Para dy-tri ditësh, në mbrëmje, kanali televiziv frankofon “TV5 Monde” dha një lajm që m’u duk interesant. Sigurisht, jo kushedi çfarë, por lajm, gjithsesi. Bëhej fjalë për daljen në pension të kryekuzhinierit të Elysée-së, pra, të Pallatit Presidencial në Paris, barasvlerësit të Pallatit tonë të Brigadave. Ai doli në pension pas dyzet vjetësh punë si kryekuzhinier në atë pallat, ku gatoi për presidentët e Francës që nga viti 1973 e deri më sot, pra gatoi për Georges Pompidou-në, Valéry Giscard d’Estaing-in, François Mitterrand-in, Jacques Chirac-un, Nicolas Sarcozy-në dhe François Hollande-in.
Nëse nuk kam harruar të numëroj deri në dhjetë, i bie që të ketë gatuar – dhe me çfarë përgjegjësie (profesionale, por edhe politike, ndër të tjera)! – për gjashtë presidentë. Gjashtë presidentë! Katër të djathtë e dy të majtë! Jam i bindur që lexuesi i vëmendshëm dhe kureshtar i rubrikës sime të së dielës mund të më drejtojë me të drejtë këtë pyetje: “Po çfarë ka këtu për t’u habitur, zoti Tupja?”. Pyetje së cilës po nxitoj t’i përgjigjem: Shpreh vërtet habinë time të sinqertë sepse po të kishte qenë kryekuzhinier në Pallatin e Brigadave, nuk jam hiç i sigurt se do ta kishin lënë të gatuante për gjashtë presidentë shqiptarë radhazi!
Sepse, tek ne, në Shqipëri, politika vazhdon të vihet qorrazi “në plan të parë”, siç thuhej në kohën e diktaturës sonë hoxhiste. Sepse, pas shembjes së kësaj diktature, sa herë që pushteti ka kaluar nga e majta tek e djathta dhe anasjelltas, janë ndërruar, në administratën shtetërore dhe në institucionet publike, jo vetëm titullarët e posteve me kumbim të drejtpërdrejtë politik, por edhe specialistët e mirëfilltë, madje edhe vartësit më të thjeshtë, deri te shoferët dhe pastrueset. Sidoqoftë, gjatë fushatës së fundit për zgjedhjet kuvendore, më bëri shumë përshtypje thirrja që iu bë njerëzve që të paraqisnin on line kërkesat e tyre për punë në strukturat kompetente të Selisë Rozë, dhe kjo me nëntekstin e lexueshëm se do të parapëlqeheshin militantët e PS-së, të cilët, do të zëvendësonin militantët e PD-së në funksionet e tyre publike.
E djathta, nën drejtimin e PD, sa herë ka ardhur në pushtet ka bërë plot zëvendësime të tilla, por me sa di, kurrë ndonjëherë nuk i ka premtuar këto që gjatë fushatës zgjedhore, por, sot, shqetësimi im është që, në zgjedhjet e ardhshme kuvendore, e djathta, tani në opozitë, ka rrezik, pas katër vjetëve, të veprojë si e majta gjatë fushatës së saj zgjedhore të 23 qershorit të këtij viti: helbete, sheh rrushi rrushin e piqet dhe oburra kush ta gëzojë pjeshkën e pushtetit! Por le të kthehemi te kryekuzhinieri ynë francez i Elysée-së që sapo doli në pension. Par association d’idées, pra, meqë një ide sjell natyrshëm një tjetër, fjala “kryekuzhinier” më shpuri te fjalët “kryetar” dhe “kryeministër”, pra, te politika.
Diku, në njërin prej librave të tij, Balzaku e krahason politikën me kuzhinën duke u shprehur në thelb kështu: “Politika është si kuzhina, për të gatuar duhet t’i ndotësh duart”; nga Balzaku, gjithnjë par association d’idées, fjala “duart” më çoi te Sartri, i cili ka shkruar një dramë me titull “Les mains sales”, pra “Duart e ndotura”. Përfundimi im logjik është se, ashtu si një kryekuzhinier, edhe një kryetar (partie, bashkie, komune etj.) nuk mund ta shmangë kurrsesi ndotjen e duarve, por të paktën produktin e të gatuarit ta nxjerrë të pastër. Mjerisht, jo rrallëherë ka një “por” që vjen e prish punë, sidomos në përfundimet logjike: Por, në shoqërinë shqiptare, produkti i të gatuarit në politikë vazhdon të lërë për të dëshiruar pikërisht përsa i përket pastërtisë së tij.
Për ta mbyllur, po i kthehem kryekuzhinierit francez duke i uruar që ta gëzojë gjatë pensionin dhe, pse jo, të shkruajë, tani që do të ketë më shumë kohë në dispozicion, kujtimet e veta nga frekuentimi i përditshëm i gjashtë presidentëve radhazi, për të na shpjeguar se si ndodhi që, asnjëri prej katër të djathtëve dhe asnjëri prej dy të majtëve nuk e pushoi nga puna, me t’u ngjitur në majë të pushtetit, për ta zëvendësuar me dikë të krahut të vet politik.