aq absurde dhe false nostalgjia që ka kapur të madh e të vogël në PD për Berishën, kur ai ende nuk ka liruar zyrën e kryetarit dhe kur vijon të jetë në timonin e gjithçkaje. Minorenë që përbetohen në “Facebook” se nuk jetojnë dot pa ish-kryetarin, por edhe kandidatë që garojnë për t’i zënë postin, të cilët nuk kanë as skrupullin formal të marrjes së një distance sado të vogël nga njeriu që u ndëshkua me votë masive popullore më 23 qershor. Brenda dhe jashtë mureve të PD-së sot e dinë se dhjetë ditë më parë modeli politik që përfaqëson zoti Berisha, pësoi një humbje historike dhe të pakthyeshme. Për pasojë, retorika romantike që i dedikojnë emrit të tij si Olldashi, ashtu edhe Basha apo të tjerë që kanë të bëjnë me garën për kryetarin, është një nonsens logjik dhe politik. Është e kuptueshme hija e rëndë që Berisha ka mbi partinë që ka drejtuar për dy dekada, është e kuptueshme se rruga drejt marrjes së votave kalon nga devocioni për liderin historik, por është po kaq e kuptueshme dhe e logjikshme nevoja që kjo parti ka, për t’u ndarë me një model që humbi. Madje në mënyrë të shëmtuar e pa lavdi.