Ndonëse të shumtë janë ata dhe ato që e dinë, unë po rikujtoj këtu përkufizimin e fjalës “militant” siç e jep “Fjalori i gjuhës shqipe” (Tiranë, 2006): “anëtar i një partie a i një organizate, i cili lufton me vendosmëri e me vetëmohim për të plotësuar programin e saj; veprimtar shumë aktiv”. Edhe në gjuhë të tjera, si në frëngjishte, anglishte e italishte, gjejmë, pak a shumë, të njëjtin përkufizim; kështu në frëngjishte, fjalori Le Petit Robert 1, sjell tri përkufizime, nga të cilat dy janë aktuale dhe të ngjashme me barasvlerësin e tyre shqip: 1. “(Term fetar) Që lufton kundër tundimeve. Kisha militante (që i kundërvihet Kishës ngadhënjimtare)”; 2. Që lufton aktivisht për të mbrojtur një çështje, një ide; 2. “anëtar aktiv i një shoqate, sindikate, partie. Militant i bazës: dikush që, në një parti, nuk ka ofiqe apo ndonjë përgjegjësi të veçantë në hierarkinë e saj. Militantët e bazës dhe aparatçikët”.
Dikur, nga fundi i vitit 1995 apo nga fillimi i vitit 1996, m’u desh të punoja si përkthyes për një grup deputetësh francezë që do të takoheshin me disa homologë të tyre shqiptarë. Në fund të veprimtarisë, të ftuarve iu drejtuan një sërë pyetjesh nga shqiptarët. Mbaj mend se njëra nga këto pyetje ishte kjo: “Pasi fiton zgjedhjet dhe vjen në pushtet, a i shpërblen partia juaj militantët e saj?”. Një deputet i djathtë francez, nga partia e Presidentit Jacques Chirac, që mori fjalën, para se të përgjigjej, shtroi pyetjen: “Ç’kuptoni ju me fjalën ‘shpërblen’?”.
Ai mori këtë përgjigje: “Po ja, për shembull, t’u gjejë militantëve të saj punë ose shtëpi”. Atëherë, deputeti francez dha këtë përgjigje: “Jo, partia jonë, madje asnjë parti në Francë nuk i shpërblen kësisoj militantët e saj kur vjen në pushtet. Ai që militon në gjirin e një partie nuk e bën këtë për të pasur përfitimi materiale; ai ka një ideal, të cilit i përket një botëkuptim, dhe përpiqet për realizimin e tij”. E solla këtë hollësi për të nënvizuar faktin që sot në Shqipëri, njëzet e ca vite pas shembjes së regjimit hoxhist, është krijuar dhe rrënjosur në përgjithësi një koncept i rremë për militantin: militanti duhet shpërblyer patjetër materialisht kur partia e tij vjen në pushtet. Pra, te ne, majtas apo djathtas, është krijuar një imazh i pashëndetshëm për militantin dhe, rrjedhimisht, për militantizmin. Nocioni i vetëmohimit, pra, i një pune që bëhet nga ana e militantit pas asnjë interes apo përfitim material, është zhdukur nga vetë përkufizimi i fjalës “militant”. Për këtë arsye, si titull, shkrimit tim të sotëm i kam vënë togfjalëshin “homo militantus”, që i përshtatet më së mirë çdo shqiptari të privuar, tërësisht ose pjesërisht, nga disa virtyte themelore dhe të cilin, herë pas here, e kam cilësuar si “homo albanicus”.
Në këtë mulli sjell ujë edhe mënyra se si, të paktën sipas zotit Rama, kryetar i Partisë Socialiste të Shqipërisë dhe Kryeministër i ardhshëm i vendit, fituesit e zgjedhjeve të 23 qershorit e konceptojnë dhe do ta realizojnë shpërblimin e militantëve të partisë së tyre duke u dhënë poste në administratën publike, madje, sipas gojëve të liga, që jo përherë janë aq të liga sa thuhet, edhe në administratat private. Partia Socialiste dëshmon kështu haptas se po ndjek një taktikë shpërblimore (kocka që i hidhet zagarit pasi i ka sjellë gjahun të zotit), pak a shumë të njëjtë me atë që ka ndjekur edhe Partia Demokratike, por jo duke e trumbetuar kaq bujshëm e paturpësisht fill pas fitores në zgjedhjet për deputetë, pra, ende pa ardhur mirë në pushtet dhe ende pa marrë frenat e shtetit në dorë. Gjithsesi, të dyja këto parti, radhët e të cilave mjerisht numërojnë një numër jo të papërfillshëm anëtarësh me stampën “homo militantus”, janë përgjegjëse për këtë përçudnim e zvetënim të qelizës bazë të një partie, sindikate apo shoqate, dukuri këto që do ta mbajnë për gjë kohë shumë të gjatë peng si demokracinë, ashtu edhe shtetin shqiptar.
A e përfytyron dot lexuesi i vëmendshëm dhe i paanshëm i rubrikës sime të së dielës se në Republikën e Shqipërisë tashmë funksionojnë dy administrata shtetërore: ajo reale, pra, ajo e pushtetarëve, e mbushur me qenie partiake “homo mililtantus”, dhe ajo virtuale, pra, e opozitarëve, gjithashtu e mbushur me qeniet po aq partiake “homo militantus”, por me kahe të kundërt, ndonëse me një tipar të përbashkët: i përkasin së njëjtës racë, asaj “homo albanicus”, e hapur ndaj çdo lloj mercenarizmi. Si përfundim, në drejtim të fituesve të zgjedhjeve të 23 qershorit dhe sidomos të kuadrove të tyre “homo militantus” që do t’u zënë vendin kuadrove “homo militantus” të emëruara para disa vitesh apo disa muajsh para zgjedhjeve në fjalë, kam vetëm një këshillë: “Ruajuni nga aparatçikët e partive tuaja, mos i lejoni t’ju bëjnë monedhë këmbimi brenda sojit ose brenda aleancave të tyre!”. Kurse zotërinjve Rama e Meta, të cilët i përgëzoj për fitoren dhe, në paça rastin, do t’i qeras të parin me një gotë Ramazotti dhe të dytin me një gotë Metaksa, po u sugjeroj që secili partinë e tij ngadhënjimtare ta kthejë në militante sipas kuptimit fetar të termit “militant” në gjuhën frënge, gjë që e kam përmendur në krye të këtij shkrimi.