Warning: preg_replace(): Unknown modifier '{' in /home/shqiperia/application/views/helpers/Fetchterms.php on line 13

Notice: compact(): Undefined variable: extras in /home/shqiperia/library/Zend/View/Helper/HeadLink.php on line 381

Mediat, Fëmiu dhe Etika


Gëzim Mekuli

 

Kosova jonë e vogël e me probleme të mëdha u ngarkua edhe me një të keqe: shoqëria jonë u provokua nga gazetaria e pashkolluar. Ja një shembull që përforcon mendimin tim: Rasti “Duda” dëshmoi se gazetaria jonë dhe prezantimi i kriminalitetit në media vuan nga deficiti etik. Raportimi mediatik rreth këtij rasti të shoqërisë sonë bëri që familja e Dudës, familja e viktimës së Dudës së gjorë, të përdhunohet vazhdimisht. Etikë gazetareske nuk do thotë të paragjykohen reportazhet e krimit dhe të drejtësisë.

Pse mendoj kështu e pse e them këtë?

Gazetaria jonë e keqe nuk tregoi as më të voglin respekt për aktorët fatkeq të ngjarjes; gazetarucët tanë harruan etikën dhe mënyrën se si duhet prezantuar në media fëmijët dhe adoleshentët.
Mediet elektronike dhe të shkruara nuk “u lodhën” fare për ta ngushëlluar dhe për ta nderuar e respektuar familjen e vajzës së rrahur. Nuk u tregua e nuk u shfaq kujdes edhe në paraqitjen dhe publikimin e emrit dhe fotografisë së vajzës 14-vjeçare?! Si është e mundur që në gazetarinë tonë, më e etshme të jetë vrapi pas lajmit të çoroditur, sesa ndaj kritikës dhe ndihmës që kjo gazetari duhet t’i vijë në ndihmë këtij populli.
Po ashtu, përzgjedhja e fjalëve ishte e njëanshme, ofensive dhe me plot emocione. Fjalitë ishin frikëprodhuese dhe mundësia për të prodhuar dhunë dhe ngatërresa brenda familjes sonë, në përgjithësi, ishte e madhe.
Rinia dhe vajza shqiptare, nga këta gazetarucë e gazetaruce u paraqit e egër, e ndytë e paedukuar dhe, mbi të gjitha, e pandjenjë.
Reportazhet amatore gazetareske nuk u ndalën t’i analizojnë rrethanat sociale, psikologjike e shëndetësore të Dudës së gjorë. Nuk pamë e nuk dëgjuam mbi jetën, eventuale, të çrregulluar e të vështirë familjare të saj; vështirësitë në shkollë, ekonominë e saj.
Nuk pamë e nuk lexuam për raportet mjekësore të gjendjes psikike e shëndetësore të saj. Nuk e pamë shtetin, ndihmën e shtetit, s’pamë e s’dëgjuam as edhe ndonjë debat se përse në këtë shtet “të pavarur e demokratik” prodhohet kaq shumë dhunë e kriminalitet.

Nuk u shkrua e nuk u kritikua aspak defekti në sistemin tonë shëndetësor, pedagogjik e social. Nuk u potencua shoqëria jonë e traumatizuar nga lufta dhe skamja. Gazetarët e gazetaret në mënyrë paushallë e me hamendje përgjithësuan, gjykuan dhe akuzuan “vajzën” dhe familjen shqiptare.
Familja shqiptare, institucioni ynë, në përgjithësi, u akuzua rëndë. E them se u akuzua sepse rasti “Duda” nuk u veçua si rast i ndarë e me probleme psikosociale. Në vend të kësaj gazetarët u vetëparaqiten si policë e gjykatës hetues, ndërsa policia dhe hetuesia ishte më profesionale dhe shumë më kujdesshme në deklarime e shpjegime të nuancave të ngjarjes.

Si të punosh me etikën?

Menduan mediet se çfarë pasojash ka shfaqja e një video të tillë? U mendua nëse videosekuanca e Dudës, i lansuar me pompë, është i vlefshëm dhe i dobishëm? Çfarë pasojash ka fotografia apo videoja për lexuesin, dëgjuesin dhe shikuesin? Po për gazetarinë e mediet në përgjithësi?
Shpesh shumë gazetarë e gazetare kanë ambicie personale që artikulli i tij apo i saj të publikohet në faqe të parë të gazetës, internetit, apo në fillimin e lajmeve dhe emisioneve radiotelevizive. Po ashtu, edhe gara mediatike për të qenë i pari me artikuj, kalon kufirin e etikës gazetareske.
Në raportimin mediatik mbi rastin e Dudës së gjorë u vërejt një mungesë e thellë e empatisë. Është e dhimbshme dhe njëkohësisht tragjike se si një grup i madh i gazetarëve treguan paaftësi për ta futur veten në jetën dhe ndjenjat e të tjerëve. Në mediet tona nuk pamë e nuk dëgjuam fjalë për personalitetin dhe statusin social të saj. Kjo mungesë e empatisë ka themelin dhe fillimin në vrapin pas parasë, etjen për vëmendshmëri, status, garë për të përfituar më shumë lexues e më shumë konsumues dhe, kështu, natyrisht, sigurimin e parave nga fitimi i reklamave. Krim dhe poshtërsi!
Etika profesionale e gazetarisë shqiptare, në anën praktike, siç duket ka shumë pak hapësirë për empati. Detyrë e parë e gazetarit dhe gazetares është të tregohet respekt për njeriun, veçanërisht për fëmijët dhe grupet e dobëta të shoqërisë sonë dhe të sëmurit psikik.
Secili nga ne ka dinjitetin, unin dhe personalitetin vetjak. Andaj edhe kjo, nga mediebërësit tanë, duhet medoemos respektuar.

Duda "e gjorë" grushtoi e dhunoi shoqen e saj, e me këtë grusht u godit dhe u dhunua, përsëri, edhe etika e gazetarisë shqipe.

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama