HISTORIA TREVJEÇARE E NGECJES
Dje, Komisioni Europian (Komisioni) deklaroni se rekomandonte dhënien e statusit të vendit kandidat për Shqipërinë (Statusi). Në dokumentin për strategjinë e zgjerimit 2013, bazuar edhe në raportin vjetor të vlerësimit për Shqipërinë, Komisioni i komunikon Këshillit Europian (Këshilli) dhe Parlamentit Europian (Parlamenti) mendimin e tij se “Duke parë se Shqipëria ka arritur progresin e nevojshëm… Këshilli duhet t’i japë Shqipërisë statusin e vendit kandidat me kompromisin që Shqipëria do të vazhdojë të ndërmarrë aksione në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit”.
Tri vite më parë, në nëntor 2010, Komisioni Europian, duke parë se politika shqiptare ishte mbërthyer nga i ashtuquajturi “ngërç”, caktoi 12 prioritete, të cilat më vonë u zbërthyen në një mori aksionesh me objektiva konkrete, realizimi i të cilave do të shënonte momentin e merituar të rekomandimit për çeljen e negociatave për anëtarësim (negociatat) e, në ndërkohë një shans më afatshkurtër do të ishte rekomandimi për statusin nëse vendi do të çlirohej nga “ngërçi” politik.
Meqë klima politike dha shenja përmirësimi veç një vit më vonë, në fund të 2011-s, Komisioni qartësoi qëndrimin e tij për statusin dhe negociatat. Për statusin klima e sapopërmirësuar politike duhej të vazhdonte pa reshtur dhe të provohej se ishte e qëndrueshme, e kjo do të vlerësohej përmes pak produkteve specifike, siç ishin miratimi konsensual i disa ligjeve bazë të lidhura me Kuvendin, administratën, Gjyqësorin apo emërimi konsensual i Avokatit të Popullit. Detyrat për stadin e mëpasshëm, atë të negociatave, u zbërthyen në dhjetëra e dhjetëra mikrodetyra me objektiva të organizuar në etapa kohore, realizimi i të cilëve do të vlerësohej në vazhdimësi.
Në tetor 2012, Komisioni konstatoi se klima politike ishte përmirësuar, e kjo demonstrohej nga miratimi i pjesës më të madhe të ligjeve të përzgjedhura si test i kësaj klime, e mbeteshin vetëm tri prej tyre: ligji për Gjykatën e Lartë, ai për nëpunësin civil dhe Rregullorja e Kuvendit. Ndaj, Komisioni, më 10 tetor 2012, i komunikoi Këshillit dhe Parlamentit që Shqipëria duhej ta merrte statusin me të plotësuar edhe këto tri ligje, si dhe të vazhdonte përpjekjet në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit. Lidhur me morinë e detyrave për negociatat, Komisioni vlerësonte progres të mirë e solid.
Opozita socialiste, siç edhe deklaroi në tetor 2012, nuk dha votën për tri aktet e, në këto rrethana, në dhjetor, Komisioni s’kishte ç’t’i kërkonte Këshillit, e ky i fundit i rekomandoi Komisionit që, menjëherë sapo të shënohej progres, Komisioni t’i dërgonte rekomandimin duke konsideruar njëkohësisht vlerësimin në vazhduesi të progresit në çështjet kyçe. Por tri ligjet nuk u miratuan as deri në pranverë, Komisioni përsëri s’mundi të formalizonte rekomandimin, e gjithë çka ndodhi e shtynë automatikisht çështjen e statusit për në tetor-dhjetor 2013, d.m.th. pas zgjedhjeve.
VLERESIMI 2013 DHE REKOMANDIMI I KOMISIONIT
Vlerësimi vjetor i Komisionit për progresin e Shqipërisë për periudhën tetor 2012-shtator 2013, duket qartësisht mjaft pozitiv.
Komisioni vlerëson se Shqipëria i ka plotësuar të gjitha kushtet për të merituar dhënien e rekomandimit për statusin e, njëherazi, progresi ka qenë i dukshëm dhe i madh edhe në plotësimin e një pjese të madhe të detyrave të lidhura me negociatat.
Lidhur me statusin nuk bëhet fjalë vetëm për miratimin e të ashtuquajturave tri ligjet, por edhe arritjet e lidhura me luftën kundër krimit të organizuar e korrupsionit, organizimin e zgjedhjeve të lira e të ndershme dhe kalimin demokratik e normal të pushtetit nga njëra maxhorancë në tjetrën.
Për Komisionin, sot-për-sot, Shqipëria e meriton statusin. Pikë.
Ç’MUND TË NDODHË NË DHJETOR
Shanset duken të mëdha që edhe Këshilli të vijë në një mendje me Komisionin, por nuk ka garanci se kjo do të ndodhë me patjetër.
Edhe një vit më parë të dhënat flisnin se disa nga vendet anëtare të BE-së, të ndikuara edhe nga çështjet e tyre të brendshme zgjedhore dhe një rritjeje të kundërshtisë së qytetareve të tyre për zgjerimin e Bashkimit Europian në kohë krize ekonomike, nuk do t’u pëlqente që të viheshin në provë nga rekomandimi i Komisionit e, nëse kjo do të ndodhte, vota, ndoshta, do të ishte negative. Meqë tri ligjet nuk u miratuan, Komisionin nuk e formalizoi rekomandimin, Këshilli nuk u vu në provë dhe pra, votë negative nuk pati.
Këtë vit, vlerësimi dhe rekomandimi i Komisionit është i pamëdyshtë e pa bishta. Mjafton që qeveria e re të mos bëjë ndonjë hap prapa a gafë të rëndë dhe rekomandimi do t’i dërgohet zyrtarisht Këshillit.
Vendet anëtare e prisnin këtë vendim të Komisionit. Të dhënat flasin se para këtij deklarimi, të njëjtat vende ishin ende dyshuese dhe hezituese dhe këto qëndrime mund t’i bëjnë të ditura, në një mënyrë a tjetrën, edhe në ditët e javët në vijim. Ndaj, do të ishte jetike për suksesin tonë këtë dhjetor që këto dyshime dhe hezitime jo vetëm të mos shtoheshin, por të dobësoheshin e pakësoheshin aq sa të mos këtë votë kundër. Kjo nuk ndodhi një vit më parë.
“Gjithëpërfshirja është fjala kyçe”, tha Etore Sekui. Vlerësimet e raportit të Komisionit nisën me çka ndodhi pas 10 tetorit 2012 dhe u mbyllën me ngjarjet e ndodhura deri më 30 shtator 2013.
Atë ditë, më 30 shtator, u ngrysëm me konsensus të trashëguar nga para zgjedhjeve. Të nesërmen, më 1 tetor, u gdhimë me konsensus të prishur shumë shpejt pas zgjedhjeve. Mos qoftë ky një ogur i keq për këtë dhjetor. Normaliteti duhet të rikthehet sa më shpejt, ndërkohë që zullumi ende nuk është trashur.