AKSION POLICOR NE VEND TE INSPEKTIMIT TATIMOR
Policia e Shtetit iu sul lojërave të fatit. Rilindësit janë kundra vesit të bixhozit. I udhëheq virtyti. Ministri i Brendshëm tha se ato do të mbyllen e ndërkohë do t’i nënshtrohen një regjimi të rreptë… policor.
Qindra njësi u mbyllën me shkakun ligjor se ishin të paregjistruara. Aspak kundër. Qindra të tjera, të regjistruara dhe paguese të rregullta të taksave, u mbyllën pa ligj, por me urdhër nga lart që policët e thjeshtë ua komunikojnë operatorëve me shprehjen “mbylle ca ditë, se ashtu është muhabeti”.
Operacioni “Fundi marrëzisë”, ende në gjysmë fazë, ka dërguar në Prokurori disa qindra veta për evazion fiskal. Nëse do të imagjinonim zbatim inkuizitor të dënimit, do të duheshin gjyqe në grup të mëdha dhe një kamp masiv përqendrimi i ngritur me ngut se burgjet janë plot e s’nxënë më.
Askush nuk di nëse do të mbyllen vetëm lojërat e fatit me automate apo edhe ato për bastet sportive e ndoshta edhe lotaritë. Mund të nënkuptohet edhe një pjesë e tyre, edhe të tëra. Kryeministri flet aq sa do e kur do ai. Ndër të tjera, tha se pikat e shërbimit të këtij vesi do jenë larg shkollave, spitaleve e bankave, ndërsa këshilltarët e tij në Bashkinë Tiranë votuan kundër projektit të Lulzim Bashës për përqendrimin e tyre në një zonë të vetme periferike në Tiranë. Tha e ç’nuk tha, aq sa u nënkuptua se ai do pastrojë Shqipërinë nga të gjitha veset, ashtu siç bëri trimi i mirë – Herkuli – me bajgat e stallave që i pastroi duke i përmbytur me ujin e lumit aty pranë.
Ministri i Brendshëm flet, aq sa do e kur ai do edhe në emër të ministrit të Financave që hesht, ndonëse e ka fushën e tij të kompetencës. Kryepolici flet në emër të kryeinspektorit të Lojërave të Fatit e atij të Tatimeve, ndonëse kompetenca, në radhë të parë, është e këtyre. Me fjalë thuhet se Policia veçse mbështet inspektorët, por raportimet për mediat i jep Policia dhe jo inspektoratet. Policët, me urdhër nga lart, janë bërë edhe inspektorë taksash edhe inspektorë lojërash fati.
Kamerat fokusohen vetëm te ministri i Brendshëm, i cili, me një të rënë të lapsit, për dy policë që paskërkan dekonspiruar aksionin masiv, i kryer me mijëra policë e inspektorë e që për shkak të masivitetit veç sekret s’mund të mbahej, pezulloi një strukturë të tërë me dhjetëra policë të hetimit të Krimit ekonomik e financiar, strukturë e cila, ndër vite, arriti të mbledhë prova gjithnjë e më të pakundërshtueshme mbi korrupsionin e qindra zyrtareve, kreu me sukses aksione kundra pastrimit të parave, falsifikimit të tyre a vjedhjes së sofistikuar përmes rrjeteve elektronike dhe meritoi lëvdatat e amerikanëve dhe europianëve, që e mbështetën nga afër e fuqishëm ngritjen dhe forcimin e kësaj strukture moderne të hetimit policor që nga 2006 e deri më sot, bashkë me strukturat korresponduese në prokurori e gjykata.
Ndërsa atë paradite të rekomandimit për Statusin e Vendit Kandidat, ambasadori i Bashkimit Europian përmendi lëvdatat e dedikuara për këtë strukturë policore nga Raporti i Progresit, në mbrëmje ministri vendosi pezullimit total dhe hetimin tendencioz të çdo efektivi të saj. Ministri sfidoi ligjin dhe ambasadorin. Kryeministri lëvdoi ministrin.
AKSION POLICOR NE VEND TE INSPEKTIMIT NDERTIMOR
Rilindësit u janë qepur ndërtimeve pa leje. Shumë mirë deri këtu. Por u janë qepur edhe ndërtimeve në proces legalizimi edhe ndërtimeve me leje, mjafton që një inspektor apo polic të mendojë se ndërtimi qenkërka i papërshtatshëm a se leja qenkërka dhënë kundër ligjit.
Për ta pasur më të lehtë, qeveria miratoi një vendim të veçantë, që autorizon Inspektoratin Ndërtimor Urbanistik Kombëtar (INUK) të veprojë “pa asnjë pengesë paraprake… dhe menjëherë”. Se ç’kanë parasysh me pengesa paraprake dhe veprim të menjëhershëm Rilindësit nuk e sqarojnë, por kuptohet se bëhet fjalë edhe për pengesat e vëna direkt nga ligji që përcakton një radhë pune që fillon me inspektoratin vendor para se të hyjë në veprim ai Kombëtar, ashtu edhe pengesat e vëna nga Kushtetuta, që përcakton se mbi pronën nuk mund të veprohet pa një proces të rregullt ligjor e pa vendim gjykate, në rast ankimimi të aktit administrativ për prishje. Kështu veproi, pa respekt ligjor për pronën, edhe në Bashkinë Tiranë, kur zgjeronte rrugët pa kundërshpërblim për pronarët e tokave.
Thuhet se policia veçse mbështet INUK. Në fakt, është policia në vijën e parë dhe INUK veçse mbështet duke firmosur e vulosur shkresat, edhe kjo në pakicën e rasteve. Ministri i Zhvillimit Urban s’duket gjëkundi, as kryeinspektori i Ndërtimeve. Edhe në këtë aksion ai që vendos, urdhëron, flet, raporton, sqaron, është ministri i Brendshëm, me bekim kryeministror, dhe ai që zbaton është Kryepolici me policët e tij, tashmë edhe inspektorë ndërtimorë e urbanistë, me bekim ministror.
Me ca tritol, një ruspë dhe plot frymë të shenjtë, me dy faza, e rrëzuan më në fund shtëpinë e hallexhiut që kishte leje për dy kate e s’kishte për dy të tjerat. Njerëzia duhej të shihte live në TV “shembullin e forcës”, në mënyrë që të kuptojë se ç’kuptim i japin Rilindësit “forcës së shembullit” që premtuan në fushatën zgjedhore.
Aksioni po zhvillohet me front gjithnjë e më të gjerë, pa harruar goditjet e përqendruara. Policët janë shpërndarë lagjeve e fshatrave anekënd vendit. Ata e kanë kuptuar se shefi lart, shefi i shefit deri te kryeshefi – Kryeministri – duan raportime për prishje ndërtimesh pa a me leje dhe akuza penale me shumicë. Sa për ilustrim, vetëm nga një fshat i humbur i rrethit të Librazhdit policia në një ditë kallëzoi penalisht për ndërtim pa leje 12 katundarë që paskërkan ndërtuar pa leje n’tok’ t’vet.
Polici zbaton urdhrin dhe s’di se ç’thotë ligji dhe Kushtetuta. Ai di ç’i thonë shefat. Kryeministri dhe ministri i tij i Brendshëm e dinë fare mirë se ç’thotë ligji e Kushtetuta, por s’duan t’ia dinë. Qëllimi gjithçka. Mjeti i justifikuar në çdo rast. Njësoj si në rastin e emërimit të Kryepolicit, që nuk i paskërka 16 vite punë në Polici në 20 vitet e fundit, pra që nga shtatori 1993 deri në shtatorin 2013, sepse që nga 2006-ta nuk ka punuar në Polici.
SHKARKOHEN MBROJTESIT E REPUBLIKES
“Garda do të shkrihet”. Ky ishte titulli i shumë gazetave të nesërmen që ministri i Brendshëm foli, veç pak ditë pas emërimit në detyrë, për futjen e Gardës nën sqetullën e Policisë së Shtetit. Dje shkarkoi të gjithë “grupin gardist të zjarrit”, atë duzinë që përdori armët e zjarrit më 21 janar 2011.
Koka – Kryeministri komandoi dorën e ministrit që firmosi ekzekutimin administrativ të “grupit gardist”, i cili pengoi suksesin e “grupit me agjendë tjetër”, sulmin e të cilit e pamë live në TV e, po kështu, e pa dhe e vlerësoi edhe i kudondodhuri i asaj dite, ambasadori Arvizu.
Mirë për ç’pamë ne a ç’tha Arvizu nuk duan t’ia dinë, por as që duan t’ia dinë për prokurori e gjykata. Këtu nuk po flas për vrasjet – kjo është çështje më vete dhe vetëm për dy gardistë – po flas për përdorimin e armëve të zjarrit si akt mbrojtjeje i domosdoshëm nga sulmi i gjatë, frontal dhe i furishëm. Edhe prokuroria, edhe gjykatat, në procesin e gjatë hetimor e gjyqësor thanë dhe shkruan, e zezë mbi të bardhë, se përdorimi i armëve të zjarrit, në ato rrethana, me të shtëna në ajër, ishte tërësisht i bazuar në ligj.
Shkarkimi i duzinës së gardistëve pse përdorën armët sipas ligjit dhe në mbrojtje të ligjshmërisë e rendit publik është hakmarrje e sulmuesve kundër mbrojtësve të Republikës. Mbrojtësit u shkarkuan. Të tjerë, në Gardë e Polici, do të shkarkohen. Vendin po e zënë e do ta zënë sulmuesit, ata me “axhendë tjetër”.
ENDRRA E TE PLOTFUQISHMIT
Ligji konsensual për nëpunësin civil nuk zbatohet pa aktet nënligjore, tha Kryeministri dhe maxhoranca duale në kor pas tij. Me këtë thënie, çdo student Juridiku do të kishte ngelur në klasë. Ai nuk do t’ia dijë se në mungesë të ligjit Kushtetuta zbatohet drejtpërdrejt e në mungesë të aktit nënligjor ligji zbatohet drejtpërdrejt.
Konsensusin e prishi me paramendim, tinëz e, kur importoi votën e 84-t përmes aleatit strategjik, edhe me arrogancë, duke përdorur mënyrën më të rrezikshme, atë me akt normativ i cili hyn në fuqi menjëherë, nuk lë vend për diskutim në Kuvend dhe ndryshon me procedurë super të përshpejtuar një ligj që kërkon 84 vota e kur Kushtetuta e ndalon shprehimisht miratimin a ndryshimin e çdo ligji të këtillë (përjashtuar shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme) me procedurë të përshpejtuar nga Kuvendi, procedurë që gjithsesi kërkon të paktën një javë diskutime parlamentare, ndërsa akti normativ mund të miratohet nga Kuvendi që në ditën e parë të depozitimit të tij në Kuvend.
Ky ndalim nuk është aty për delikatesë, por i mirëmenduar me synim që të ketë kohë e mundësi për një vendim përfshirës e të pjekur në Kuvend dhe/ose opozitës dhe shoqërisë t’i jepet kohë e mundësi për t’u mobilizuar kundër një projektligji të mbrapshtë, që mund të tentojë të miratojë maxhoranca e radhës.
Mendoni se ç’mund të ndodhte nëse Gjykata Kushtetuese nuk e shpall antikushtetues aktin normativ. A nuk do të dëshironte Kryeministri t’ia bënte rrup-sup Shqipërisë siç ia bëri Partisë? Për këtë, ky Kryeministër – kushdo tjetër në të ardhmen – do t’i mjaftonte të ndryshonte, si dhe sa t’i duhej, brenda disa minutave, me disa akte normative, Kodin Penal e atë të Procedurës Penale, ligjin për gjykatat, atë për Gjykatën e Lartë e atë Kushtetuese, ligjin për Prokurorinë e të shpallte menjëherë gjendjen e jashtëzakonshme.
Me këtë legjislacion të ri në fuqi mund të ndërmerrte në mes të natës një aksion policor ndëshkues, me policë nga “grupi me axhendë tjetër” që po i emëron gjithandej në Polici, ndaj një grupi personash kyçë nga opozita, gjykatat, gjyqtarët kushtetues në radhë të parë, media, biznesi. Njëkohësisht, me një ligj të ri elektoral të miratuar po me akt normativ të mbante, brenda 45 ditësh, zgjedhje të parakohshme që mund t’i fitonte, nën terror policor, me 99% të votave. Për këtë plan nuk do t’i duheshin më as 84 deputetë, pra as partneri strategjik i koalicionit, por veç 71 kukulla e delenxhinj në Kuvend, mjaft që të bllokohej çdo përpjekje për mbledhje të Kuvendit për rrëzimin e akteve dhe atë vetë para afatit 45-ditor. Diktaturë e vënë pastër e me akt normativ kushtetues, brenda natës, duke ndryshuar të gjitha ligjet që kërkojnë 84 vota në Kuvend vetëm me votën e gjysmës së ministrave.
Këtë mundësi veç revolta popullore mund ta ndalonte. Ndaj, Gjykata Kushtetuese duhet të vendosë, sa më parë, në mbrojtje të kushtetutshmërisë dhe demokracisë nga ëndrra e të plotfuqishmit.
GROPA E TE ARDHURAVE MBUSHET ME BORXH
Qeveria nxori aktin normativ për buxhetin. Plani i të ardhurave për katër muajt e fundit të vitit ulet në afro 75% të planit fillestar, nga 93% që u realizua në 8 muajt e parë të vitit të vështirë elektoral nga qeveria e demokratëve. Shpenzimet për katër muajt e fundit të vitit rriten krahasimisht me planin e, brenda tyre ulen shpenzimet për investime dhe rriten ato administrative për një qeveri me më shumë ministri dhe Kryeministri të rinovuar.
Kryeministri nuk dëshiron të qeverisë me ankthin nëse Doganat dhe Tatimet, me drejtuesit e rinj në krye, do të realizojnë a jo planin ambicioz të qeverisë paraardhëse. Ai do garanci për shpenzimet. Ndaj uli… n’galiç planin e të ardhurave dhe gropën e mbushi me… borxh.
Deri në fund të vitit, Kryeministri do të qeverisë pa dhimbje koke. As që ia ndien se planifikimi në panik i qeverisë mund të sjellë panik në ekonomi dhe krizë paskëtaj. Ndoshta as që e kupton këtë ligjësi shkak-pasojë, që e di edhe ekonomisti nënmesatar.
Në fakt, as që do t’ia dijë për ekonomistët. Ua tha në sy të gjithë atyre që i kishte ftuar në atë me demek Këshill Ekonomik Kombëtar. Kishte rrëmuar e, nga mijëra faqe studime e botime të vyera të Edward Glaeser për ekonominë urbane, që, po t’i kishte përdorur sadopak, do ta kishte qeverisur ca më mirë Tiranën, kishte nxjerrë shprehjen “Bota nuk drejtohet dhe nuk duhet të drejtohet nga ekonomistët…”, si ngushëllim për padijen e vet, të pafajshme gjithsesi, në këtë lëmë.
Inferioriteti i lë vendin superioritetit. Ai udhëheq dhe në çdo rast e ka përgjigjen n’xhep: po pati krizë, fajin e ka paraardhësi, Sali-u, e po nuk pati krizë veç ai, Rama-lliu i merr meritat.
PENETRIMI I TURQVE NE BALLKAN SHTATE SHEKUJ ME PARE
Mos u lodhni të studioni historinë! Kohë e humbur kot! Ju mjaftojnë kronikat e takimeve të Kryeministrit tonë edhe atij të Kosovës me atë të Turqisë, nga ai i pari në pranverë deri te ky i fundit këtë vjeshtë në Prizren.
Ndryshimi i vetëm është që prijësit lokalë dikur thërrisnin për ndihmë turkun për të pushtuar një kështjellë e sot e thërrasin për të fituar një komunë, dikur për t’i bërë karshillëk Venedikut e sot Europës.
Kështu bënë edhe të dy kryeministrat tanë sup-më-sup shtrënguar me byrazerin turk, që aq shumë dëshirojnë t’i ngjajnë e nga i cili, bujar si paraardhësit e tij fuqiplotë, shpresojnë të marrin ca dhurata.
FUNDI I MARREZISE?
Marrëzia sapo ka marrë udhë. Nuk ia ndien as për konsensus, as për Kushtetutë, as për gjykata, as për ligjet e së drejtës e as për ligjësitë ekonomike.
Rilindësi po luan me fatin që i erdhi peshqesh ca kohë më parë nga e kur s’e priste.