Prej kohësh, gjuha shqipe është kritikuar nga disa për mashkullizëm, d.m.th. për trajtim të pabarabartë të femrës në krahasim me mashkullin. Kjo kritikë po del në pah sidomos sot në epokën e barazisë gjinore, e luftës kundër diskriminimit të femrës dhe dhunës së ushtruar ndaj asaj. Sipas kolegut dhe mikut tim sociolog Françesk Armadhi, këto dekadat e fundit jo vetëm te njerëzit, por edhe te kafshët (të cilat, me sa duket, janë ndërgjegjësuar edhe ato për të drejtat e tyre), opinioni publik po sensibilizohet dhe po kërkon që pranë Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, Instituti i Gjuhësisë dhe i Letërsisë ose, më saktë, Qendra e Studimeve Albanologjike t’u ngarkojë për detyrë leksikografëve të ndreqin disa padrejtësi në këtë drejtim.
Kështu, sa për ilustrim të ndërgjegjësimit në fjalë, kritiket e kritikët i vërsulen, ndër të tjera, edhe shprehjes “t’i thuash (t’i thërrasësh) derrit dajë” në kuptimin “nga e keqja, ta quash mik edhe atë që nuk e do dhe që nuk të pëlqen; t’i bësh qejfin një njeriu jo të mirë” (shih “Fjalorin e gjuhës shqipe”, Tiranë 2006, faqe 184, te fjala hyrëse “derr”) dhe, me shumë të drejtë, madje me një ndjenjë zemërate të theksuar, por të ligjshme, nënvizojnë faktin se në gjuhën shqipe nuk thuhet e aq më pak shkruhet “t’i thuash (t’i thërrasësh) dosës teze”. Ky diskriminim i dosave dhe ky përjashtim i tyre nga fondi i artë i frazeologjisë, pra, i shprehjeve popullore në gjuhën shqipe, bie haptas në kundërshtim me frymën e barazisë gjinore që, kudo në botën demokratike, po përfshin gjithnjë e më shumë të gjitha sferat e jetës shoqërore, politike, kulturore, artistike, madje edhe sportive (prej vitesh, tashmë, organizohet rregullisht edhe kampionati i futbollit femëror, gjë ende e pakonceptueshme para disa dekadash).
Rrjedhimisht dhe për pasojë të menjëhershme, leksikografëve shqiptarë u kërkohet që, në ribotimin më të parë të fjalorit në fjalë, ta eliminojnë mangësinë në fjalë duke shtuar (pasi t’i kenë kërkuar falje lexuesit të indinjuar me të drejtë), fill pas shprehjes “t’i thuash (t’i thërrasësh) derrit dajë”, shprehjen “t’i thuash (t’i thërrasësh) dosës teze”; gjithsesi, me këtë sy, leksikografëve do t’u duhet të shohin edhe shumë shprehje të tjera për të vendosur barazinë gjinore aq të vonuar, por po aq të mezipritur, në fjalorët tanë një apo dygjuhësh, te disa shprehje popullore apo proverbiale të tilla si “ç’i duhen brekët qenit”, “të mos dish nga lidhet gomari”, “t’ia hipësh kalit lakuriq”, që kanë nevojë të kenë përkatësisht përbri shprehjet “ç’i duhen brekët bushtrës”, “të mos dish nga lidhet gomarica”, “t’ia hipësh pelës lakuriq” dhe plot të tjera fort të ngjashme nga struktura psikosocialgjuhësore. Kjo ndreqje, ky korrigjim, plotësim, përditësim, quajeni si t’ua ketë ënda, bëhet aq më shumë i domosdoshëm që, në ditët e sotme në vendin tonë, është shtuar së tepërmi numri i atyre (femra, meshkuj e deledashë) që u thonë derrave dajë dhe dosave teze për arsye të ndryshme, si për shembull, për të gjetur punë me më shumë duk financiar, për të marrë kredi, pasuri, prona apo trashëgimi që nuk u përkasin, për të përfituar avantazhe të pamerituara (si diploma e titujt gjithfarësh), për të fituar gjyqe që duhet, normalisht, t’i humbin etj., etj. Në fund të fundit, ç’të keqe ka nëse e bëjmë një gjë të tillë? E keqja më e madhe është që ndonjë dajë dhe ndonjë teze që kemi, mund të na zemërohen e të na thonë: “More nip/moj mbesë, po si kështu: Ti të vësh shenjën e barazimit midis meje, dajës tënd/tezes sate, dhe derrit/dosës?
Nuk të vjen sadopak turp? Nuk të skuqet faqja deri sa të të bëhet mavi? Të sillesh në këtë mënyrë me mua, që të kam mbajtur në krahë, të kam ledhatuar e të kam dashur që kur ishe i/e vogël?”. Por përgjigjja që mund të marrin nga ne, mund të jetë: “Po pse, more dajë/moj teze? Unë nuk jam as i pari/e para dhe as i/e fundit që veproj kështu; sot kjo dukuri ka marrë përmasa shoqërore dhe është kthyer në diçka normale jo vetëm në Shqipëri, por edhe në vende të tjera!”. Me këtë përgjigje, ne do të pandehim se do t’i lëmë gojëhapur, por gabohemi, sepse, falë përvojës që kanë nga jeta, falë dinjitetit dhe mençurisë së tyre, mund të na e mbyllin gojën duke na thënë: “Atëherë, sipas logjikës suaj “normale”, ju mund t’i thoni edhe mutit mjaltë, apo jo? Por vetëm kujdes: një ditë prej ditësh, herët a vonë, do ta hani! Dhe atëherë, që përtej varrit, ne do t’ju themi: “Ju bëftë mirë!”