Warning: preg_replace(): Unknown modifier '{' in /home/shqiperia/application/views/helpers/Fetchterms.php on line 13

Notice: compact(): Undefined variable: extras in /home/shqiperia/library/Zend/View/Helper/HeadLink.php on line 381

Zhurma

Shkruar nga: Fatos Baxhaku  
Botuar më: 12 vite më parë

Fatos Baxhaku
Zhurma

Kishte kohë që e dinim, e ndienim, e vuanim, porse para pak ditësh erdhi edhe konfirmimi zyrtar i specialistëve. Sipas ISHP Tirana dhe ndonjë qytet tjetër në Shqipëri janë ndër vendet më të zhurmshme në Europë.

Shkaktaret më të para të poteres, që bën agresion mbi individin janë makinat, a më mirë me thënë shoferët e tyre. Te ne përdorimi i makinës private ka një histori krejt të veçantë. Deri në 1990 makinë kishin anëtarët e Byrosë Politike, ministrat, anëtarët e KQ PPSH dhe një sërë zyrtarësh të tjerë të lartë në Tiranë e në rrethe. Të tjerët, që shumë-shumë duhej të kënaqeshin me ndonjë biçikletë, shihnin me admirim se si një “i madh” shkonte dhe vinte nga shtëpia në zyrë me makinë. Makina pra nuk konsiderohej thjesht si mjet i zakonshëm transporti e pune, por si shenjë pushteti, si një tregues i qartë i arritjeve të një personi, si një dekoratë që e vendoste individin, që e përdorte në një kastë tjetër, në një nivel ku e ku më të lartë sesa biçiklistët apo këmbësorët e thjeshtë. Nuk është se të gjithë e mendojnë kështu në mënyrë të kthjellët e të vetëdijshme, por ama në ADN-në tonë të 50 vjetëve komunizëm primitiv me siguri që duhet të jetë ruajtur diku kjo përqasje veturë=pushtet. Përndryshe si do ta shpjegojmë arrogancën e automobilistëve karshi rregullave, tabelave, vizave të bardha, këmbësorëve, policëve? Si do të mund ta shpjegojmë ndryshe kalimin kolosal në rrafsh kulturor nga instrumentet tanë kombëtarë, si çiftelia, fyelli apo daullja te të rënit pa pushim, e vend e pa vend të borive, të cilat që në fillim i quajtëm shkaktaret më të mëdha të poteres, që na vë për të keq në krye të listës në Europë. Me pak fjalë shumë vetë mendojnë pak a shumë kështu: Unë kam makinë! Unë jam më i rëndësishëm, më i pushtetshëm, më i zënë me punë sesa këmbësorët e varfër, pra unë dhe vetëm unë kam të drejtë të sundoj rrugën dhe këtë e bëj duke i rënë borisë sa herë që të ma ketë qejfi, qoftë edhe pa shkak. Kanë të drejtë. Këta lloj tipash vetëm kështu mund t’i marrë njeri në konsideratë.

Ka edhe burime të tjera zhurmash, gjeneratorët sa herë që ikin dritat, matrapikët që ia valojnë zhurmës që në orët e para të mëngjesit dhe vazhdojnë deri vonë në darkë, daullet e Ramazanit, diskot që i kemi brenda nëpër qytete, ndonjëri që të bërtet mu në vesh: Hekra t’vjetra kush ka me shit! Por këto burime zhurme duket se janë të pashmnagshme edhe për disa kohë. Janë, si të thuash, të qarat e një fëmije, që të mërzit, por që edhe e kupton. Në këtë listë të gjatë burimesh zhurmuese më patetikët janë dasmorët. Këta bërtasin hareshëm duke bërë zhurmë me se të munden, me bori me daulle, me rrake, me fishekzjarrë, mjafton që të tjerët të kthejnë kokën dhe të shohin se “sa bukur na ka dalë nusja”. Por edhe për këta duhet ta vëmë dorën në zemër, ani pse prishin qetësinë e fundjavave. Mjafton që të mjaftohen me kaq dhe të mos i kthehen kallashnikovit, sikurse bënin jo shumë kohë më parë.

Askush nuk mund ta thotë prerë nëse, si në rastin tonë, një vend i zhurmshëm prodhon politikë të zhurmshme, apo anasjelltas, një politikë e zhurmshme e kthen poteren në një normë kombëtare. Gjithsesi të folurit me zë të lartë e të ngjirur, të bërtiturat, shpesh ofendimet dhe të sharat, kanë qenë tipar klasik i politikës tonë. Shembulli më klasik ka qenë, të paktën deri para afër një muaji, Berisha. Politikanët bërtitës e poterexhinj përpiqeshin të krijonin bindjen se ai që bërtet më fort ka monopolin e së drejtës. Kjo mënyrë të imponuari të së drejtës apo të së padrejtës u shtri pak nga pak – e nxitur edhe nga gjaknxehtësia jonë tipike mesdhetare – edhe ndër shtëpira, sheshe fshatrash, zyra e ndërmarrje, madje edhe ndër lokale e stadium. Nuk ka rëndësi se ç’ke bërë, nuk ka rëndësi se ç’mendon, po bërtite, po vikate atëherë e ketë fituar davanë. Kjo mënyrë e padenjë të sjelli sigurisht që mund të funksionojë, por vetëm për pak kohë dhe vetëm atje ku injoranca sundon ende.

Para konstituimit të Parlamentit dhe qeverisë së re ngjarja më e madhe e politikës është padyshim zgjedhja e kryetarit të ri të PD. Si për çudi, edhe pse Berisha i zhurmshëm nuk është më në garë, zhurma ka depërtuar edhe në garën mes Olldashit dhe Bashës. Dhe ka ndodhur pikërisht nga personi që nuk pritej, nga vetë Basha. Luli i dytë më i famshëm në Shqipëri, pas Lulit të Vocërr të Migjenit, ka vendosur të dalë nga vetja. Të gjithë e njihnim dhe e vlerësonim për ekuilibrin e tij, për tonet e matura, për edukatën politike dhe qytetare, për mirësjelljen në përgjithësi. Këtë herë Basha ka vendosur të jetë një tjetër njeri. Me vetulla të ngrysura, që me thënë të drejtën nuk i shkojnë aspak, me shprehje të ashpra kërcënuese, që nuk ka qenë aspak zakon i tij, ai nuk është marrë shumë me telashet e brendshme të PD-së, të cilat pas zgjedhjeve nuk janë edhe aq të pakta, por ka vazhduar sulmet kundër Ramës dhe njerëzve të tij. Me sa duket llogaria është e thjeshtë: Duke përmendur pa fund Berishën si liderin e pazëvendësueshëm historik, si babanë e PD-së, si… emërtimet janë pa fund, ai synon që të ketë në krahun e tij Berishën ende superpotent në PD dhe të marrë edhe votat e njerëzve që Berishën e admirojnë deri në amshim dhe këta nuk janë të paktë. (Meqë ra fjala edhe në Vietnam kanë një admirim të pashoq për Ho Shi Minin, por askush nuk i zbaton më këshillat e tij të ndritura. Kohët ndryshojnë…). E parë matematikisht llogaria nuk është e gabuar, por ka shumë gjasë, që edhe në rast suksesi, të jetë një fitore afatshkurtër, që nuk i duhet aspak Bashës vetë, as PD-së dhe as politikës shqiptare.

PD ka nevojë për një analizë të qetë, për një ringjallje të strukturave të saj të atrofizuara që prej kohësh, për një mendim të ri kolegjial në marrjen e vendimeve, për rrahjen e mendimeve alternative, për heqjen dorë nga admirimi naiv i x apo y personi, për heqjen dorë një herë e mirë nga krahinarizmi agresiv, nga servilizmi dhe militantizmi i tejkaluar për të fituar besimin e liderit, PD duhet të heqë dorë nga mbulimi i gabimeve të veta vetëm duke sulmuar kundërshtarët politikë. Me pak fjalë ka ardhur koha që të kemi një PD qytetare, civile, moderne. Vetëm kështu do t’i bëjë shërbim vendit duke qenë në opozitë.

Basha ishte dhe është njëri prej kandidatëve që mund ta merrte mbi supe këtë barrë të rëndë. Të paktën kështu mendojnë plot njerëz që e njohin dhe që e kanë ndjekur në karrierën e tij politike. Porse Basha, për hir të disa llogarive afatshkurtra këto ditë doli nga vetja. Luli – le të na lejojë ta thërrasim sikurse e thërrasin miqësisht banorët e Tiranës – bën mirë të kthehet të jetë ai i pari, jo vetëm për vete, por për të gjithë. Sepse vetëm kështu Luli i dytë më i famshëm në Shqipëri, pas Lulit të Vocërr të Migjenit, do të mund të përballë sfidat me veten, me kandidatin rival, me politikën shqiptare dhe do të mund të justifikojë besimin që shumë vetë kanë tek ai. Luli le të kthehet e të jetë po ai antizhurmë, që ka qenë, në vend që të përdorë boritë njësoj si shoferët tanë të nxituar. Përndryshe nuk do të bëjë gjë tjetër veçse do të bëhet pjesë e poteres së përgjithshme, gjë e cila, si do që të jetë puna, nuk i shkon dhe as që e meriton.

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama