Ata janë shtuar shumë, veçanërisht në kryeqytetin tonë, me gati një milion banorë. Ata janë të të dyja (tria?) gjinive, thuajse të të gjitha moshave, me prejardhje nga të gjitha rrethet e vendit, analfabetë ose gjysmanalfabetë, të organizuar në grupe ose të pavarur, bardhoshë apo zeshkanë etj., etj. Cilët janë ata? Ata janë Lypësit. Ose Lypsarët. Ose Lypacakët. Ose Lëmoshëtarët. Ose Bonjarët. Ose Kalanderët. Ose Derësit. Ose Përderësit. Ose Rrahaderësit. Ose Lamashët. Ata përbëjnë një shtresë shoqërore më vete me disa nënshtresa.
Së pari kemi ata që thjesht ulen diku, nxjerrin në pah ndonjë gjymtim fizik dhe lypin duke zgjatur dorën e duke përsëritur një formulë të vetme si, për shembull, “Boj sevap, ta boft Zoti mar’!” apo “M’fal noj lek!”.
Së dyti, kemi ata që bredhin para lokaleve dhe u afrohen klientëve duke u zgjatur dorën e duke u përpjekur t’i mallëngjejnë me një zë gati të përvajshëm.
Së treti, kemi ata, të paktë në numër ç’është e vërteta, që bëjnë diçka për ta merituar lëmoshën, për shembull, duke i rënë një vegle muzikore. Së katërti, kemi mashtruesit, të tipit individ me një recetë mjeku në dorë që të drejtohet me mirësjellje dhe të lutet t’ia lexosh emrat e ilaçeve, pastaj të thotë, duke tundur kokën me dëshpërim, që nuk mund t’i marrë në farmaci ato ilaçe sepse i mungojnë vetëm 100 apo 200 lekë (të reja, sigurisht).
Gjithsesi, lypësia është art më vete, aq sa kam krijuar bindjen se ka midis lypësve nga ata që mund të ishin bërë aktorë shumë të mirë. Këtë e konfirmon edhe fakti që disa syresh kanë arritur të blejnë biçikleta po që po, por edhe vetura okazioni, madje thuhet se një lypës pa këmbë sot banon në një shtëpi me ashensor që e ka ndërtuar me paratë e mbledhura sipas mënyrës së vet. Për të mos u treguar i padrejtë me lypësit e vendit tim, nderi ma kërkon të theksoj se edhe në vendet më të zhvilluara të botës ka lloj-lloj lypësish, që lypin edhe brenda mjeteve të transportit urban ose ndërurban (Në Tiranë, një herë më ka zë syri një lypës në autobus, por nuk e di a ka të tillë nëpër trena).
Sidoqoftë, meqenëse numri i lypësve sa vjen e rritet midis nesh për arsye të ndryshme (papunësi, varfërim masiv, keqqeverisje, krizë botërore etj., etj.), ndoshta do të jetë diçka me vend që të legalizohet zanati i nderuar i lypësit në mënyrë që qeveria e drejtuar nga zoti Rama të ketë mundësi t’i tatojë ushtruesit e këtij zanati (i dyti në botë nga vjetërsia) dhe, kësisoj, të zërë vrimat e arkave të shtetit shqiptar; madje, për të mirën e këtyre arkave, qeveria e re mund të bëjë orvatje të ndershme për të legalizuar edhe zanatin më të vjetër në botë, që mjerisht ende gëzon një nam të keq, me qëllim që t’i tatojë ushtrueset e tij; rrjedhimisht, lypës e prostituta do të ktheheshin në kontribues e kontribuese të mirëqenies sonë kombëtare, çka do ta lehtësonte integrimin e Shqipërisë në gjirin e Bashkimit Europian.
Nga ana tjetër, nuk do të ishte ide fort e keqe sikur qeveria e re, në përpjekjet e saj të sinqerta për ta europianizuar lypësin shqiptar (homo lypsalbanicus), t’u lejonte të paktën universiteteve private të krijonin një diplomë të re në fushën e shkencave sociale dhe të komunikimit, me të cilën do të pajiseshin lypësit e ardhshëm shqiptarë (por, pse jo, edhe të huaj), çka do t’u mundësonte atyre të licencoheshin zyrtarisht si ushtrues të profesionit të vjetër e të nderuar të lypësit dhe, për pasojë, të tatoheshin normalisht si gjithë ushtruesit e profesioneve të tjera po aq të nderuara, por jo aq të vjetra. E njëjta gjë mund t’i sugjerohet qeverisë së re edhe për zanatin më të vjetër në botë. Rrjedhimisht, do të krijoheshin edhe shoqata e sindikata të reja për mbrojtjen e të drejtave të lypësve e të prostitutave tona kombëtare.
Së fundi, nuk do të ishte keq që me këto dy lloj diplomash të reja të pajiseshin edhe ato diplomate e diplomatë shqiptarë që do të trokisnin në dyert e organizmave ndërkombëtarë për të lypur (në kuptimin “për të kërkuar me përulësi kryelartë”) ndihma financiare jo vetëm në raste katastrofash natyrore, por rregullisht vit për vit me synim fisnik përfundimtar anëtarësimin e pakthyeshëm të Shqipërisë në Bashkimin Europian, i cili pa reshtur e me padurim ëndërron që ne t’u bashkëngjitemi sa më shpejt, sa më bukur e sa më shtrenjtë radhëve të tij mikpritëse.