Diplomacia greke dhe ajo shqiptare i kanë gjeneruar dhe shijuar të gjitha gjendjet në raportet me njëra-tjetrën. Pas tre vjet heshtjeje dhe gjysmëngrirjeje të pranuara dypalshëm, për shkak (sipas diplomatëve grekë dhe nesh), të bllokimit të marrëveshjes për kufirin detar, dje ministri i Jashtëm i Greqisë, Evangelos Venizelos, mbërriti në Tiranë me pretendime dhe synime marrëveshëse. Një vullnet të tillë e kishte paradeklaruar edhe qeveria e Kryeministrit Rama.
Vizita inkonjito në muajin korrik e Kryeministrit në ardhje Rama, (ndërsa në detyrë ndodhej Kryeministri Berisha), në Athinë dhe takimet që pati me Kryeministrin grek Samaras dhe ortakun qeverisës të tij zv/kryeministrin dhe ministrin e Jashtëm, njëherazi edhe kryetar i PASOK-ut, Venizelos, po parathonin mbylljen e kapitullit të marrëdhënieve të ngrira, që ishin shkaktuar mes qeverive teknike të Greqisë dhe qeverisë së Kryeministrit Berisha. Ecejaket dhe takimet e ambasadorëve të të dyja vendeve nëpër ministritë e Jashtme respektive, por sidomos evitimi i deklaratave “cingëritëse” nga konsujt e Greqisë në Korçë dhe Gjirokastër, janë shenjat e jashtme të një nevoje për rimishërim normaliteti jo vetëm në diplomacitë, por përgjithësisht në gjithë komponentët e relacionet ndërshtetërore, mes dy vendeve.
Takimi i një muaji më parë në SHBA mes zotit Venizelos dhe homologut të tij të ri, zotit Bushati, lëshoi sinjale për kapërcim të pashmangshëm të kohëngrirjes në këto marrëdhënie. Dhe është e njohur që raportet e kësaj kohe tekanjoze kanë grumbulluar disa çështje, sikundër kanë bërë edhe më të dallueshme problemet e mbartura si histori të pazgjidhura në të shkuarën.
Vizita e djeshme e zotit Venizelos në Tiranë, nuk solli apo mbarti zgjidhje, madje nuk u fsheh as edhe ndonjë nënshkrim dypalësh marrëveshjeje që do të kishte të bënte vetëm me marrëveshjen për kufirin detar. Kjo pritshmëri do të shprehte naivitet.
Mirëpo kjo ardhje e kryediplomatit grek në Tiranë konfirmoi zhbllokimin e ecejakeve dhe axhendës së shkëmbimeve diplomatike në nivelet e larta shtetërore. Kjo është një ardhje diplomatike që theu kohën e heshtjes dhe tensionin retorik mes dy vendeve, të cilat në kushtet e sotme, gjenden njëra në pikun e krizës financiare dhe politike të vetes dhe tjetra në prologun e një qeverisjeje të re, që po depërton në stuhinë e ekonomisë në rënie dhe financave në mjegullnajë.
Ardhja e zotit Venizelos në Tiranë nuk është e lidhur vetëm me atë renditje çështjesh të publikuara në mediat e Athinës apo Tiranës. Të dyja qeveritë nuk e kanë mundësinë dhe komoditetin të dialogojnë dhe negociojnë qetësisht, aq më tepër menjëherë, marrëveshjen e rrëzuar të kufirit detar. Kjo është çështje jo vetëm e ekspozuar, por mbi të gjitha e dënuar të trajtohet ndryshe nga rasti i parë i saj, kur për protagonistë dhe nënshkrues respektivë kishte ish-ministrin e Jashtëm shqiptar Lulzim Basha dhe homologen e tij greke Dora Bakojanis. Sikundër komoditeti i heshtjes mundësohej edhe nga rrethana e hermetizmit diplomatik dhe politik të atëkohshëm. Sot, kjo marrëveshje është e kryqëzuar të ndodhë dhe nënshkruhet në sy të publikut dhe me transparencë të plotë. Në brendi dhe ecuri të saj, nuk mund të fshihet absolutisht asnjë llogari e aq më tepër pramati politike, sikundër ngjau në variantin e parë, fatmirësisht të rrëzuar për interesin kombëtar shqiptar. Për këtë arsye, ministri grek Venizelos dhe ai shqiptar Bushati, në deklarimet zyrtare para gazetarëve zgjodhën prononcime që dilnin nga tabuja e së folmes diplomatike. Zoti Venizelos, ndryshe nga gjithë ministrat grekë, u shpreh se e sheh kontekstin e zgjidhjes së “çështjes së delimitimit të kufirit detar”, në kohezion dhe bashkinteresim me shtetin fqinj Italinë, madje të pashmangshme nga koha e presidencës së radhës që të dy vendet e BE-së në Mesdhe do të konsumojnë në periudhën e afërt kohore.
Zoti Venizelos iu përgjigj kështu pyetjes së gazetarit në konferencën për shtyp: “Baza e përbashkët e Detit Mesdhetar që përbëhet nga presidencat e njëpasnjëshme të Greqisë dhe Italisë në BE është politika e integruar detare që në epiqendër ka Mesdheun. Komisioni Europian ka dhënë në publik një studim të rëndësishëm, që tregon se zbatimi i së drejtës ndërkombëtare të detit dhe delimitimi i zonave ndërkontinentale ka shumë rëndësi për BE-në dhe vendet që lagen nga Mesdheu. Të gjitha vendet e BE-së pranojnë të drejtën ndërkombëtare mbi detin dhe Konventën e OKB-së mbi zbatimin e së drejtës. Kjo është e qartë se kriteret e Kopenhagës vlejnë edhe për vendet kandidate në BE. …Nuk ka asnjë ndryshim midis delimitimit të zonës ekonomike dhe kontinentale. Ekziston një praktikë dhe një shembull greko-italian dhe në të njëjtin drejtim do të lëvizim edhe me Shqipërinë, sepse kemi pranuar të njëjtat rregulla.”
Prononcimi i shefit të diplomacisë zyrtare të Greqisë në këtë kuadër reference, u pasua edhe nga prononcimi i ministrit tonë Bushati: “Sot nuk shtrohet më pyetja se si e shikon qeveria vendimin e Gjykatës Kushtetuese, por si do të ecim ne përpara për t’i dhënë një zgjidhje, e cila, siç e shpjegoi ministri, është e rëndësishme për Shqipërinë, Greqinë dhe Mesdheun. Përgjigjja ime është shumë e drejtpërdrejtë. Duam t’i adresojmë të gjitha çështjet me kurajë dhe me politikë, bazuar në legjislacionet e vendeve respektive, parimet e themeluara të së drejtës ndërkombëtare dhe eksperiencave më të mira. Synimi ynë është BE-ja.”
Greqia është fqinji ynë jugor, në të cilin krerët e lartë të shtetit shqiptar me kohë kanë rralluar vizitat. Sikundër edhe vetë krerët e lartë grekë e kanë përdorur këtë rrallim shkëmbimesh si alibi e konfirmim për zhvillimet e agravuara nacionaliste në atmosferat e krijuara në harkun kohor të pas vitit 2009 deri më sot. Në fakt, ky realitet pasoi rrëzimin e marrëveshjes së kufirit detar të ankimuar në Gjykatën Kushtetuese nga ish-opozita e majtë e vendit. Sot ankimuesit e djeshëm në Shqipëri kanë statusin e zgjidhësit. Ky nuk është pozicion halli, por mundësi drejtzgjidhjeje. Zoti Venizelos, i ndodhur dje në Tiranë, nuk është në rolin e dhurimtarit, por kurrsesi nuk mund të bëhet edhe kushtëzuesi i pakthyeshëm e aq më tepër koncesionkërkuesi. Greqia është në një moment të ri që i imponon kapërcimin e diplomacisë-tabu të shpërfilljes dhe injorimit të normës së paritetit me diplomacinë shqiptare. Në pohimet e tyre dhe në diferencën që patën për pranimin apo shtrimin e problemeve që ekzistojnë, të dy ministrat evidentuan pikërisht këtë dallesë. Çështja çame për diplomacinë shqiptare është brendi e pashmangshme tashmë e axhendës së përhershme diplomatike, ndërsa për diplomacinë greke, edhe pse mohohet me konsistencë, pranohet si e reduktuar thjesht si çështje juridike. Megjithatë, ish-ministrat e Jashtëm, dy Edmondat; Haxhinasto dhe Panariti, dhe së fundi edhe Ditmir Bushati, me gjuhën zyrtare të diplomacisë sonë nuk e kanë lënë këtë çështje si një aspekt të protokollit të mbuluar, por e kanë shënjuar si çështje themelore të axhendës që kërkon trajtim.
Historia e zhvillimit dhe ndodhive greko-shqiptare në 23 vjetët e tranzicionit postkomunist, nuk është një referencë nderuese dhe aq më tepër e cilësishme. Tashmë janë kohë dhe kontekste të tjera. Të dyja vendet kanë nevojë për diplomaci tjetër dhe për rrjedhojë edhe për mishërim ndërgjegjesh të reja shtet-fqinjësi dashëse, pasi imponuese dhe imediate shfaqen interesa dhe situata kritike. Realiteti kritik i ekonomisë, gjendja e rrezikshme sociale dhe të papriturat që shfaqen në horizontin e ekonomisë globale, janë një arsye për shtyrjen e axhendës së mbartur apo krijuar si produkt i sindromave ballkanike të zënkës dhe mungesës së reciprocitetit dhe paritetit.
Problemet e mbartura, ato të mavijosura prej kohës dhe historisë, të shtuarat prej tranzicionit dhe sidomos epokës së re të emigracionit shqiptar në Greqi, çështjet e patrajtuara të ekonomisë dhe entiteteve bietnike, raportet e tronditura të shkëmbimit tregtar, investimet greke të ngrira dhe ato në fathumbjeje, si dhe përbashkësia në krizën ekonomiko-financiare me horizont të paqartë e humnerik, janë arsyeja madhore që imponon diplomacitë e dy vendeve të rikonceptojnë axhendën bilaterale. Për këtë arsye madhore, qeveria e zotit Samaras dhe ajo e zotit Rama, përmes vizitës së djeshme të ministrit të Jashtëm grek Venizelos në Tiranë, ekspozuan të vërtetën e qenies para nevojës dhe interesit, për një marrëveshje tjetër, për një mirëkuptim antitabusë së njohur të relacioneve të deritanishme. Që të kryhet ajo leverdishëm dhe në kohën e vlerës së plotë, nevojitet jo vetëm diplomacia, por sidomos sinqeriteti ndërshtetëror që mishërohet përmes thelbit të së thënës: “Kapërceva ty, e kapërceva veten”. Të dy ministrat e Jashtëm, zotërinjtë Venizelos dhe Bushati, në deklarimin postbisedimor u shprehën se BE-ja është destinacioni që dimensionon zgjidhjet dhe relativizon pengesat e vetëkapërcimit greko-shqiptar.