Në mbledhjen e parë të Grupit Parlamentar” Rilindas”, më 6 shtator 2013, Edi Rama, ndër të tjera, deklaroi se “…Të humburit na kanë lënë në dorë një libër të trashë marrëzish e gabimesh për të mos u përsëritur…”.
Gjykimin objektiv për Sali Berishën dhe demokratët e tij ia la historisë, kur foli dy ditë pas zgjedhjeve të 23 qershorit, dhe pra, i ndërgjegjshëm për subjektivizmin e tij, Edi Rama vazhdon, edhe fare pak ditë para se të bëhet Kryeministër prej vërteti, të zhvillojë gjykimin e tij subjektiv ekstremist për palën tjetër – Sali Berishën dhe demokratët e tij – pasi Ilir Metën dhe LSI i çliroi nga çdo rol e përgjegjësi pak para dhe vazhdimisht pas marrëveshjes parazgjedhore të 1 prillit 2013.
“Libri i Marrëzive” të qeverisjes së shkuar, me autor Edi Ramën, e ka të fshirë tashmë kapitullin për Ilir Metën, i cili zinte mjaft vend te libri pararendës – “Kurbani” – e shumë më tepër vend në librin e pabotuar të Edi Ramës “Raporte e fjalime 2008-2011”.
Subjektivizëm i kësaj shkalle – më elastik se llastiku i benevrekëve – rrëzon edhe atë pjesë objektive që mund të ketë mendimi i tij. Ndonëse në të drejtën e tij për të gjykuar me subjektivizëm kundërshtarin, tashmë në rolin e Kryeministrit, do të ishte më e udhës që Edi Rama të reflektonte, në radhë të parë mbi marrëzitë e veta dhe meritat e kundërshtarit e, më pas, mbi meritat e veta dhe marrëzitë e kundërshtarit.
Meqë po bën të dytën e jo të parën, të tjerët duhet të bëjnë të parën që ai s’ka ndërmend ta bëjë. Le t’ia nisim me leximin e disa pjesëve nga “Libri i marrëzive të Edi Ramës”.
Kapitulli I: MARRËZITE E EDI RAMES
…Edi Rama eci para, gjatë kohës që Ilir Meta ishte Kryeministri i suksesshëm i socialisteve, i pari që rivuri në punë shtetin për të përfunduar ca nga rrugët e nisura e të pabitisura. Asokohe, Edi Rama thoshte lart e poshtë se “shqiptarët nuk duan t’ia dinë për drita e ujë, por për rrugë. Rrugë, rrugë, rrugë! Veç për rruge të përdoren fondet, edhe ato të ndihmës ekonomike” e pak me vonë s’la marrëzi pa bërë kundër Rrugës së Kombit, unazës së Tiranës apo tunelit të Elbasanit e, pas 13 vitesh, para zgjedhjeve 2013, u ankua pse Sali Berisha bënte rrugë, rrugë, rrugë….
…Ndërsa e projektonte veten larg dhe lart, në shtator 2002 Tiranën e plevitosi me ujin e liqenit që rrodhi bollshëm nga diga, ku për dreq harruan portën hapur e ndërkohë, Edi Ramën e zunë ethet, ndërsa treshja Nano-Berisha-Meta sapo kishin hyrë në sezonin e mirëkuptimit. Ndjeu se paqja kërkonte kurban e ai mund të ishte dashi… Në fakt, Sali Berisha e kërkoi kokën e tij përmes hetimit parlamentar nën drejtimin e Sokol Olldashit, por vonë, diku nga pranvera 2003, kur kishte filluar çarja Nano-Meta dhe ftohja Berisha-Nano. Sezoni i mirëkuptimit tresh kishte mbaruar. I sigurt se nuk ishte më dashi i kurbanit, Edi Rama iu turr me megafon e bylbyla Olldashit në Kuvend duke e quajtur Oll-delja, ndërsa nuk përtoi të mbushte Tiranën, për gjithë natën e 31 marsit duke u gdhirë 1 prilli, me parulla për doktorin gënjeshtar. I gëzohej si fëmija akteve të veta dhe aftësive parashikuese mbi rreziqet. Kurbani si koncept, 1 prilli si datë e shquar dhe bylbylat si instrument, iu ngulitën në mendje dhe i përdori gjithnjë e me shumë….
…Pasi vetë Jozefina Topalli pohoi në një intervistë televizive, diku nga shkurti 2006, se disa muaj më herët i kishte kërkuar Theodhori Sallakut të dorëhiqej nga kryeprokuror e ky as që e prishi terezinë e vazhdoi punën plot dy vite paskëtaj, Edi Rama i vuri deputetët socialistë të demonstronin me bylbyla në Kuvend, fill pas deklaratës së kryeparlamentares. Nga ky moment, ua mati kokën me pe deputetëve socialistë që u ndaloi të kujtonin çdo sukses e meritë socialiste në të shkuarën duke i vënë damkën e politikës së vjetër dhe, në mandatin tjetër, 2009-2013, ua bëri Kuvendin çil-e-mbyll dhe çuditi edhe vetë Stefan Fule-në, kur i futi në garë kush-e-kush të duronte më gjatë pa ngrënë, ndërsa ai vazhdonte me stoicizëm dietën proteinike të këshilluar nga specialisti….
…Parandjenjën e rrezikut të kurbanizimit nga Berisha-Nano e pati aq të fortë në 2007-n, me gjithë përpjekjet qetësuese të Ilir Metës për fitoren e sigurt, aq sa për hatër të tij u mblodhën te Presidenti një duzinë burrash me mend e hartuan një traktat të tërë veç mbi certifikatat e u vendos shtyrja me një muaj e zgjedhjeve lokale. Si guri në lumë i të marrit që hajde e nxirre pastaj….
…Aftësinë e nuhatjes së rrezikut e perfeksionoi mbasi ndërroi jetë i ndjeri Kosta Trebicka. Edhe FBI që zbarkoi në Tiranë, konfirmoi vdekjen aksidentale të të ndjerit, por Edi Rama, megjithatë, organizoi protestën kundër qeverisë, në bulevard, para Kryeministrisë, protestë në të cilën ai e disa pasojës mbajtën një sërë fjalimesh që e bënin qeverinë minimalisht fajtore për mungesën e sigurisë në gjueti e maksimalisht vrasëse të të ndjerit. Sikur të ishte e vërtetë që ajo qeveri të ishte aq e aftë sa të bënte vrasjen perfekte sa edhe FBI të gënjehej ngjarjet në këtë vend do të kishin rrjedhur ndryshe. Por, mesa duket, për Edi Ramën, pikërisht ngaqë FBI nuk vërtetoi vrasjen por aksidentin, ngjarja ishte vrasja perfekte e Sali Berishës, e meqë ky kishte bërë një vrasje të këtillë s’kish ç’ta ndalte të bënte një të dytë perfekte ndaj, Edi Rama nxori njerëzit në rrugë për dy punë, edhe kompensonte ç’nuk bëri në mars, edhe i dilte të keqes përpara. Nga ai moment i shijoi shumë protesta në bulevard….
…Ndaj, për Edi Ramën edhe vjedhja e të paktën 75 mijë votave në zgjedhjet 2009 nga Sali Berisha i dukej gjithnjë e më e vërtetë, sa më shumë i pamundur dukej ai operacion gjigant që kërkonte një ushtri prej të paktën 10 mijë manipulatorësh, secili me shtatë a tetë karta identiteti të rreme, që votuan secili shtatë a tetë herë atë ditë sipas një plani perfekt shpërndarjeje në të paktën 2000 qendra votimi, ku e dinin se i prisnin 7-8 mijë komisionerë syleshë, të blerë a të trembur, socialistë. Të njëjtin operacion paskësh realizuar Sali Berisha, krah-për-krah me Ilir Metën, në Bashkinë Tiranë në maj 2011, ku sipas Edi Ramës te “Kurbani” u manipuluan 10 mijë vota, ndaj mori frymë i lehtësuar veç kur Ilir Metën e pati në krah në zgjedhjet 2013….
…Tiranën, krenarinë e tij, e çliroi nga kioskat. Në fakt, kurajën i pari e pati Pandeli Majko kryeministër dhe Ilir Meta zëvendës, por Edi Rama, më pas, e zhvilloi në shkallë të gjerë, e për këtë i duhet njohur merita, por njëkohësisht e mbushi Tiranën me pallate pa plan, ndonëse planin e premtoi se do e bënte brenda vitit të parë, pra brenda 2001-shit, e nuk e përfundoi dot as në 2011-n e tashmë thotë se do ta anulojë planin e Bashkisë së Tiranës e komunave përreth që e bëri, siç kishte premtuar, brenda vitit të parë të mandatit, pasardhësi i Edi Ramës në Bashki, njëherazi i Sali Berishës në parti, Lulzim Basha i cili sapo hapi kantierin e madh të Tiranes Nr. 3….
Kapitulli II: SI REFLEKTON EDI RAMA NDAJ MARRËZIVE TË VETA
Megjithëse lista e marrëzive është e gjatë (shih librin e plotë), gjithsesi Edi Rama ka aftësinë të mësojë prej të tjerëve e të reflektojë mbi marrëzitë e veta, por së shumti, vonë dhe mbrapsht.
……Mësoi shumë nga Sali Berisha se si ta bënte partinë njësh me veten, aq sa ia kaloi edhe vetë atij. Nëse te demokratët, veç nja dy veta bënë grevë urie, Edi Rama shënoi rekord gines me 200 grevistët e tij të urisë; nëse demokratët bojkotonin herë pas here Kuvendin, Edi Rama e zgjati plot dy vite bojkotin parlamentar o me mungesë totale në Kuvend, o mosmarrje pjesë në votim a komisione të deputetëve socialistë; nëse te demokratët të paktën 20% mbështesin kandidatin alternativ për kryetar partie, te socialistët vota për kandidatin alternativ përfundoi poshtë 5%-shit; nëse te qeveritë e demokratëve, edhe në kohën e kontrollit maksimal nga Sali Berisha, kishte gjithnjë ca ministra që nuk ishin besnikë të tij, kjo s’ndodhi me Edi Ramën në Bashki dhe s’po ndodh as tani në qeveri….
….Duke mësuar nga kundërshtari, zhvilloi protestën e dhunshme të 21 janarit 2011, ndonëse edhe vetë amerikanët ia kërkuan të mos e bënte të dhunshme, protestë që e paralajmëroi herë si një biçim 1997 artificiale e herë si një biçim pranvere arabe e që përfundoi si një biçim 14 shtatori 1998, por me motive të dobëta, pasi gjaku, ndryshe nga 14 shtatori, u derdh gjatë e jo para protestës dhe Kryeministri qëndroi në godinë e nuk i bëri bisht sulmit. Protesta e dhunshme ishte reflektimi ndaj gabimit që bëri në mars 2008, pas shpërthimit tragjik të Gërdecit, kur nuk shfrytëzoi rastin të rrëzonte dhunshëm qeverinë e s’mund ta linte më t’i ikte ky shans në janar 2011 pas videos Meta-Prifti, ndonëse Ilir Meta dha dorëheqjen. Por këtu nuk ia doli t’ia kalonte kundërshtarit, kuptoi deri ku ishte kufiri, e mirëkuptoi Sali Berishën kur ai i foli drejtpërdrejt më 23 janar, reflektoi së dyti dhe kuptoi gabimin e reflektimit të parë. Hoqi dorë nga dhuna e për këtë u premtoi edhe amerikanëve, por katër veta humbën jetën e dhjetëra protestues e policë u plagosën në këtë ngjarje të provokuar deri në kufijtë e çmendurisë në Shqipërinë e NATO-s e të lëvizjes së lirë….
….Edi Rama reflektoi edhe mbi gabimin që bëri në prill 2008 me ndryshimet e Kushtetutës. Që kishte gabuar e pranoi publikisht në prill 2012, por duket se ka reflektuar pendueshëm që në janar 2009. Në fakt, pasi mori Kodin Zgjedhor që donte në dhjetor 2008 e për këtë i dha Sali Berishës çdo konsensus ligjor që ky i kërkoi gjithë atë vit e nuk ia ndjeu fare për vuajtjet e urisë së Ilir Metës dhe shokëve të tij bashkëvuajtës, pas këtij momenti, që nga janari 2009 nuk dha më konsensus për asnjë ligj – si p.sh. ai i Gjykatës Administrative, që mund të ishte miratuar atë muaj- e më pas nuk dha votën për dy vite rresht, qoftë edhe për hir të heqjes së vizave. Edhe pasi shkroi “Kurbanin” e deklaroi në shtator 2011 se opozita duhet të sillet si qeveri lidhur me integrimin, nuk dha votën për tri ligjet e famshme në tetor-dhjetor 2012, duke bllokuar për të tretin vit marrjen e statusit të vendit kandidat, ndërsa miratimin e dha fët-e-fët sapo Ilir Meta, aleati strategjik, ia kërkoi si një nga kushtet e aleancës së re të 1 prillit 2013, pasi s’kish se si të bashkoheshin europianisti integrues me bllokuesin e integrimit pa dhënë këtë provë. Shqipërisë i tha Jo. Ilir Metës i tha Po….
Kapitulli III. A ËSHTË RAST I PASHPRESË EDI RAMA?
….Marrëzitë më të mëdha, por edhe reflektimin më të thellë Edi Rama i ka të lidhura me Ilir Metën. Ai ishte i ndërgjegjshëm që përçarja e majtë ishte fara e humbjes në 2005 – farë të cilën, Edi Rama, nëse nuk e vaditi me pompë, ia hodhi një kanoçe. Për përçarjen me pasojë humbjen akuzoi Fatos Nanon, i zuri vendin dhe ribashkoi të majtën në zgjedhjet 2007-s, në të cilat, bashkë me Ilir Metën, fitoi Bashkinë Tiranë e disa bashki të tjera kryesore. Por, si të mos mjaftonin këto dy prova për domosdoshmërinë e aleancës – prova këto njëra në humbje e tjetra në fitore – e ndonëse e paralajmëruan, ribëri gabimin e Nanos që, në këto rrethana përsëritëse, kualifikohet supermarrëzi, e për rrjedhojë humbi në 2009 dhe në 2011….
…Nëse s’do kishte bërë këtë supermarrëzi, do t’i kishte kursyer shumë andralla vetes dhe vendit e do qeveriste që nga 2009. Ndaj, ndërsa në 2013 korri frytet e reflektimit e, më në fund, do të bëhet Kryeministër, do të paguajë edhe koston e vonesës duke mbajtur kalaqafë Ilir Metën e fuqizuar e shumëfishuar, i cili, aty sipër, e ka kapur fort për veshësh. Reflektimi, ndonëse i vonuar, jep ca shpresë, përveç nëse reflektimi përfshin vetëm se si fitohet me Ilir Metën e jo se si bashkëqeveriset me të. Për këtë bën mirë të pyesë jo vetëm Ilir Metën, por edhe Sali Berishën dhe prapë s’mjafton për të mësuar të gjitha yçklat…