Së bashku me kategorinë e disidentëve të vërtetë, të ndëshkuar prej organeve të diktaturës komuniste të proletariatit, do të marrin dëmshpërblim edhe segmente që kanë qenë, njëherazi, pjesë dhe viktimë e kësaj diktatuare. Kështu ka vendosur grupi parlamentar i mazhorancës, në një mbledhje të ditës së mërkurë, në përpjekje për të ulur tensionin që ka shkaktuar Neni 6 i projektligjit të ri “Për dëmshpërblimin e ish-të dënuarve politikë të regjimit komunist”. Çfarë thotë konkretisht ky nen? Në ide të përgjithshme, ai përjashton nga përfitimi i dëmshpërblimit një sërë personash, të cilët, para se të ndëshkoheshin prej regjimit diktatorial të Enver Hoxhës & Co kanë patur të tilla poste që ndikonin drejtpërdrejt në zgjatjen e tij.
Në projektligjin e ri. këta individë përjashtohen nga përfitimi i dëmshpërblimit. Janë shtatë kategori profesionale, të cilët janë ndëshkuar si pasojë e luftës për pushtet brenda llojit dhe jo sepse kanë qenë disidentë, kontribues aktivë apo pasive kundër tij. Konkretisht, neni gjashtë i projektligjit të ri përcakton si jopërfitues: ish-punonjësin e sektorit për Sigurimin e Shtetit (shërbimi i fshehtë komunist), të Komitetit Qendror të PPSH-së, oficerin e Sigurimit të Shtetit (legal a ilegal), të reparteve të ndjekjes dhe ato të ruajtjes së personaliteteve, hetuesit, prokurorët, gjyqtarët a ndihmësgjyqtarët në procese politike speciale. Po ashtu, përjashtohen nga e drejta e përfitimit të dëmshpërblimit denoncuesi, dëshmitari i rremë ose rëndues në procese politike në dëm të të pandehurve, personi i regjistruar në materialet e Sigurimit të Shtetit si bashkëpunëtor me cilësinë informator, agjent rezident, strehues ose zotërues i një apartamenti të vënë në dispozicion nga Sigurimi i Shtetit gjatë periudhës 30.11.1944 deri më 01.10.1991. Së bashku me kategoritë e mësipërme, të përjashtuar nga marrja e dëmshpërblimit janë edhe: ish-anëtari i qeverisë komuniste, anëtari i Komitetit Qendror të Partisë së Punës së Shqipërisë, anëtari i Këshillit Presidencial komunist, së bashku me kryetarin e Gjykatës së Lartë, Prokurorin e Përgjithshëm dhe deputetë komunistë, përpara zgjedhjeve të 31 marsit 1991.
Në dukje, vendimi i parlamentarëve demokratë motivohet si një gjest humanizmi, kurse në të vërtetë nuk është tjetër, veçse një përdhosje e vlerave të vërteta antikomuniste. Jo vetëm, sepse vendosja e shenjës së barazisë midis xhelatit dhe viktimës bën pjesë në kategorinë dialektike të të kundërtave të papajtueshme, por sepse ajo pjesë e ish-nomenklaturës komuniste, e cila më vonë u bë viktimë e saj, nuk ka asgjë të përbashkët me të kundërtën e saj: disidencën dhe viktimat e kësaj të fundit. Sepse, Mehmet Shehu dhe pinjollët e tij, vërtet e pësuan pas daljes në konkluzion të Enver Hoxhës se ishin “çerdhe poliagjentësh”, por kjo ndodhi pas rreth 40 vjetëve kontribut të rëndësishëm në favor të zgjatjes, forcimit dhe konsolidimit të diktaturës komuniste dhe një jete prej “pashallarësh të kuq” që këta bënë. I njëjti vlerësim mund të qëndrojë edhe për Kadri Hazbiun, Beqir Ballukun, Feçor Shehun, Petrit Dumen, Sejfulla Malëshovën, Liri Belishovën, etj., të cilët, me amendimin e nenit gjashtë të ligjit dalin të barabartë me Musine Kokalarin, Lef Nosin, Nebil Çukën, Pjetër Arbnorin, Abdi Sharrën, Osman Kazazin, me grupin e deputetëve të pushkatuar barbarisht gjatë viteve të tetorit të kuq ’45-’48, me dy poetët, Vilson Bloshmi e Genc Leka dhe shumë figura të tjera që nuk ua përmend emrat për arsye vendi.
Përkundër kësaj nomenklature të ndëshkuar, nga lufta brenda llojit, deputetë dhe pinjollë pasues të idealeve dhe kauzave të kundërta me komunizmin përfunduan tragjikisht, jo si rezultat i kësaj lufte, por nga qenia kundërshtarë të bindur ideologjikë dhe politikë të regjimit komunist të Enver Hoxhës & Co. E përcaktojmë kështu, pasi njeriu që e drejtoi anijen e komunizmit shqiptar për më shumë se 40 vjet në këtë sipërmarrje nuk ishte i vetëm. Ai kishte nga pas edhe shpurën, ku bënin pjesë të sipërpërmendurit, së bashku me armatën e hetuesve, gjyqtarëve, spiunëve, denoncuesve etj., kategorive të ndëshkuara nga organet e drejtësisë së llojit të vet e që sot protestojnë për të përfituar dëmshpërblim.
Nisur nga këndvështrimi i periudhës postkomuniste shqiptare sipas optikës së Nurembergut antinazist, nuk është e tepërt të thuhet se amendimi i Nenit 6 të projektligjit “Për dëmshpërblimin e ish-të dënuarve politikë të regjimit komunist”, nuk është gjë tjetër, veçse stimulim i atavizmit komunist, që vazhdon të frymërojë në politikën shqiptare. Përkundrazi, lënia e tij në trajtë të pakorrigjuar le të shërbejë si hapi i parë i futjes së shoqërisë shqiptare në rrugën e dekomunistizimit real.