Një simpati dhe adhurim të munguar po i kthejnë publikut këto ditë studentët dhe pedagogët e Fakultetit Ekonomik të Universitetit të Tiranës.
Përmes reagimeve me vendosmëri të lartë, përshkallëzimit të qëndrimit me bojkotim të provimeve dhe njëherësh me grevë para mjedisit të pushtuar të oborrit të dikurshëm të fakultetit, po ia dalin të krijojnë historinë e një kazusi të ri, atë të qëndrimit dhe mbrojtjes së pronës publike, qoftë ajo edhe shesh i zënë me letra dhe me gjyqe të këtij tranzicioni. Kjo po ngjet në Qytetin Studenti, në këtë vend historik, jo se solli Sali Berishën në pushtet, por se përmbysi një regjim dhe një diktaturë komuniste. Për këtë rrëzim u mburrën e jetuan në hosananë e tyre qeverisësit e ricikluar të këtij tranzicioni, por mëkati i përdorimit dhe sidomos administrimit të pushtetit dhe në mënyrë të veçantë të pronës publike prej tyre, po lë pasoja më shumë se vetë diktatura që e sekuestroi në mënyrën më kriminale.
Megjithatë studentët dhe pedagogët e Fakultetit Ekonomik po rikthejnë zëshmërinë dhe ndërgjegjen reaguese të Qytetit Studenti. Të këtij qyteti ndanë kryeqytetit tonë, i cili në këto 20 vitet e fundit duhej të ishte “burimi i pashtershëm” i zërave dhe i gjeneratave që do të duhej të sfidonin çdo deformim pushteti dhe njëkohësisht çdo keqpërdorim opozite. Për këtë heshtje dhe ndoshta edhe mosdëgjueshmëri të gjatë ndaj Qytetit Studenti, ka shumë bashkëfajtorë, por së fundi heshtja është thyer. Është tejkaluar kufiri. Qytetin Studenti e uzurpuan me familje dhe banesa sociale, me vila dhe pallate militantësh, e uzurpuan përmes privatizimesh, dhëniesh me qira, marrje të kinoklubit dhe kthime prone të fushave dhe mjediseve të bollshme të argëtimit dhe stërvitjeve studentore. Qytetin Studenti e shëmtuan përmes uzurpimit dhe pushtimit fizik, i hoqën ekipet dhe i zhbënë të gjitha mjediset ku kultivoheshin pse jo talente të sporteve, arkitekturës, skulpturës dhe veprimtarive eksperimentuese e prodhuese, kulturës, muzikës dhe show-t etj., etj. E dyndën me administratorë dhe policë gjithfarëllojësh për të zvogëluar lirinë dhe mundësinë tubuese dhe sidomos, për të eklipsuar kontributin e kësaj shtrese, si substancë vitale e shoqërisë civile të vendit. Të gjitha këto e arritën kulmin me tejshtrirjen e makutërisë uzurpuese dhe pushtuese të sipërfaqeve të këtij qyteti, deri në marrëzi dhe barbarizëm. Godina shumëkatëshe që po ngrihet në oborrin e Fakultetit të Ekonomisë, e cila fatmirësisht po refuzohet en-block nga dekani prof. Sulo Hadëri e njëherësh shumica e pedagogëve dhe gjithë studentët, mund t’i ketë të gjitha letrat e siguruara në mënyrën shqiptare në “udhëtimin nga dhe nëpër zyrat e kësaj burokracie skandaloze” të vendit, por e drejta private nuk mund të gllabërojë dhe pushtojë barbarisht nevojën publike. Ky është një shembull që rikthen dhe rihap debatin e kazusit të njohur në shoqëritë liberale dhe sidomos, në shoqëritë e triumfit të lirive të individit dhe privatit.
Reagimi i studentëve dhe pedagogëve të këtij fakulteti publik në Tiranë, mbart një kumt shumë herë më të fuqishëm dhe më të rëndësishëm se “beteja” për disa dhjetëra apo qindra metra tokë private.
Të drejtën e tyre me një kurajë të tillë që pas vitit 1991, nuk e kanë artikuluar kaq hapur në ndonjë rast tjetër studentët dhe pedagogët e vendit në përgjithësi. “Ne nuk jemi këtu për të bërë një protestë 1, 2, 3-ditore, por jemi këtu sepse ne nuk hyjmë në auditor. Kërkojmë me këmbëngulje që të ndërhyhet ndaj uzurpuesve dhe betonizuesve që kanë rrethuar fakultetin nga të katër anët”, formulon qëndrimin pedagogu Pleurat Rexhepi. Ky reagim do të zgjojë edhe reagimet e munguara dhe të vonuara të studentëve e pedagogëve në mjediset e universiteteve publike në vend që nga Shkodra, në Korçë, Vlorë dhe Gjirokastër. Sepse ato mjedise janë kafshuar egërsisht deri në dritëzënie të dritareve në auditorë dhe godinat e strehimit studentor. Në fjalimet para studentëve të grumbulluar te Fakulteti Ekonomik, disa prej pedagogëve kanë përcjellë mesazhe me brendi të fuqishme sociale dhe avokatie publike. Prof. H. Xhafa mëshon: “…Gjykoj se duhet të jeni të ndërgjegjshëm për forcën e jashtëzakonshme që keni. T’i japim një leksion të dytë shoqërisë shqiptare, se aparatçikët mund të mashtrojnë me korrupsion e poza televizive ndonjë të gjorë në ndonjë periferi të humbur dhe jo universitetin. Universitetet kanë bërë histori, bëhuni pjesë e saj dhe jo të trembeni nga struktura të lidhura me mafien dhe që për ideal kanë “Shqipëria tortë”, siç e kanë vërtetuar. Le të jemi bashkë dhe të shohim një spektakël historik për Shqipërinë…” Po kaq e drejtpërdrejtë dhe e pastër semantikisht në adresimin publik për studentët është edhe pedagogia A.Stringa: “…Studentët janë forcë e madhe… janë ata që duhet t’i thonë ndal pushtimit barbar.”
Reagimi me vendosmëri të thënë dhe të vijuar, i studentëve në fakultetin që gjendet në hyrje të Qytetit Studenti, nuk duhet soditur thjesht si një inat i përkohshëm, por duhet lexuar si mbushje e kupës së cinizmit ndaj së drejtës publike në këtë vend. Protesta e studentëve në thelb dhe qëllim ka kryengritjen legjitime të vullnetit përballë “diktaturës së betonit” që po jeton sa vetë ky tranzicion. Bëhet fjalë për frymëmarrjen në gjithë hapësirën urbane të kryeqytetit. Një diktaturë fizike që po privon gjeneratat e fëmijëve të Tiranës dhe në mënyrën më vrastare në Qytetin Studenti që të mos kenë fusha loje dhe parqe. Kjo diktaturë e tmerrshme që u dimensionua si filozofi e fatalizmit të pashmangshëm, mesa duket po paralajmërohet ose merr një shenjë kryeneçësie prej studentëve dhe pedagogëve, atje në Qytetin Studenti. Të gjithë le të bëhemi me ta, pasi prej atij qyteti, qenka e thënë të lindë përherë protesta përmbysëse e së keqes, pavarësisht ç’formë, përmbajtje dhe regjim lidhet me të. Kësaj here nga Qyteti Studenti po vjen shenja për përmbysje të “diktaturës së betonit”.